Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, por shtoi se duhen përmbushur disa kushte para se të merrej një vendim i tillë.
Franca i ka dhënë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore, njësi raketahedhëse, topa dhe pajisje të tjera ushtarake dhe është zotuar të dërgojë automjete të blinduara, por nuk ka ofruar tanke ose armatime më të rënda.
I pyetur në një konferencë shtypi në Hagë të hënën nëse Franca po shqyrton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë, zoti Macron tha se “asgjë nuk përjashtohet” për sa kohë që plotësohen disa kushte.
Në mesin e këtyre kushteve janë edhe garancitë se dërgimi i avionëve nuk do të çonte në një përshkallëzim të tensioneve, se ata nuk do të “preknin territorin rus” dhe se dërgimi i tyre nuk do të “dobësonte kapacitetet e ushtrisë franceze”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron.
Ai tha gjithashtu se Ukraina do të duhet të kërkojë zyrtarisht avionët. Ai vuri në dukje se do të takohet të martën në Paris me ministrin ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov.
Në Uashington, i pyetur nga një gazetar të hënën nëse administrata e tij po konsideronte dërgimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë, Presidenti amerikan Joe Biden u përgjigj “jo”. Zëvendës-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jon Finer tha në një intervistë për kanalin MSNBC javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të diskutonin çështjen e avionëve luftarakë “me shumë kujdes” me Ukrainën dhe aleatët.
Në javët e para të luftës, administrate e Presidentit Biden shqyrtoi një propozim sipas të cilit Polonia do të furnizonte Ukrainën me MiG-29 dhe në këmbim të tyre do të merrte avionë amerikanë F-16. Pilotët ukrainas janë të trajnuar për të drejtimin e avionëve luftarakë të epokës sovjetike.
Ideja në fund u hodh poshtë pasi Polonia doli me idenë e dorëzimit të avionëve MiG-29 në një bazë ajrore amerikane në Gjermani. Zyrtarët e Pentagonit thanë në atë kohë se perspektiva e nisjes së avionëve luftarakë nga një bazë e përdorur nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk ishte e përshtatshme.
Zyrtarët ukrainas kanë rritur kërkesat për armë më të rënda nga aleatët perëndimorë që do të ndihmonin ata në përpjekjet për zmbrapsjen e forcave ruse.
Në praninë e presidentit Macron, kryeministri holandez Mark Rutte tha se Ukraina nuk ka kërkuar zyrtarisht avionë luftarakë holandez F-16 deri më tani. Ai mbajti një qëndrim të kujdesshëm pasi ministri i jashtëm holandez u tha ligjvënësve në fillim të këtij muaji se nuk kishte “asnjë tabu” për dërgimin e avionëve luftarakë.
“Nuk po flitet për dërgimin e avionëve F-16 në Ukrainë. Nuk ka asnjë kërkesë për këtë”, tha kryeministri Rutte të hënën. “Nuk është bërë tabu, por do të ishte një hap tjetër shumë i madh.”
“Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe që Ukraina të kërkojë me saktësi gjërat për të cilat ka nevojë”, tha zoti Rutte.
Ai mirëpriti vendimet e fundit të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara për dërgimin e tankeve në Ukrainë.
“Në Holandë, ne do të vazhdojmë të shikojmë se çfarë mund të bëjmë”, zoti tha Rutte. “Ne nuk kemi tanke “Leopard 2”, ne i marrim ato me qira. Ne kemi thënë se, nëse është e nevojshme, ne jemi të përgatitur t’i blejmë dhe t’i dërgojmë ato (në Ukrainë)”, tha kryeministri holandez.
voa