Entuziazmi i qytetarëve të Preshevës arriti kulmin, kur kryeministri Edi Rama zgjodhi të kalojë pranë tyre në sheshin “Liria”, përpara se të futej në sallën e Pallatit të Kulturës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë pritur kryeministrin me muzikë e valle shqiptare, ndërsa në duar mbanin flamurin kombëtar. Në fjalimin e tij, kryeministri Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar punën, në mënyrë që siç tha ai, të rilinden shpresat dhe besimi i çdo shqiptari kudo ku ai jeton. Shefi i qeverisë shqiptare tha se vendi ynë do të mbetet një derë e hapur që të rinjtë e Preshevës të studiojnë në Shqipëri. Rama bëri të ditur se tashmë është arritur një marrëveshje me kryeministrin serb Vuçiç dhe ekipin qeveritar serb për njohjen reciproke të diplomave. Kryeministri tha se qeveria shqiptare do të dyfishojë kuotat në mjekësi dhe do të heqë limitin e kuotave në të gjithë fakultetet e tjera për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Ndihem thellësisht i privilegjuar që si kryeministër i Shqipërisë t’ju them mirose ju gjeta dhe t’ju siguroj se unë dhe qeveria jonë nuk do të rreshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe për të rilindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari kudo ku ai jeton. Ju jam thellësisht mirënjohës për këtë mikpritje të paharrueshme dhe për këtë organizim kaq dinjitoz, që ju siguroj se do të mbetet i pashlyer në kujtesën time dhe pa asnjë dyshim do diktojë edhe përkushtimin e jashtëzakonshëm timin dhe të të gjithëve ne në Tiranë për të qenë pranë jush dhe për të punuar së bashku në mënyrë që secili prej jush të ketë një rrugë të hapur për të realizuar ambiciet e tyre dhe të ketë gjithmonë një derë të hapur në Shqipëri për të kryer studimet e tyre. Pas një diskutimi intensiv me kryeministrin e Serbisë dhe me ekipin qeveritar serb ne në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve, dhe për njohjen reciproke të diplomave”- deklaroi kryeministri Rama.
Duke u ndalur tek diplomat që lëshohen në Shqipëri, Rama tha se ato do jenë të barasvlershme me ato në Serbi. “Kemi hapur një faqe të re për gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do duan të realizojnë ambicien e tyre. Diploma e Shqipërisë do jetë një dokument i njohur edhe në Serbi, është i barazvlefshëm me të”.
Më tej kreu i qeverisë shqiptare foli hapur përpara shqiptarëve të Preshevës, duke iu thënë se rajoni ku jetojmë duhet të bashkëjetojë në paqe, ndërsa shtoi se me Serbinë është hapur tashmë një kapitull i ri, që ky moment paqeje të jetë i qëndrueshëm
“Pavarësisht vështirësive të kuptueshme mosdakordësive të njohura, jam besimplotë që kemi hapur një faqe te re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, kemi marrë përsipër përgjejgësinë që na takon. Të mos lejojmë që gjenerata e re e shqiptarëve dhe serbëve të trashëgojnë traumat e një konflikti të gjatë, që fëmijët shqiptarë dhe serbë nuk e meritojnë. Kjo është një përgjegjësi e plotë e qeverisë shqiptare, përtej atyre që mund të thonë ata të cilët preferojnë të jetojnë me slogane dhe retorika të së shkuarës. Do bëjmë çmos që ti japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari pavarësisht ku jeton, pavarësisht se jeton në Kosovë, Serbi, Mal i Zi e me radhë. Ne jemi të bindur se na është dhënë mundësia historike e një paqeje në këtë rajon të identifikuar botërisht me urrejtjen e dasisë. Sot 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore ne kemi mundësinë historike ta kthejmë këtë moment paqeje në një paqe të qëndrueshme, për të cilën ia vlen të jetohet”.
Rama ftoi më tej shqiptarët e Preshevës të bëhen pjesë e evropianëve të rinj të këtij rajoni.
“Nuk është hera e parë që vij në Preshevë, jam i vetëdijshëm për brengat vështirësitë dhe pamundësitë tuaja të shkaktuara pavarësisht nga ju, vështirësi që ndesheni shpeshherë, pengesa që i gjeni në rrugën tuaj të pamerituar. Duke shfrytëzuar këtë moment paqeje, duke u përpjekur të kthejmë në rrugë të qëndrueshme ne do ti shuajmë brengat e së shkaurës, do ti zhbëjmë vështirësitë. Jini të bindur, kini besim se do heqim të gjitha pengesat që një djalë me kombësi shqiptare të ndjehet i barabartë me çdo evropian pavarësisht ku jeton. Nuk është detyrim politik por kushtetues, bazuar në Kushtetutë që qeveria e Shqipërisë dhe cilido qoftë kryeministër të mos e harrojë se liria dhe të drejt ae cdo shqiptari kudo që jeton janë të paprekshme dhe duhet ti mbrojmë pavarësisht pengesave. Unë dua që sot të nënvizoj se është një kohë e re, të jemi të vetëdijshëm, të punojmë me njëri-tjetrin për tu sjellë ashtu sic i ka hije kësaj kohe të re, kush ka të vështirë të ndahet nga e shkuara nuk jemi ne, ne duam të jemi evropianët e rinj të këtij rajoni, i ka ardhur koha të bashkohet përfundimisht me Europën”.
Rama u ndje krenar teksa foli për mundësitë dhe të drejtat që iu garantohen minoriteteve në Shqipëri, ndërsa nuk hezitoi të kërkojë të njëjtën gjë edhe nga Serbia. Ai theksoi se ka deklaruar në Serbi, në takimin kokë më kokë me homologun Vuçiç se shqiptarët nuk kërkon Shqipërinë e Madhe por një Europë të madhe ku të përfshihen të gjithë shqiptarët.
“Këtu para jush, në vendin ku shqiptarët sot hasin vështirësi nënvizoj me krenari se ne shqiptarët e Shqiqëprisë dhe Kosovës, të dy shteteve që janë garantë të paqes dhe stabilitet mund të jemi me plot gojën krenarë për mënyrën si i respektojmë minoritetet. Kemi të drejtën bazuar jo në letra por në fakte se në Shqipëri dhe Kosovë ka modele të admirueshëm për respektin e minoriteteve. Me ketë krenari kemi të drejtë duke u nisur nga vetja ta kërkojmë edhe nga të tjerët. Sot në Shqipëri ka një minoritet grek, i cili nuk ndjen për asnjë çast dallim, ka minoritet maqedonas, asnjë diskriminim në raport me popullsinë, pas ndarjes së re territoriale do ketë edhe bashkinë e vetë pavarësisht se numri është i vogël. Sjelljen ndaj tjetrit nuk e përbëjnë numrat. Ne të gjithë jemi krenarë se atë që duam për veten tonë nuk ia mohojmë tjetrit, por atë që ia japim tjetrit asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë ne. Këto territore ka mundësi të kthehen nga një zonë e vështirë, hedh sytë dhe kupton se ka një dallim të madh në një zonë ku dallimi duhet të jetë i padukshëm. Brenda përbrenda Serbisë nuk duhet të ndjehet e kundërta e pjesës tjetër të territorit të Serbisë. Kam folur hapur dhe shkoqur në takimin me Vuçiç. Ua bëra të qartë se ne shqiptarët nuk jemi në betejë të përbashkët për Shqipëri të Madhe por për Europë të madhe që duhet ti përfshijë të gjithë shqiptarët bashkë me gjithë të tjerët”
Kryeministri Rama theksoi se shqiptarët janë sot më të dëgjuar dhe më të respektuar seç kanë qenë ndonjëherë më parë, sepse siç tha ai, “ata nuk kanë kërkuar kurrë diçka që i takon tjetrit dhe janë treguar të njerëz të besës me aleatët strategjik”.
“Ne shqiptarët kemi shumë të drejtë që shpesh herë të jemi të padurueshëm, që të kërkojmë sa hap e mbyll sytë gjithçka që na ka munguar. Kemi shumë të drejtë në Kosovë të jemi të padurueshëm dhe të kërkojmë të mos ketë kriza, kemi shumë të drejtë këtu të jemi të padurueshëm. Por kthejeni pak kokën mbrapa, ku ishin shqiptarët në vitet ’90 dhe kush ndër ne mund t’i parafytyronte shqiptarët siç janë sot në këtë rajon me kaq shumë më tepër gjëra të bëra realitet. Dhe jo gjëra të thjeshta, por gjëra të mëdha. Më të dëgjuar dhe më të respektuar seç jemi sot nuk kemi qenë asnjëherë. shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë diçka që i takon tjetrit. Nuk kanë rënë kurrë në kurthin e atij nacionalizmi që e bën njeriun, por që mund ta bëjë edhe një vend të tërë të verbër për të hapur luftëra jo për lirinë e vet, por për të mos e lënë tjetrin të lirë. Sot shqiptarët janë në këtë pozitë, të gatshëm për të shkuar më tutje, por dhe të fortë për të përballuar rrugën më tutje, kjo ka ardhur si rezultat i të qenit njerëz të besës me aleatët tanë strategjik SHBA dhe BE. Nuk mundet të shkojmë pas askujt që del mendsh dhe thotë ka një rrugë më të shkurtër, sepse rruga me e shkurtër të nxjerr gjatë. Sepse rruga jonë është e drejtë”- deklaroi Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “shteti shqiptar nuk do të tërhiqet nga detyrimi i tij kushtetues, për të qenë i angazhuar në mënyrë konstante, që duke forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me Serbinë, të forcojë pozitën e vet për të mbrojtur dhe mbështetur aspiratat e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë”.
“S’ka arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak mundësi, më pak liri dhe të drejta se serbët e veriut të Kosovës. Ashtu si dhe të gjithë minoritetet etnike apo kulturore nuk mund më të diskriminohen për shkak të origjinës, nëse jemi të gjithë serioz që kësaj mundësie fantastike për të mbyllur një shekull ndasish t’i përkushtohemi jo me fjalë por me vepra”.
Më tej Rama përgëzoi partitë politike shqiptare në Luginë për përfaqësimin në parlamentin dhe në institucionet e këtij shteti.
“Shqiptarët kanë vullnet për dialog aty ku ka hapësirë për dialog dhe se kanë vullnet për bashkëpunim me shtetin ku jetojnë, gjë që u jep të drejtën të kërkojnë shumë më shumë nga shteti ku jetojnë”- tha kryeministri Rama.
MUSTAFA: KRYEMINISTRI RAMA TREGOI PËKUSHTIMIN PËR TË GJITHË SHQIPTARËT
Kryetari i komunës së Preshevës, Ramiz Mustafa, përgëzoi sot kryeministrin shqiptar Edi Rama për qëndrimin e tij në Beograd në konferencën për shtyp me kryeministrin e Serbisë Vuçiç dhe për përkushtimin për të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht në Luginën e Preshevës.
Gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar në Pallatin e Kulturës për ardhjen e kryeministrit Edi Rama në Preshevë, Mustafa theksoi se “një përkushtim i veçantë , një përkushtim për të cilin që padyshim ka qenë i njohur edhe më përpara, një problem i Luginës së Preshevës. Kryeministri Rama nga Beogradi kërkoi që të zgjidhet ky problem duke shfrytëzuar metoda më të mira të mundshme të rajonit dhe duke e krahasuar me serbët në veriun e Republikës Kosovës dhe mbarë territorit të Kosovës që gëzojnë në mënyrë shumë më të madhe të drejta sesa shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama tanimë është vendosur ne pozicionin e liderit të shteteve ballkanike i nominuar nga kancelarja Merkel”, u shpreh Mustafa.
Kreu i komunës së Preshevës nënvizoi se “pa asnjë dyshim ka përmbushur edhe një obligim kushtetues si kryeministër i Republikës së Shqipërisë për t’u kujdesur në lidhje me pozicionin e shqiptarëve kudo që jetojnë”.
“Duke qenë se në këtë sallë janë një mori maturantësh të shkollave të mesme të Preshevës e Bujanovcit një mori biznesmenësh nga Lugina e Preshevës përfaqësues nga Medvegja unë mendoj se Kryeministri i Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë përkushtimin e shtetit shqiptar në ndihmë të më të rinjve. Maturantët e Luginës së Preshevës i kanë dyert e hapur në universitete shqiptare”, – përfundoi Mustafa.
RAMA I DORËZOHET TITULLI “QYTETAR NDERI”: MBROJMË INTERESAT TUAJA NË KËTO TROJE
Shqiptarët e Luginës së Preshevës e pritën me entuziazëm vizitën historike te Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Banerat ku shkruhet “Mirësevjen kryeministër” gjenden pothuajse në çdo pjesë të Preshevës, ndërsa në sheshin ‘Liria” mijëra qytetarë të mbledhur brohoritën e u takuan me kreun e qeverisë së Shqipërisë teksa hynte në Pallatin e Kulturës. E gjithë ceremonia e pritjes u shoqërua me flamuj ‘kuq e zi’, këngë e valle shqiptare.
Nga Presheva, Zv/kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare” Tedi Blushi flet për një atmosferë tepër të ngrohtë dhe elektrizuese që vjen nga sheshi i Preshevës. “E gjithë Presheva në shesh. Turma është e jashtëzakonshme, pritje elektrizuese”, me këto fjalë e ka përshkruar ai situatën në Preshevë.
“Shumë të rinj na përshëndesin nëpër rrugë dhe filmojnë me celular kalimin e eskortës së delegacionit shqiptar”, thotë Blushi më tej.
Padurimi i banorëve të Luginës së Preshevës për pritjen e Ramës duket edhe nga deklaratat e tyre. Banorët shprehen se për herë të parë pas shumë vjetësh një kryeministër shqiptar viziton Preshevën, dhe do të jetë shumë pozitive dhe në interes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që do japi mesazhe të mira te ndërkombëtarët dhe është një hap drejt integrimit në Europë.
Fotografia e Ramës ka pushtuar qytetin duke filluar nga gjimnazi “Skënderbeu” e deri në sheshin e dëshmoreve të UÇPMB-së.
Ndërkaq bëhet me dije se masa të rrepta sigurie ka edhe në Preshevë, e cila është rrethuar sot nga policë të shumtë, të cilët po sigurojnë vendin para ardhjes së kryeministrit Rama.
Për plot 102 vjet pavarësi të Shqipërisë, asnjë president dhe asnjë kryeministër shqiptar nuk i ka vizituar këto treva. Njëkohësisht nuk mbahet mend që Preshevën ta ketë vizituar ndonjë personalitet i lartë, president apo kryemnistër serb apo shqiptar.
RAMA KALON NGA KOSOVA PAS VIZITËS NË SERBI, QYTETARËT E PRESIN NË GJILAN
Ora 12:25 – Zv/kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, Tedi Blushi njoftoi nga Beogradi se kryeministri shqiptar Edi Rama do të kalojë nga Kosova pas vizitës në Serbi. Shefi i qeverisë shqiptare do të pritet në hyrje të Gjilanit nga qytetarët kosovarë, rreth orës 16:00.
Vizita e Edi Ramës në Beograd çon në këmbë edhe qytetarët e Kosovës, të cilët po përgatiten ta presin eskortën e tij gjatë kalimit nëpër Kosovë. Mësohet se një grup i qytetarëve nga Gjilani do ta presin atë në magjistralen Dheu i Bardhë, Gjilan, saktësisht në hyrje të Gjilanit, në hapësirën e qendrës tregtare Drini.
Qëllimi i organizatorëve është që t’i shprehin kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe delegacionit të tij, falënderimin për përfaqësimin dinjitoz edhe të shqiptarëve të Kosovës në vizitën e tij në Beograd.
RAMA NE KOMUNEN E PRESHEVES: MBROJME INTERESAT TUAJA
Ora 12:23- Menjëherë pasi mori në dorëzim titullin qytetar nderi, Rama, është zotuar në komunën e Preshevës së Shqipëria do të mbrojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës.
Duke marrë fjalën Rama tha: “Mirë se ju gjej dhe falemnderit. Jam i ndërgjegjshëm për situatën, sakrificat dhe varferinë. Do mbrojmë interesat e vëllezërve dhe motrave tona në këto troje. Barrën e ndjej tani më shumë pas këtij nderimi. Tani ndjehem një nga qytetarët e ketyre territoreve”.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaroi në këto momente se vizita e Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Preshevë është e mirëpritur, pasi ka 102 vjet që në këtë tokë nuk vjen asnjë përfaqësues nga athdheu amë.
Kryetari i Komunës, Mustafa, theksoi se deklarata e zotit Rama në Beograd se “shqiptarët e Preshevës duhet të kenë të njëjtin status si serbët e Kosovës” është shumë e mirëpritur nga shqiptarët e Luginës.
RAMËS I DORËZOHET TITULLI “QYTETAR NDERI” I PRESHEVËS
Ora 12:10 – Kryeministrit Edi Rama i është dorëzuar titulli “Qytetar Nderi” nga Këshilli Komunal i Preshevës. 33 këshilltarët e Preshevës votuan unanimisht që kryeministrit shqiptar t’i akordohej titulli “Qytetar Nderi”.
PRESHEVË, MBËRRIN KRYEMINISTRI RAMA DHE DELEGACIONI
Ora 11:45- Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar që e shoqëron ka mbërritur tashëm në Preshevë, ku e presin mijëra qytetarë të mbledhur nga Presheve, Bujanovci dhe Medevegja.
Sipas raportimit të gazetarit Tedi Blushi, Rama po i drejtohet në këto momente Këshillit Komunal të Preshevës. Pikërisht aty do ti dorô7zohet kryeministrit shqiptar edhe titulli “Qytetar nderi i Preshevës”.
BLLOKOHEN PER 40 MINUTA GAZETARET SHQIPTARE
Por pak orë para mbërritjes së Ramës në Luginë janë shënuar edhe incidentet e para. Mësohet se policia serbe ka bllokuar për rreth 40 minuta autobusin me 28 gazetarë dhe operatorë shqiptarë, rrugës për në Preshevë. Policia serbe nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet e bllokimit të autobusit me gazetarë dhe të gjitha automjeteve që udhëtonin në drejtim të Preshevës. Autobusi është lejuar të vijojë rrugën menjëherë pasi ka kaluar eskorta e kryeministrit Rama.
Në një komunikim telefonik në “News24″, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, G.Dervishi bëri të ditur se policia serbe ndaloi të gjitha makinat që udhëtonin drejt Preshevës, në mënyrë që të kalonte fillimisht eskorta dhe delegacioni shqiptar.
“Menjëherë sapo ka kaluar eskorta gazetarët janë lejuar të vazhdojnë rrugën. Janë ndaluar të gjitha makinat në mënyrë që të lihej e lirë autostrada që të kalonte eskorta e kryeministrit.”- deklaroi Dervishi.
JA AXHENDA E RAMES NE PRESHEVE
7:00 – Nisje për në Preshevë e delegacionit (dy vetura, një minivan).
11:00 – Mbërritje në Preshevë në sheshin “Liria” përpara godinës së këshillit komunal.
11:10 – Dalje në sheshin “Liria” dhe fjalim në podium.
11:30 – Shtrëngim duarsh me pjesëmarrësit dhe ecje në këmbë deri te materniteti i financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare, për të parë gjendjen e qendrës spitalore.
12:00 – Nisje për në restorantin “Rozafa”, rrugës për në Bujanovc. Drekë me personalitetet politike vendore.
14:30 – Mbërritje në Bujanovc dhe ndalesë në shkollën e mesme “Shezai Surroi”.
15:15 – Vizitë e shkurtër dhe përshëndetje në fabrikën “Protex”.
15:45 – Nisje për në pikën kufitare serbo- kosovare të Konculit.
16:10 – Mbërritje në Koncul dhe largim nga territori serb”
DEMTOHET POSTERI I RAMËS NË PRESHEVË
Ora 11:07- Mediat vendase kanë publikuar sëfundmi edhe foton e një posteri të kryeministrit Rama, me rastin e vizitës së tij në Preshevë, i cili është dëmtuar, pasi është qëlluar me bojë.
LIROHEN TË ARRESTUARIT
Ora 10:26- “Presheva Jonë”shkruan sot se të arrestuarit nga policia ishin punëtorët që vendosnin ndriçimet dhe flamujt për vizitën e kryeministrit. Nesër ata do të paraqiten në prokurori.
“Kapja për flamurin tregon se nuk çlirohesh nga hija jote…” tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, per mediat shqiptare nga Beogradi. Rama, këto komente i bëri per mediat shqiptare ne Tiranë kur u pyet nga gazetari se si komenton arrestimin e sotëm në Preshevë për vendosjen e flamujve kombëtar.
“Të kapesh me flamurin e tjetrit do të thotë që të mos çlirohesh nga hija jote”, ka pohuar Rama.
BLUSHI: NDALIMI I QELLIMSHEM
Ora 09:30- Sipas raportimit të gazetarit, njëherësh zv/kryeredaktorit të “Gazetës Shqiptare”, Tedi Blushi ndalimi është një incident i qëllimshëm që bën pala serbe. Sipas tij, gazetarët janë bllokuar pa ndonjë justifikim konkret e më pas janë lënë të udhëtojnë drejt Preshevës.
Blushi shton se pala serbe ka bllokuar autobusin me qëllim që gazetarët të mos pasqyrojnë situatën në Preshevë, atmosferën që mbizotëron dhe pritjen e shqiptarëve të atjeshëm për kryeministrin e Shqipërisë.
“Ne jemi nisur në orën 05:15 nga hoteli, ndërkohë që delegacioni shqiptar është nisur rreth 1 orë e 30 minuta pas nesh. Ne aktualisht ndodhemi të bllokuar prej 20 minutash në autostradë, në afërsi të Vranjës. Policia e ka ndalur autobusin pa argumente konkrete. Na thanë që duhet të kalojë delegacioni zyrtar, pastaj thanë që jeni nisur me vonesë, pastaj që autostrada është e mbyllur, por nuk na japing asnjë sqarim konkret. Aktualisht 28 gazetarë që po shkonim drejt Preshevës për të pritur kryeministrin Rama dhe për të parë entuziazmin atje ndodhemi të bllokuar”, raporton Blushi.
Ai shprehet më tej se, “Gazetarët shqiptarë po ndalohen të bëjnë misionin e tyre. Mendoj që ky bllokim është i qëllimshëm. Bashkë me ne po penalizohen edhe qytetarët e tjerë që vijnë me mjete pas nesh. Nuk na lënë të dalim jashtë ,as të filmojmë incidentin”, tha ai më tej.
PRESHEVË, POLICIA AKSION PËR HEQJEN E FLAMUJVE SHQIPTARË
Ora 09:20 – Në një aksion të ndërmarrë në orët e para të mëngjesit janë hequr të gjithë flamujt shqiptarë, të vendosur në shtyllat e rrugëve kryesore të Preshevës.
Dëshmitarët okularë bëjnë të ditur se flamujt janë hequr mëngjesin e së martës nga persona pa uniformë të cilët shoqëroheshin nga policia.
Një ditë më parë u shoqëruan në polici qytetarët që po dekoronin me flamuj kuq e zi rrugët e Preshevës.
Ndërkohë, Presheva është përfshirë nga një atmosferë e qetë, ndërsa policia është e pranishme në të gjitha vendet ku parashikohet të kalojë e qëndrojë kryeministri Edi Rama, sidomos në shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica”.
INCIDENTI PËR FLAMUJT
Ora 07:30- Ndërkohë që tensioni në Preshevë është rritur pas veprimit të policisë serbe, e cila ka arrestuar disa shqiptarë të Preshevës që po vendosnin flamuj dhe pankarta në muret e qytetit.
Dy persona, përkatësisht drejtuesi i një ndërmarrje shërbimesh dhe bashkëpunëtori i tij janë arrestuar nga autoritetet serbe.
Siç bën të ditur agjencia “Presheva Jonë”, ndërrmarja “Rrufeja” ishte kontraktuar nga komuna e Preshevës për vendosjen e flamujve kombëtarë në rrugën “15 Nëntori” në Preshevë, nga gjimnazi “Skenderbeu” e deri tek qendra, para komunës në sheshin e dëshmorëve të UÇPM-së. Dy personat e arrestuar po mbahen në stacionin policor të Preshevës.
MEDIAT SERBE
Ora 07:15- Mediat serbe e kanë quajtur provokim vendimin e Ramës për të vizituar Luginën e Preshevës. Shkrime mbi vizitën e Ramës në Preshevë kanë nisur që prej javës së kaluar në mediet e Serbisë, por po ashtu dhe në ato kosovare.
Sipas raportimeve të djeshme të agjencisë serbe të lajmeve “B92″, kryeministri shqiptar, Edi Rama nuk do të organizojë tubim, edhe pse do të vizitojë Preshevën. “B92″ shkruan se Rama do të zhvillojë vetëm një takim të shkurtër me udhëheqësit politikë vendas.
RAMA-VUCIC DEBAT PER KOSOVEN
Ora 07:00- Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në Beograd se pavarësia e Kosovës është tashmë një realitet i patjetërsueshëm, ndërsa ftoi Serbinë ta njohë atë si shtet, me qëllim normalizimin e situatës në rajon. Menjëherë pas kësaj deklarate, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç e ka cilësuar atë si provokim. Ai madje nuk nguroi të bënte deklarata emocianale si “Nuk lejoj askën ta ulë Serbinë në Beograd, apo ‘Kosova është e jona”.
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)