Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se modeli për zgjidhjen e situatës në Luginën e Preshevës është ai që zbatohet për pakicat serbe në Kosovë.Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të martën se me gjithë dallimet e thella me Serbinë, tashmë është hapur një faqe e re historie mes dy vendeve dhe është marrë përsipër përgjegjësia që të mos lejohet më që gjenerata e re e shqiptarëve, por edhe e serbëve, të trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të së shkuarës.
Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në luginën e Preshevës, një zonë e banuar me shumicë shqiptare në pjesën jugore të Serbisë.
Pllakate të mëdha me mbishkrimin “Mirë se vjen kryeministër”, janë vendosur nëpër rrugët e Preshevës, prej nga forcat e policisë serbe kanë hequr flamujt kombëtar shqiptar që ishin vendosur të hënën nga autoritetet lokale.
Kryeministri Rama u takua me udhëheqësit lokal në Preshevë ku u nderua me titullin Qytetar nderi. Ai i siguroi qytetarët e mbledhur për ta pritur në Preshevës se qeveria e tij nuk do të “rresht së punuari për rilindjen e Shqipërisë dhe për rilindjen e shqiptarëve kudo që jetojnë”.
Ai tha se nuk sheh asnjë arsye që shqiptarët e Luginës të mos kenë të drejtat e njëjta sikurse edhe serbët në veriun e Kosovës. Duke i cilësuar pakicat kombëtare si ura lidhëse mes vendeve, kryeministri tha se “për të qenë evropianë deri në fund, nuk mjafton të flasim gjuhën e Brukselit, por duhet t’u jepet mundësia pakicave që lirisht të mësojnë gjuhën e tyre”.
Ai tha se me Beogradi është arritur marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave të të dyja vendeve, ndërsa u zotua për shtimin e numrit të studentëve nga Lugina e Preshevës që mund të ndjekin studimet në Tiranë.
Ai u përplas të hënën me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç për shkak të Kosovës. Mikpritësi serb e cilësoi si provokim deklaratën e kryeministrit Rama se “pavarësia e Kosovës është realitet i pamohueshëm, i cili duhet respektuar si i tillë” dhe se “pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm”.
Kryeministri Rama tha se “shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë, diçka që i takon tjetrit, sepse shqiptarët nuk kanë rënë kurrë në kurthin e nacionalizmit, i cili e bën njeriun të verbër për të hapur luftëra, jo për lirinë e vet, por për të mos e lënë tjetrin të lirë. Dhe sepse shqiptarët, kanë ditur, instinktivisht, si komb, që të dallojnë rrugën qorre të nacionalizmit primitiv, me rrugën e patriotizmit evropian”.
Ai u tha qytetarëve të Preshevës se shqiptarët sot janë në pozitën më të mirë në historinë e tyre, dhe “kjo ka ardhur si rezultat i të qenit njerëz të besës, me aleatët tanë të mëdhenj strategjik, me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian”.
Vizita e zotit Rama në Beograd shënon të parën të një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej 68 vjetësh, ndërsa është zyrtari i parë i nivelit të lartë në gjithë historinë që viziton luginën e Preshevës.
Udhëheqësit politik të Luginës thonë se situata vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në atë zonë. (voa)