Ukraina njoftoi të enjten se ka zmbrapsur avancimet ruse përgjatë vijës së frontit ku po zhvillohen luftime në Ukrainën lindore dhe jugore, duke i lënë luftimet në një fazë ngërçi vetëm një ditë përpara se të mbushet një vit nga fillimi i sulmit të forcave ruse.
Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, shumë larg kjo parashikimit për një pushtim masiv, që shumë analistë parashikuan se do të ndodhte një vit më parë kur tanket ruse hynë në pjesën lindore të Ukrainës.
Në luftimet më të fundit, forcat ruse kanë bërë përparim në përpjekjet për të rrethuar Bakhmutin. Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Gjeneral Brigade Oleksiy Gromov tha se Moska po përpiqet të përdorë avantazhin e saj në burime njerëzore për të lodhur forcat e Kievit.
“Megjithë humbjet domethënëse, armiku nuk po heq dorë nga përpjekjet për të rrethuar Bakhmutin”, tha ai.
Por, Ukraina thotë se forcat ruse nuk kanë arritur të çajnë përmes vijës mbrojtëse ukrainase në veri, pranë Kreminnas dhe në jug në Vuhledar, ku kanë pësuar humbje të mëdha në një terren të hapur.
Gjenerali Gromov tha se forcat ukrainase zmbrapsën 90 sulme ruse në verilindje dhe në lindje gjatë 24 orëve të fundit.
Ukraina thotë se i ka mbyllur disa shkolla për shkak të përvjetorit të parë të luftës të premten, për t’i paraprirë një sulmi me raketa me rreze të gjatë që Moska mund të urdhërojë për të shënuar këtë ditë. Sidoqoftë, zyrtarët ukrainas thonë se ata mendojnë se Moska nuk ka më kapacitetet për një demonstrim dramatik force, siç ishte menduar më parë.
“Asgjë e pazakontë nuk do të ndodhë. Përpjekjet e zakonshme (ruse)… Planifikohet një sulmi i vogël me raketa”, tha kreu i zbulimit të ushtrisë ukrainase Kyrylo Budanov, për faqen e lajmeve në internet Ukrainska Pravda. “Besomëni, e kemi përjetuar këtë mbi 20 herë”.
Paralajmërimi amerikan
Megjithatë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë i dërgoi një paralajmërim shtetasve amerikanë që gjenden në vend, për rrezikun e sulmeve me raketa në mbarë Ukrainën, përfshirë Kievin dhe rajonin përreth.
Paralajmërimi i bën thirrje shtetasve amerikanë “të ndjekin me vëmendje alarmet për sulm ajror, të gjejnë një vendstrehim të përshtatshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore”.
Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin u mburr për arsenalin bërthamor të vendit të tij, dhe njoftoi planet për të dislokuar këtë vit raketat balistike ndërkontinentale Sarmat, që mbartin disa mbushje njëkohësisht. Më herët këtë javë, ai pezulloi pjesëmarrjen e Rusisë në traktatin e ri START të armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara, që ishte traktati i fundit në fuqi i kësaj natyre.
Rusia do të “kushtojë vëmendje gjithnjë e më në rritje për të forcuar triadën bërthamore”, u shpreh zoti Putin në një fjalim të zbardhur nga Kremlini, duke iu referuar “triadës” së raketave bërthamore në tokë, det dhe ajër.
Një ditë pasi Spanja njoftoi se do të dërgonte në Ukrainë tanke të prodhimit gjerman Leopard 2A4, edhe Finlanda njoftoi se do të dërgojë tre tanke të tilla.
Tanket gjermane janë pjesë e një vale tankesh që do t’i dërgohen Ukrainës, pasi u kërkuan nga zyrtarët ukrainas për të ndihmuar në përballjen me forcat ruse.
Gjermania rezistoi fillimisht që të autorizonte transferimin e tankeve, për shkak të shqetësimeve për një përshkallëzim të luftës, por u ka thënë vendeve aleate që kanë tanke të tilla se mund t’i dërgojnë ato lirisht në Ukrainë.
* Disa nga të dhënat për këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve Agence France-Presse dhe Reuters.