Sot dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, Kuvendi mban seancë solemne

KuvendiAktivitetet për shënimin e përvjetorit të 25-të të kësaj ngjarjeje historike që nisin dje më 5 mars do të vazhdojnë më sot dhe nesër kur edhe përfundojnë me atë që quhet `nata e zjarreve`.

 

Sot, me 6 mars do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, do të bëhen Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz si dhe do të mbahet një akademi përkujtimore.

Në ditën e tretë të Epopesë, dhe e fundit, me 7 mars, duke filluar nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Kosovë, duke vazhduar me manifestimin “Nata e Zjarreve” në Prekaz që shënon edhe përmbylljen e manifestimit gjithëpopullor, Epopesë së UÇK-së.

Dje u shënuat 25 vjetori i rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij. Në përvjetorin të 25-të të kësaj ngjarjeje historike, u mbajt parada e FSK-së, ku Kuadratet e Ushtrisë së Kosovës u rreshtuan në nderim të ,,Epopesë së UÇK-së”. Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UÇK-Së, nderime pranë Obeliskut të Lirisë, si simbol i nderimit të epopesë së UÇK-së, bënë ushtarakët, komandantja supreme, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Ngjarjet e fillim marsit të vitit 1998 do të mbeten një dëshmi e gjallë për botën perëndimorë dhe për vetë historinë e Kosovës. Më 5 mars të vitit 1998, forcat paramilitare e ushtarake serbe rrethuan Jasharajt dhe Prekazin duke hasur në rezistencë nga familja Jashari të cilët nuk kursyen asgjë në mbrojtje të vendit.

Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht me 6 mars 1998, luftimet po ashpërsoheshin, derisa dita e tretë e sulmit, me 7 mars 1998, konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së.

Nga këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit, 55 persona, shumica anëtarë të familjes Jashari.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>