Dosja sekrete të UDB-së, Shërbimit Sekret Jugosllav, në vitet 1944-1953. Në këtë dosje janë përfshirë të dhëna të hollësishme për grupet shqiptare që vepronin në Itali, Greqi, Austri, Gjermani, Francë, Angli, Turqi, Siri, Liban, Egjipt, SHBA, Kanada, Australi, Zelande e Re dhe Brazil.
Dosja e UDB-së, e përshkruan emigracionin shqiptar se mori një karakter politik, kryesisht gjatë Luftës së Parë Botërore, posaçërisht me daljen në skenë të vëllezërve Frashëri, Ismail Qemal Vlorës, Mihal Gramenos, Çerçiz Topullit dhe të trimave të tjerë të kombit shqiptar, që luftuan kundër pushtuesve të huaj.
“Edhe gjatë kohës së sundimit të Zogut, nga viti 1924, shqiptarët e vazhduan luftën politike jashtë shtetit kundër Zogut”, vijon raporti i shërbimit sekret jugosllav. Aty thuhet se Fan Noli, kryetar i atëhershëm i qeverisë shqiptare, u arratis së bashku me miqtë e tij, fillimisht në Austri dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara, ku u vendos në Boston.
UBD-ja përshkruan se, kur në vitin 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, mbreti Zog me ithtarët e vet, u vendos në Kajro, ku formoi shtabin e grupit të tij monarkist “Legaliteti”. Ndërsa, në kohën e çlirimit të plotë të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj, në fund të vitit 1944, rreth 4 mijë shqiptare, që i ikën Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Shqipërisë, u arratisën se bashku me trupat okupuese gjermane në Itali, Austri dhe Gjermani.
Ndër ta, sipas UDB-së, ishin disa nga liderët shqiptarë – bashkëpunëtorë të okupatorit, bashkë me ithtarët e tyre, si nëpunësit e mesëm dhe të ulët të aparatit të okupatorit. Shumica e tyre iku, nëpërmjet Dalmacisë, në Austri, nga autoritetet perëndimore, i transferuan në kampet në Itali. Një numër i vogël iku në Itali nëpërmjet detit. Pjesa më e madhe e tyre, u vendos në Romë, Bari, Napoli, etj., qytete këto që kishin në afërsi kampe, për pranimin e refugjatëve të ardhur nga vendet e Evropës Lindore.
Emigracioni shqiptar në Itali, në periudhën mes dy luftërave botërore
Në dallim nga emigracioni i parë shqiptar, i cili pothuajse është italianizuar, emigracioni shqiptar i pas Luftës së Parë Botërore, dallohet për luftën e vet politike, posaçërisht pas ikjes së Fan Nolit dhe ardhjes në pushtet të Mbretit Zog. Emigracioni shqiptar në Itali, ishte politikisht shumë i trazuar.
Por sidoqoftë, ne do të përqendrohemi në veprimtarinë e asaj pjese të emigracionit të atëhershëm, i cili zhvillonte që nga Italia veprimtari kundër sundimit të Mbretit Zog, pavarësisht nga disponimi pro-italian që kishte vetë Zogu.
Emigracioni shqiptar në Itali, përbëhej nga rryma të shumta politike, që s’arrinin dot të koordinonin veprimtarinë e tyre. Secila, sipas mënyrës së vetë, punonte kundër Zogut, por pa arritur të zhduknin dot mospajtimet, të cilat shkonin shpesh deri në qërim të hapur hesapesh. Kështu, në Brindisi iu bë atentat kolonel Shefqet Korçës.
Shefqeti, që ishte kundërshtar i Zogut, gëzonte simpati të madhe te ushtria shqiptare. Në këtë rast, emigrantët shqiptarë fajësuan qeverinë italiane që s’kishte bërë hetimet e duhura, njëlloj si dhe në rastin e vrasjes së Luigj Gurakuqit, ish-ministrit të Financave në qeverinë e Fan Nolit, nga Ubaldo Stambolla.
Në këtë aferë, ishte përfshirë edhe Konsulli Shqiptar në Bari, Serreqi. Të gjitha këto rrethana, lidhen me lojën e dyfishtë që bënte qeveria e atëhershme italiane, e cila ndërkohë që e kishte Zogun pothuajse nën kontroll, vazhdonte ta mbante emigracionin antizogist si një garniturë rezervë, për ta mbajtur Zogun vazhdimisht nën presion.
Emigrantët shqiptarë, si: Eqerem Telhaj, Qazim Koculi dhe Shefqet Korça (para se të vritej), zhvillonin në Brindizi një luftë të hapur kundër Bankës së atëhershme Kombëtare Shqiptare, e cila aso kohë, përbënte një ndër mjetet me të rëndësishme të penetrimit italian në Shqipëri. Ndër emrat më të rëndësishëm të emigrantëve shqiptare në Itali, duhet përmendur Koço Tasi, i cili mbante lidhjet me emigrantët shqiptarë në Greqi, posaçërisht me vorio-epirotët. Atëherë flitej se Tasi, pretendonte postin e kryetarit të organizatës së tyre.
Pas Tases, vend të rëndësishëm në jetën politike zuri Ali Këlcyra, i cili në atë kohë qëndronte në Greqi dhe udhëtonte shpesh në Athinë, si dhe në ishullin e Korfuzit. Ai ka qenë shumë aktiv dhe u mor sidomos me çështjen e sjelljes në Shqipëri të princit turk Omer Faruk, gjë që do të mbështetej nga pothuajse gjithë nacionalistët e Shqipërisë, duke bërë kësisoj të mundur rrëzimin e regjimit të Zogut dhe çlirimin nga ndikimi italian. Në Itali, gjithashtu, ka qëndruar Myftar Libohova, ministër në qeverinë e Fan Nolit. Ai ka qenë i lidhur ngushtë me italianët.
Zogu, në mënyra të ndryshme, provoi të pajtohej me emigrantët, posaçërisht me ata në Itali. Ai i ftoi ata shumë herë që të ktheheshin në vend, duke u premtuar se s’do t’u ndodhe asgjë. Mirëpo, emigrantët nuk kishin besim tek Zogu, ngaqë ai kishte vrarë shumë atdhetarë dhe gjykonin, se as qeveria e as senati nuk qenë në gjendje t’u garantonin jetën.
Ndërkohë Zogu punoi me të gjitha forcat për shkatërrimin e emigracionit. Si për pajtimin me emigracionin, ashtu dhe për shkatërrimin e tij, punuan njerëz me ndikim të madh, nën udhëheqjen e vetë Zogut. Në këtë drejtim, kanë punuar Eshref Beg Frashëri, Bajram Fevziu, etj. Miku i Zogut, Mehmet Bej Konica, u caktua në atë kohë ambasador në Romë. Me rastin e një udhëtimi që bëri në Bari dhe Brindizi, ai zhvilloi takime me emigrantët, duke u përpjekur t’i pajtonte me Zogun. Në këto bisedime nuk u lejua të merrnin pjesë Mustafa Kruja dhe Qazim Koculi.
Pas këtij takimi, një numër i vogël emigrantësh, u kthyen në Shqipëri, ndër ta Qazim Kokoshi (i cili e kishte marrë ftesën e Zogut nëpërmjet të vëllait, Hasan Kokoshit, i cili kishte patur një takim me Zogun, së bashku me disa njerëz me reputacion nga Vlora).
Zogu këmbëngulte që, të gjithë emigrantët të ktheheshin, ndërsa atyre që nuk dëshironin të ktheheshin, u premtonte t’u lidhte ndihmë të përhershme mujore, me kusht që së paku të largoheshin nga Italia. Qeveria italiane mori masa për të penguar këto plane të Zogut. Një numër i konsiderueshëm emigrantësh u plagosën. Në Bari u plagosën disa, nga rrethinat e Gjirokastrës.
Në Sarandë u burgos Islam Bej Prishtina, Kryetar i Komunës së Këlcyrës, xhaxhai i Ali Këlcyrës së njohur, me tej Neki Starova, ish-prefekt i Pogradecit, ish-deputeti popullor, Xhelal Koprencka, ish-nënkoloneli Hysni Lepenica, si dhe Beqir Syla, etj.
Këto burgosje nxitën madje dhe një debat në Parlamentin italian, ku disa deputetë italianë, kërkuan në interpelancë ministrin e Punëve të Jashtme. Qeveria italiane e informoi Parlamentin se burgosjet ishin bërë për arsye të sigurisë me “karakter lokal”.
Emigracioni shqiptar në Itali ka luajtur një rol të konsiderueshëm dhe në kryengritjen që shpërtheu kundër Zogut më 20 nëntor 1926, në rrethinat e Shkodrës. Kryengritjen e udhëhoqi një farë Don Loro Gjoka. Emigrantët në Itali, edhe pse e gjykonin këtë kryengritje të parakohshme, kur ajo shpërtheu, nga Zara dhe Brindizi, premtuan se do ta ndihmonin.
Në këtë kryengritje morën pjesë disa emigrantë, që erdhën nga Italia me anijen “Molfeta”. Edhe pse Zogu arriti ta thyente aksionin e Don Loro Gjokës dhe të tjerëve, të cilët nxitën kryengritjen në fiset e Pukës dhe të Mirditës e bënë luftime të ashpra për Shkodrën, emigrantët në Itali, vazhduan t’u dërgonin ndihmë dhe përkrahje kryengritësve.
Në ditët e para të dhjetorit të vitit 1926, u hetua njëfarë veprimtarie e emigracionit në ishullin e Korfuzit, me siguri nën ndikimin e kryengritjes që përmendëm. Udhëheqësi i emigracionit shqiptar në Korfuz, ishte Xhavit Leskoviku. U vendosën lidhjet mes këtij emigracioni dhe atij në Itali. Qeveria e Zogut mori masa sigurie, duke i lënë në dorë të lirë komandës së xhandarmërisë së Zonës Jugore, të komanduar Hysni Dema. Xhandarmëria mori përforcime, ndërkaq pushteti rekuizoi kamionë për nevoja të veta. Në atë sektor, pati dhe burgosje masive.
Qeveria e Serbo-Slloveno-Kroate dhe Shërbimi Informativ Jugosllav, treguan interesim të madh për emigracionin shqiptar, veçanërisht për atë të Italisë. Konsulli i atëhershëm jugosllav në Bari (1926), mori 4.000 monedha ari për të ndihmuar emigracionin shqiptar. Në atë kohë, agjentët jugosllave filluan një propagandë të rreptë për t’i bindur emigrantët shqiptarë të pranonin ndihmën mujore që u ofronte Beogradi, për t’i lidhur pas vetes.
Në këtë propaganda, u dallua në Itali veçanërisht Doktor Anton Sadedini, që vepronte sipas porosisë së marrë nga ministri fuqiplotë jugosllav në Romë, Baluxhiq. Rrethanat jashtëzakonisht të vështira që ekzistonin në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore, tatimet dhe taksat e mëdha, korrupsioni, arbitrariteti i xhandarmërisë, varësia ekonomike e vendit për shkak të financave të paorganizuara, luksi i Zogut, etj.
Këto, e çuan vendin në vartësi të plotë nga fuqitë e huaja, sidomos nga Italia. E gjithë kjo ishte në dobi të emigracionit politik jashtë shtetit, i cili zhvillonte aktivitet të plotë, me gjithë ndonjë sukses të Zogut dhe “pajtimin” e njerëzve të veçantë me të.
Emigracioni në Itali, pas Luftës së Dytë Botërore
Penetrimi italian në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore, u krye nëpërmjet të gjitha poreve të jetës politike, ekonomike dhe publike, prandaj si pasojë, një numër i konsiderueshëm njerëzish u lidhën politikisht apo ekonomikisht me Italinë, shumë shqiptarë studiuan në shkollat e mesme dhe të larta italiane, apo në akademi ushtarake.
E gjithë kjo kushtëzoi, në çaste të ndryshme politike, emigrimin e një numri të konsiderueshëm njerëzish në Itali. Kjo mori përmasa të mëdha sidomos pas kapitullimit të Italisë në Luftën e Dytë Botërore, apo pas përfundimit të luftës. Në periudhën 1943-1945, në Itali emigroi një numër i madh shqiptarësh, shumica bashkëpunëtorë të italianëve dhe kundërshtarë të Lëvizjes Çlirimtare Popullore të Shqipërisë.
Emigrantët shqiptarë në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. jetuan nëpër kampet e ngritura nga IRO, në Itali; numri më i madh i tyre ishte në kampin “Reggio Emilia”. Anglo-amerikanët i lanë të lirë një pjesë të emigrantëve, ndër të cilët dhe 80-të ish-funksionarë të lartë gjatë kohës së pushtimit, të shpallur “kriminelë lufte”.
Tani emigrantët shqiptarë jetojnë kryesisht në këto qytete: Në Romë, jetojnë kryesisht njerëz me reputacion dhe udhëheqës të partive dhe të rrymave politike në emigracion. Mund të thuhet pa frikë se, pjesa më e madhe e emigracionit politik shqiptar, është përqendruar në Romë. Në Bari, krahas një pjesë të vogël emigrantësh, jetojnë shqiptarë të tjerë – afaristë, tregtarë, të cilat kanë me siguri një farë kapitali, ose para që i kanë marrë me vete kur kanë emigruar.
Në Napoli, në kampet dhe qendrat e pranimit përreth tij, vazhdojnë të qëndrojnë një numër i konsiderueshëm emigrantësh, të cilët nuk janë transferuar ende në shtete të tjera, por as nuk janë liruar, ngaqë nuk kanë kushtet e mjaftueshme për të siguruar ekzistencën. Në Firence dhe Milano, jetojnë kryesisht studentë, që vazhdojnë aty studimet, por dhe një numër i vogël tregtarësh, të cilët materialisht qëndrojnë shumë mirë.
Tani në Itali, jetojnë rreth 200-300 emigrantë shqiptarë, ndërkohë që numri i tyre më parë ka qenë rreth 800, duke llogaritur veç të ikurve gjatë okupacionit, apo pas çlirimit të Shqipërisë, dhe ata që u ndodhën aty pas kapitullimit të Italisë, si studentë apo tregtarë.
Të gjithë emigrantët shqiptarë në Itali, me përjashtim të një numri të vogël, bëjnë jetë mjaft të vështirë. Një pjesë të emigrantëve i ka ndihmuar IRO-ja, pjesën tjetër e ndihmuan tregtarët, që kanë punëtoritë dhe ndërmarrjet e tyre, por pjesa me e madhe e emigracionit është lënë në mëshirë të fatit.
Ky çast, ka qenë vendimtar në pjesën dhe ekzistencën e shqiptarëve në Itali, kjo është dhe arsyeja përse pjesa më e madhe e tyre ka shkuar në SHBA-ës, Australi dhe në vendet e Lindjes së Mesme. Në SHBA-ës dhe në Australi, shkuan më së shumti ortodoksët, ndërkaq një pjesë e vogël e myslimanëve, shkoi në vendet arabe. Jetojnë mirë vetëm udhëheqësit e Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Por dhe mjaft emigrantë me reputacion, gjenden në një pozitë të vështirë.
Plaku Gjon Marka Gjoni me të birin, bëjnë jetë mjaft të vështirë, jetojnë në një banesë krejt të papërshtatshme, vishen keq, pinë duhanin më të keq, jetojnë pra, duke u mbajtur vetëm nga miqtë. Kolë Bibë Mirakaj, deri para pak kohësh jetonte më lëmoshat e një manastiri. Para disa muajsh, u largua që aty dhe kërkoi që ta punësonin në një magazinë, që ende nuk është përfunduar. Ai jeton në varfërinë më të madhe, ndër gjithë anëtarët e “Bllokut Indipendent”. Bëjnë jetë të mire, vetëm Ismail Vërlaci, në sajë të pasurisë që solli më vete i ati në Itali, si dhe Ernest Koliqi, në sajë të punës që ka.
Qeveria italiane, deri tani s’ka bërë asgjë për të ndihmuar emigracionin shqiptar, madje s’ka zgjidhur as punësimin e tyre, sepse në Itali, nuk ka punë për emigrantët. Deri në sh’formimin e saj, IRO-ja, i ndihmoi emigracionit shqiptar, duke e vendosur nëpër kampe, ndërkaq pas shformimit të saj, emigracioni mbeti rrugëve, pa kurrfarë kujdesi, prandaj dhe u shtrëngua të shpërngulej në vende të tjera.
Mirëpo, organet e Qeverisë italiane edhe më tej vazhdojnë të interesohen gjallërisht për emigracionin shqiptar. Shumica e liderve shqiptare që kishin qenë të lidhur me Italinë, vazhdojnë edhe tani të mbajnë kontakte të vazhdueshme me disa funksionarë italianë.
Disa prej tyre, janë në kontakt të vazhdueshme me disa funksionarë italianë. Disa prej tyre janë në kontakt me pallatin “Chiggi” (Qeveria italiane). Kështu, para jo shumë kohë, në pallatin Kixhi, u priten Sait Kryeziu, Ekrem Telhaj dhe Asllan Koçi. Sivjet këto lidhje, janë përforcuar edhe më, ç’ka mund ta lidhim me marrëdhëniet e shtetit tonë me Italianë.
Italianët nuk mund të pajtohen me ata që në të kaluarën kanë qenë kundërshtarë të italianëve, apo që mbetën të tillë. Kështu në muajin prill 1952, u zhvillua procesi kundër emigrantit shqiptar, Xhelal Staravecka, i akuzuar për vrasjen gjatë kohës së luftës të 100 karabinierëve italianë, si dhe të kolonel Gamucci-t.
Xhelal Staravecka, ka kryer Akademinë Ushtarakë në Tiranë, gjatë kohës së Zogut dhe ka qenë oficer i Ushtrisë Shqiptare. Më 1941-in, ka qenë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare, mirëpo duke e ndjerë veten të mënjanuar, doli nga kjo parti dhe më pas u emërua komandant i Xhandarmërisë në Tiranë.
Në Itali, veprojnë disa parti dhe grupe politike të emigracionit shqiptar. Më i rëndësishmi ndër to, është Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, i formuar në gusht të vitit 1949, me nismën e anglo-amerikanëve; pastaj “Blloku Kombëtar Indipendent”, i formuar më 1946-ën, me ndihmën e italianëve dhe të Vatikanit.
memorie