Panairi i Hanoverit: Industria kërkon kushte më të mira

Panairi i HanoveritPër herë të parë që nga viti 2019, Panairi Industrial i Hanoverit mbahet pa kufizime. Sipërmarrjet gjermane janë të shqetësuara për Gjermaninë si zonë industriale. BDI vazhdon ta shohë Kinën si një treg kryesor.

 

Industria gjermane dëshiron të vazhdojë tregtinë me Kinën. “Të diversifikojmë nuk do të thotë të shkëputemi nga Kina, por të reduktojmë dhe kapërcejmë në mënyrë ideale varësitë e njëanshme”, tha presidenti i Federatës së Industrisë Gjermane (BDI), Siegfried Russwurm të hënën në panairin më të madh industrial në botë, panairin e Hanoverit. Vendi partner i këtij viti është Indonezia. “Kina është dhe do të mbetet një treg kryesor për sipërmarrjet gjermane.” Ekziston një konsensus mjaft i gjerë se industria dhe ekonomia gjermane kanë nevojë për Kinën. Ajo që është shqetësuese është mbështetja për materialet dhe komponentët kritikë. “Kjo nuk është diçka që mund të ndryshojë brenda një viti”.

 

Industria gjermane humbet pjesë në tregun botëror

Në panairin industrial, Russwurm paralajmëroi për humbjet e Gjermanisë në konkurrencën globale. “Dinamika ekonomike e vendit tonë aktualisht është ende shumë e dobët”. Shoqata e tij pret një rritje prej dy për qind të eksporteve në vitin 2023. Kjo është sigurisht dy herë më shumë se parashikimi i BDI në fillim të vitit, por rritje më e ulët se në 2021 dhe 2022. Tregtia botërore do të rritet këtë vit me 2.5 për qind, më shumë sesa eksportet “Made in Germany”. “Edhe një herë ne po humbasim pjesë në tregun global, sepse tregtia botërore po rritet më shpejt se eksportet tona – konkurrueshmëria e Gjermanisë po dobësohet.” Prodhimi në industrinë e prodhimit pritet të rritet me rreth një për qind në vitin 2023, pas rënies me gjysmë për qind në vitin 2022.

 

Edhe sipërmarrjet e mesme investojnë më shumë jashtë vendit

“Për të investuar më shumë, industria që dëshiron të investojë masivisht ka nevojë për ulje të burokracisë, ulje të ndjeshme të taksave dhe furnizim të besueshëm dhe të përballueshëm me energji”, nënvizoi presidenti i BDI-së. Çmimi i lartë i energjisë elektrike industriale duhet të kthehet urgjentisht në një nivel konkurrues evropian, shtoi ai. Sipërmarrjet gjermane bëjnë investime të konsiderueshme jashtë Gjermanisë. Kjo nuk vlen vetëm për ato shumëkombëshe, por edhe për shumë sipërmarrje të mesme. Bizneset familjare gjithashtu thanë se diferenca në kostot e energjisë ishte shumë e madhe.

Ndërtuesit gjermanë të makinave paraqesin një tablo të përzierë. Kështu, këto sipërmarrje arritën një rritje të prodhimit prej 3.2 për qind në dy muajt e parë të vitit 2023, sipas Shoqatës Gjermane të Ndërtuesve të Makinave dhe Fabrikave (VDMA). Deri në vitin 2022, prodhuesit e makinerive “Made in Germany” shënuan një rritje prej 0.5 për qind. Shoqata, megjithatë, konfirmoi parashikimin e saj se pret një rënie prej dy për qind për vitin aktual. “Përmirësimi i lehtë aktual i mjedisit ekonomik do të ndikojë me vonesë vetëm në marrjen e porosive dhe në qarkullimin e degës”, deklaroi Karl Haeusgen, President i VDMA.

 

Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar – problem i madh

Fakti që pengesat në zinxhirët e furnizimit janë zbutur ndjeshëm është një pikë pozitive. Ky sektor, i përbërë kryesisht nga SME-të, por që gjithashtu përfshin kompani të tilla si Thyssenkrupp dhe Siemens, është një shtyllë e ekonomisë gjermane. Në fund të vitit të kaluar, në këto sipwrmarrje ishin të punësuar 1018 milionë persona, një rritje prej 1,1 për qind krahasuar me një vit më parë. “Shumë kompani deshën të punësonin edhe më shumë punonjës, por ato janë frenuar nga pengesat në tregun e punës,” tha Haeusgen. Sipas anketës aktuale, mungesa e fuqisë punëtore është sfida më e madhe në këtë sektor. Sipas këtij sondazhi, pesë për qind e pozicioneve të specialistëve nuk janë plotësuar në një periudhë gjashtëmujore. Llogaritur në bazë të një milion punonjësve, kjo do të përfaqësonte rreth 50.000 vende pune.

Industria elektrike dhe digjitale kanë lajme pozitive. Pas rritjeve në fillim të vitit, kjo industri i ka rishikuar duke i rritur parashikimet e saj për vitin në tërësi. Prodhimi aktual real u rrit me gjashtë për qind në dy muajt e parë të vitit, siç njoftoi shoqata tregtare ZVEI në panairin e Hanoverit. Për vitin në tërësi pritet një rritje prej një deri në dy për qind. Deri tani, sipërmarrjet kishin llogaritur një rritje zero. Bizneset kanë përfituar nga megatrendet e elektrifikimit dhe digjitalizimit. Për herë të parë në një çerek shekulli, kjo degë në Gjermani ka më shumë se 900.000 punonjës. Në total numri është rreth 902.000 punonjës.

aud/hb(rtr)

 

Në Hanover hap dyert panairi më i madh i industrisë në botë

 

Në Hanover hap dyert panairi më i madh i industrisë në botë. Në fokus të panairit mundësitë e inteligjencës artificiale për të zgjidhur problemet që kërcënojnë ekonominë botërore.

 

Mbi 4,000 ekspozues nga 63 vende vijnë këtë vit në Hannover për të prezantuar teknologjitë më të fundit nga fushat e teknologjisë elektrike apo digjitale dhe nga fushat e ndyrshme inxhinierike.

Panairi i vitit 2023 që hap dyert sot (16.04) zhvillohet në sfondin e mungesës së energjisë dhe të fuqisë punëtore, ndëkohë që përfaqësuesit e industrialë po përpiqen të nxisin sa më shumë procesin e digjitalizimit dhe të heqin dorë nga përdorimi i karburanteve fosile. Inteligjenca artificiale apo teknologjitë që përdorin hidrogjenin janë disa nga temat kryesore të panairit të këtij viti, tema e së cilit është “Zgjidhje për të përballuar sfidat e kohës sonë”.

“Vetëm duke ndërthurur këto teknologji do të jetë e mundur të sigurojmë në mënyrë të qëndrueshme mirëqënien tonë dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike,” tha në një deklaratë për shtyp në prag të hapjes së panarit Dr. Jochen Köckler, kryetar i bordit drejtues të Deutsche Messe, organizatores së panairit.

 

Teknologji ekologjike

Më shumë se 300 kompani nga 25 vende kanë ardhur në panair për të prezantuar zgjidhje dhe teknologji të gjelbra që lidhen me përdorimin e hidrogjenit.

Këto teknologji mendohet se mund të ofrojnë një alternativë ndaj karburanteve fosile që ngrohin atmosferën. Industritë e rënda si ato të prodhimit të çelikut apo të çimentos kërkojnë nxehtësi ekstreme dhe për këtë arsye kanë nevojë për sasi të mëdha energjie, e cila shpesh prodhohet nga qymyri prej djegies së të cilit shkaktohen sasi të mëdha karboni.

 

Indonezia prezanton ambiciet e saj industriale

Shumica e ekspozuesve në panairin e sivjetshëm janë nga Gjermania, Kina, Italia, Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Indonezia.

Indonezia është vendi partner i panairit të këtij viti. Fillimisht ishte planifikuar që Indonezia do të ishte vend partner i panairit në vitin 2020, por ai u anulua për shkak të pandemisë së virusit korona.

Indonezia është vendi i katërt për nga popullësia në botë dhe fuqia më e madhe ekonomike në rajonin e ASEAN-it.

Nën moton “Making Indonesia 4.0″ ky vend do të prezantojë ekspertizën dhe ambiciet në rritje që ka në fushat e digjitalizimit dhe të industrializimit. Indonezia synon që deri në vitin 2030 të bëjë pjesë ndër 10 ekonomitë më të forta në botë.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>