Bashkimi Evropian u shpreh të enjten i shqetësuar me kërkesën e komunës së Mitrovicës së Veriut për lirimin e një ndërtese komunale nga punonjësit e strukturave serbe, duke theksuar se një kërkesë e tillë bie ndesh me përpjekjet për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Autoritetet komunale në Mitrovicën e Veriut, të cilat nuk pranohen nga përfaqësuesit serbë, thanë se i kanë dorëzuar nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiç, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” një ndërtesë në pronësi të komunës, nëse nuk sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm për shfrytëzimin e saj.
Lista Serbe tha përmes një deklarate se punonjësit e institucioneve të Serbisë janë njoftuar se duhet të largohen nga brenda tri ditësh nga ndërtesa, duke e cilësuar këtë një veprim që mund të rrisë tensionet.
“Jemi të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ndërsa ritheksoi kërkesat për bashkërendim për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës.
Në ndërtesën e diskutueshme veprojnë katër institucione që financohen nga qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe i ashtuquajturi Qarku Administrativ i Mitrovicës.
Zëdhënësi i BE-së tha se “çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të trajtohet në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe në kontekstin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Ai theksoi rëndësinë e hapave që duhet të hidhen për uljen e tensioneve në veri përmes një plani të Bashkimit Evropian që parasheh pezullimin e operacioneve në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa pret nga Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën në qershor për shkak të situatës në veri, ku tensionet shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë të komunave u dërguan në zyrat e tyre me përcjelljen e policisë.
Por Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e qeverisë “janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë” për të zbutur krizën në veri ku zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.
voa