UEFA: Shqipëria humb 3-0 në tavolinë ndeshjen me Serbinë, FSHF 100 mijë € gjobë

NION- Komisioni Disiplinor i UEFA-s, ka marrë vendimin e tij përfundimtar, pas diskutimeve të gjata në lidhje me ndeshjen e 14 tetorit në Beograd mes Shqipërisë dhe Serbisë e cila u ndërpre për shkak të incidenteve në minutën e 42 dhe sigurisht nuk është vendimi që me të drejtë, e priste Shqipëria. UEFA konfirmon se Shqipëria e humb ndeshjen në tavolinë dhe 3 pikë i shkojnë Serbisë, (humb 3-0 në tavolinë). Humbja e ndeshjes do të thotë se është marrë në konsideratë relacioni i arbitrit, se Shqipëria nuk pranoi të rifillonte ndeshjen.

Komisioni i disiplinës vendos gjithashtu që Serbisë t’i hiqen 3 pikë dhe të luajë dy ndeshje pa tifozë. Mësohet gjithashtu se, të dyja federatat, ajo shqiptare dhe serbe janë gjobitur me nga 100 mijë euro.

E vërteta është se qeveria e futbollit europian nuk ka bërë aspak drejtësi, përkundrazi, ka barazuar në këtë rast dhunuesin (Serbinë) me viktimën (Shqipërinë). Me vendimet e Komisionit të Disiplinës, Shqipëria mbetet me 4 pikë, ndërsa Serbia me 1 pikë.

FSHF në një konference për shtyp tha se vendimi ishte i padrejtë dhe se Shqipëria do ta apelojë atë pranë Komisionit të Apelit në UEFA. Praktikisht sipas tyre Serbia nuk është dënuar.

UEFA hapi çështje disiplinore kundër Federatave të Futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë për dhunën mes lojtarëve dhe tifozëve, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes kualifikuese të Kampionatit Europian, në Beograd, të martën e 14 tetorit. Dhuna shpërtheu pasi një avion i telekomanduar, ku valvitej flamuri i “Shqipërisë së Madhe”, u lëshua mbi fushën e blertë gjatë gjysmës së parë të ndeshjes.

Nëntë fashistët që i dhanë fitoren Serbisë
Nëntë gjyqtarët, anëtarë të Komisionit të Disiplinës dhanë sot vendimin për ti akorduar Serbisë fitoren 3-0 në tavolinë kundër Shqipërisë, pas dhunës që shpërtheu në stadiumin “Partizan” në Beograd. Po kush janë nëntë gjyqtarët që legjitimuan korret raciste dhe dhunën kundër futbollistëve shqiptarë?

TOMAS PARTL
Ish-gjykatësi, që është në prag të pensionit nga UEFA. Tomas është 68 vjeç dhe ka kaluar një karrierë të gjatë si gjykatës në Austri.

ZHAK ANTENEN
Shefi i policisë së kantonit të Vaduzit. Zhak Antenen ka një karrierë të gjatë si prokuror në Zvicër, sidomos në qytetin e Lozanës.

SANDOR BERZI
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Hungareze. Sandor Berzi nuk ka një karrierë sportive, por ka një eksperiencë të gjatë në fushën e sportit.

XHIM STJERNE HANSEN
Ish-sekretari, që u bë milioner pas largimit. Hansen ka qenë futbollist në kampionatin danez, por jo në nivele maksimale.

TOMAS GEA
Avokati, i besuari i UEFA-s dhe FIFA-s. Tomas Gea është një avokat i ri në moshë, por që prej vitesh ka pasur funksione të rëndësishme nga organet drejtuese të futbollit ndërkombëtar.

XHIMI SHOU
Inxhinieri elektronik, president i Irlandës së Veriut. Xhimi Shou është presidenti i Federatës së Futbollit në Irlandën e Veriut që prej vitit 2010 dhe pak kohë më pas u bë edhe anëtar i Komisionit të Disiplinës në UEFA.

RUDOLF REPKA
Sekretari i përgjithshëm i Federatës çeke. Është emëruar në këtë pozicion në vitin 2007.

ZHOEL ULF
Delegati i ndeshjeve të mëdha në Europë. Zhoel Ulf është sekretari i përgjithshëm i Federatës së Luksemburgut në Futboll.

HANS LORENC
Gjykatësi gjerman, që iu përkushtua sportit. Hans Lorenc është një nga figurat e respektuara të gjyqësorit në Gjermani.
FSHF: VENDIMI UEFA I PADREJTË, VIJOJMË LUFTËN. AVOKATI: PRAKTIKISHT SERBIA NUK ËSHTË DËNUAR
Federata Shqiptare e Futbollit në një konferencë për shtyp ka bërë publik vendimin e UEFA-s për ndeshjen e 14 tetorit, ku praktikisht sipas tyre Serbia nuk është dënuar për dhunën dhe racizmin. Humbja nga ana e Shqipërisë, siç thanë edhe zyrtarët e FSHF-së është bazuar tek deklaratat e futbollistëve, të cilët u shprehën se ishin të pamundur fizikisht që të vijonin lojën. Por pikërisht kjo deklaratë është marrë si refuzim.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe avokati Artan Hajdari, studioja e të cilit bëri mbrojtjen në UEFA. Sipas tij, Shqipëria do vijojë luftën për të marrë tre pikë, pasi vendimi është i padrejtë.

“Vendimi i UEFA jepet i arsyetuar, arsyet jepen vetëm pas 5 ditësh nëse neve apelojmë. Vendimi duket i çuditshëm, ne do ta godasim me forcë nga ana juridike. Lufta jonë do vazhdojë. Argumentet tona janë shumë të fortë, 3 pikëshi duhet të na jepet neve”, tha Hajdari.

Gjykata të tilla janë brenda trupit të UEFA-s, por kjo e sotmja është një zgjidhje, një kompromis që nuk shkon. Dikush duhet ti merrte këto 3 pikë. Më mirë të thoshin të riluhej ndeshja. Ne kemi të drejtë të kërkojmë brenda 5 ditëve argumentet e vendimit, nga momenti që informohemi të. Lufta juridike vijon. Apeli është më debutues. Në një ndeshje futbolli dikush duhet të fitojë, më këtë rast ne jemi të dhunuarit dhe dënohemi njësoj si Serbia

Avokati sqaroi më tej se, në Apel, Shqipëria do kërkojë që Serbia të hetohet edhe për racizëm, pasi siç shtoi ai, praktikisht Serbia nuk është dënuar.

5 PIKAT E VENDIMIT TË UEFA-S
1. Ndeshja Serbi- Shqipëri regjistrohet zyrtarisht me rezultat 3-0 për Serbinë.
2. Federatës së Futbollit të Serbisë, përkatësisht reprezentacionit “A”, u merren tri pikë në kualifikimet për Evropianin 2016, kampionat i cili pritet të mbahet në Francë.
3. Federata e Futbollit Serb dënohet me dy ndeshje si vendas pa tifoz.
4. Federata e Futbollit Serb dënohet me 100 mijë euro
5. Federata e Futbollit Shqiptar dënohet me 100 mijë euro.

DE BIASI: VENDIMI NUK NA DHA DREJTËSI
Fill pas lajmit të publikuar në 35, në lidhje me vendimin e dhënë nga UEFA, ka reaguar dhe trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Gianni De Biasi. Sipas De Biasit, vendimi nuk na dha drejtësi. “Vendimi nuk na dha drejtësi, na hoqën atë që fituam në fushë”-tha De Biasi.

HICKA: NUK REFUZUAM LOJËN, POR NË FUSHË NUK KISHTE KUSHTE PËR TË LUAJTUR FUTBOLL
Juristi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Envi Hicka bëri të ditur se lojtarët nuk refuzuan të ktheheshin në fushë, por në stadiumin “Partizani” në Beograd, nuk kishte kushte për të luajtur futboll.

“Jam i bindur se nuk ka çeduar asgjë. Do ju lutesha që të kuptonin të gjithë dispozitën, i cili nuk është kuptuar nga publiku. Ndeshja nuk është refuzuar pasi nuk ka pasur kushte, por nuk kemi qenë të mundur të vazhdonim ndeshjes. Ndërprerja nuk ka qenë se nuk donim të luanim, por pasi atje nuk ka pasur kushte për të luajtur futboll. Neni 27 ka refuzimin për të luajtur dhe shkaktarët e mosvazhdimit të ndeshjes. Do arrijmë që të ndryshojmë këtë vendim. Duhet të luhet në kushte sportive dhe jo mes sjelljeve rrugaçe dhe josportive. Do ketë një strategji të re mbrojtje.”-deklaroi gjatë një komunikimi për News24, Hicka.

KAPITENI I KUQEZINJVE, CANA: KJO NUK ËSHTË DREJTËSI!
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, nuk mund të mungonte me komentin e tij në lidhje me vendimin e sotëm të Komisionit Disiplinor të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri. “Kjo nuk është drejtësi”, ka shkruar Cana në profilin e tij në ‘Facebook’, disa orë pasi u zyrtarizua vendimi i UEFA-s që ndeshjen e ndërprerë në Beograd, Serbi-Shqipëri ta regjistrojë në dobi të serbëve.

Një ditë më herët, Cana, në një intervistë për 35t shprehu shpresën se fitorja në tavolinë do t’i takonte Shqipërisë, pasi sipas tij të gjitha argumentet ishin në anën e palës shqiptare. Megjithatë, organet e UEFA-s edhe njëherë dëshmuan se marrin vendime politike. Ndërkohë futbollisti tjetër i kombëtares, Migjen Basha, i cili mungoi në ndeshjen e Beogradit në profilin e tij ka shkruar “Nuk kam fjalë”.

SOKOL KUSHTA: UEFA GABIM TË PAFALSHËM
Sokol Kushta: “Neveri, çudi, po prapë them nuk është e vërtetë: UEFA po bën një gabim të pafalshëm, megjithatë një shprehje për ta: Në shtëpitë publike nuk ka vajza të mira, Misheli bashkë me shoqet e vërtetoi këtë shprehje,”-shkruan Sokol Kushta, ish-sulmuesi i famshëm i kombëtares kuqezi dhe i Flamurtarit, autori i atij eurogoli në Beograd.

BEKIM BALAJ: MË FAL PLATINI PËR STOLIN, DESH E THEVA ME KOKË
Reagimi ka ardhur dhe nga sulmuesi i Kombëtares Kuq e Zi, Bekim Balaj “Më fal Platini për stolin, desh e theva me kokë. Bravo UEFA,” – ka qenë reagimi I sulmuesit të kombëtares sonë në faqen e tij në Facebook.

SHEHI: UEFA FAVORIZON SERBINË, PENALIZON SHQIPËRINË
Portieri i dytë i kombëtares shqiptare, Orges Shehi ka komentuar në një komunikim për News 24 vendimin e UEFA-s në lidhje me ndeshjen duke e quajtur atë të njëanshëm. Sipas tij UEFA ka favorizuar Serbinë, duke penalizuar Shqipërinë.

“Jam i shokuar nuk e prisja kurrë një vendim të tillë. Vendimi aspak i drejtë dhe transparent. Personi që ka përgjegjësi kryesore është arbitri i ndeshjes, ka shkruajtur në procesverbal se kombëtarja ka refuzuar të kthehet në lojë. Cana i ka thënë nuk refuzojmë të luajmë por jemi të pamundur fizikisht të dalim. Ekipi ynë nuk refuzoi vijimin e ndeshjes”, thotë Shehi.

Ai tha më tej se, “Asnjë gabim nuk kemi bërë, nuk kemi shkelur asnjë pikë të rregullores, kemi vepruar në mënyrën më të drejtë. Ndoshta jemi më të urtë seç duhet”.

(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>