51. Kërcënimet e xhahilëve udbashë
Atë ditë, deri sa po e ndiqnim gjahun nëpër Zheden, kisha dëshirë që të ec, vetëm të ec, të gjuaj, të vras, të mbys derra, mos të pushoj për asnjë çast, sepse, sa herë që uleshim për të pushuar, ma shpalosnin nga një plan të tyre kundër shqiptarëve, kundër myslimanëve dhe kundër BFI-së. Palla nuk më hante kur më thoshin se do t’i shkatërrojn partit shqiptare, sepse, këtë synim e kisha edhe unë: sa më të dobëta partitë, aq më i fuqshëm unë si kryetar i gjithë myslimanëve të vendit.
Viktor Gaberri ju kishte dhënë informacion se, nga Shqipëria, SHIK-u po punon në shkatërrimin e Partisë për Prosperitet Demokratik, si parti kolabracioniste me partitë nacionaliste maqedonase. Shërbimi sekret maqedonas i paskësh caktur detyrë vetes që ta komprementojnë këtë aksion të SHIK-ut shqiptar, duke e nxjerrë këtë aktivitet si të shërbimit maqedonas. Kjo do t’i iritonte shqiptarët e vendit dhe, kështu, për inat të shërbimit maqedonas do ta donin dhe përkrahnin edhe më shumë Partinë për Prosperitet Demokratik. Më thanë që, bashkë me deputetët e kësaj Partie, Ismet Ramadanin dhe Eshtref Aliun, Abdurrahman Alitin dhe Mahi Nesimin, edhe mua më kishin futur në atë ekip i cili natë e ditë do të duhej të fliste nëpër shqiptarë e myslimanë se, shërbimi sekret maqedonas do ta shkatërrojë Prosperitetin dhe se do ta krijojë një parti të re në krye të të cilit do ta vinin kryetarin e degës së Tetovës, Menduh Thaçin. Këtë detyrë e mora me një pasion të pashembullt, sepse e shikoja si plan që do të godiste mbi dy iniciativa të cilat, nëse forcoheshin do të më dëbësonin mua. Isha luftëtar i denjë i këtij plani të debeka-së maqedonase, deri sa një ditë, tek sa po kthehesha rrugës për në shtëpi, te ura e Sullares së Poshtme, sapo hyra në kthesë, më ndalën dy-tre persona, të cilët, me një shqipe të Shqipërisë, më thanë që të kem kujdes se çfarë po veproj, përndryshe, herën tjetër, në këtë kthesë makina do të më rrëshqasë në përrockën e fshatit! Natyrisht, i tregova kryetarit të shtetit, z Kiro Gligorov, për këtë këcënim dhe ai më zbuti duke më thënë se, ndoshta kanë qenë udbashët e vendit, nga ana e Strugës, të cilët më kanë provokuar lojalitetin tim.
Atë ditë, vrava tre derra të egër, dy lepuj dhe një dhelpër. Arusha më iku! Tërë gjyetinë ua dhashë Kiros, “Sabahudinit” dhe “Bajramit”. Ja, ju thashë, këtë e keni dhe gjithmonë do ta keni si peshqesh nga unë! Jo, tha, “Bajrami”, me këtë gjyeti nuk mund t’i shpëtoshë detyrimeve finansiare që i ke karshi Drejtorisë sonë. Kurrë, ju thashë! Atëherë, më kërcënoi “Bajrami”, përgatitu që të përjetoshë destabilizime të ashpra që do të të vijnë gjithandej, sidomos nga Shkupi, Kumanova dhe Tetova. Do të kuisësh edhe më keq se këta derra të egër kur po i vret!
Dikur ata dy u kthyen, kurse ngela vetëm me Kiron, i cili me dëshpërim më tha se, këta dy ishin eprorë të tij, se tashmë po e shkilte koha atë dhe se, duhet të kem shumë kujdes, sepse këta dy do të shkojnë deri te demaskimi i aktiviteteve të mia si kodosh. Kjo masë qenka e paraparë dhe në strategjitë e të gjitha shërbimeve sekrete në botë. Në momentin kur rrebelohet një bashkëpunëtor i tyre, në aksion hidhet demaskimi, devalvimi dhe dekonspirimi i tyre. O ua pranova edhe këtë lojë, vetëm nuk pranova që t’ju jap një denarë nga paratë e mia që po i fitoja me djersë (nuk është lehtë të bëshë, siç thotë populli, dallavera). E dija që tashmë e kisha fituar simpatinë e opinionit mysliman të vendit. Sepse, gjithnjë e më shumë paraqitesha si nacionalistë, kurse ky guxim i imi i paralizonte planet e debeka-së në lidhje me mua. Edhe vetë ata e dinin se, kundërsulmi i tyre do t’mi rriste mua aksionet. Prandaj, nuk nguteshin ata, kurse unë fluturoja me mendjen time: “Hajt Mulla Sulo mashallah, fluturo more me krah…”
- Le të shkatërrohet BFI, paratë e saj janë për mua
A e dini, lexues të dashur, pse pikërisht në kohën kur unë u bëra kryetar i BFI-së nisën lojërat më të rrezikshme dhe më të shumëanshme për shkatërrimin e këtij Institucioni? Ishin tri fronte prej nga fluturonin shtizat shkatërrimtare mbi BFI-në. Njëri fron ishte ai i shërbimit sekret shtetëror, i cili, për ta kamufluar aktivitetin e vet antiislam dhe antimusliman, i aktivizoi edhe dy fronte të tjera “mulsimane”. Presioni ushtrohej për të vetmin qëllim: ky shërbim të ketë qasje dhe ta zgjasë dorën në finansat e BFI-së sa herë që të ketë nevojë, duke më thënë se kësisoj unë do ta ktheja tërë atë shumë parashë që e kam marrur nga ky shërbim për aktivitetet e mia policeske disavjeçare. E unë u thosha, më keni paguar për punën që ua kam kryer, kurse nga ju për momentin nuk kam kurrfarë nevoja, prandaj, pse t’ju paguaj! Ky kishte qenë provokimi im i cili tek ata e kishte prodhuar edhe skenarin tjetër: të më sulmojnë përmes myslimanëve të cilët ishin dëshmuar si bashkëpunëtorë të ngushtë të shërbimeve sekrete maqedonase. Grupi i parë ishte ai i Tetovës, i tubuar rreth treshit Haki Agushi, Alifikri Esati dhe Nexhati Limani, tresh ky i zhytur shumë rëndë në bashkëpunim me policinë maqedonase dhe, grupi tjetër, ai i Jakup Selimovskit ku aderonte edhe Tasin Teufiku, Sabahudin Mahmuti, Zekerija Bajrami si dhe Jakup Asipi, grup ky përmes të cilit dëshironin të ma bënin të qartë se pas detronizimit të BFI-së qëndron, thjesht, shërbimi sekret maqedonas.
Unë i shkëputa të gjitha raportet me këtë shërbim, thjesht, po e mbroja financën nga ky shërbim. Nëse pajtohesha të fusnin dorën në financat tona, atëherë, do t’i binte që ne të ngelim me gishta në gojë, kurse unë e kisha nuhatur momentin që kishte ardhur për mua, momenti prej nga unë do të filloja të bëja jetë boss-i, jetën e një vip-i, jetën e një sheiku të cilët i kam pasur lakmi që në rininë time të hershme. Pranë meje e kisha afruar një bashkëpunëtor shumë të fuqishëm të këtij shërbimi, Zejnullah Fazliun. E kisha ofruar si link për të kuptuar strategjinë e DZK-së. Thjesht, ata kishin rënë në hall, nuk do të ishin në gjendje që të derdhin buxhet për këto dy grupe që ishin goxha të mëdha, ai i Tetovës dhe ai i Selimovskit, prandaj, vetë do të më bënin presion nëse unë do të përulesha, nëse jo, shumë shpejt do të përfundonte loja me ta. Për këtë informatë pastaj, e bëra ortak në financat e BFI-së vetë Zejnullah Fazliun, duke i thënë, më mirë të marrim ne dy se sa ata që po na e nxijnë jetën! Si shpëtimtar i ynë na u imponua edhe Kiro Fuzofski, njëri nga të vetmit miq të mi më besnikë që i kam pasur në jetë. Kiroja që në fillim më pat tërhequr vërejtjen që të kem kujdes prej Zejnullah Fazliut dhe mos të lirohesha shumë, sepse, ai ishte vënë vullnetarisht në shërbim të DKZ, me të vetmin kundërshpërblim: t’ia hiqnin qafe sa më parë Haxhi Enverin, i cili, me djem e vajza, me gru e me farefis, ishte vënë në shërbim të islamit dhe që po e penguakan shumë Zejnullahun në aktivitetet e tij fetare. Haxhi Enveri ishte luftëtar i denjë i inkorporimit të mësimbesimit nëpër shkollat zyrtare, me të vetmin qëllim që të punësohen fëmijët e tij që po e kryenin nëpër qendra të ndryshme islamike, kurse Zejnullahu ishte kundër kësaj, sepse, me këtë kërkesë Haxhi Enveri po ia thante grazhdin vetë Zejnullahut, i cili paguhej nga katundi edhe ai por edhe babi i tij, si hoxhë katundi që e kishin për detyrë edhe mësimbesimin tek të rinjtë e vendit.
Zejnullah Fazliu, në njëfarë forme, ishte vetë përfaqësuesi i DKZ-së në BFI! Grupet rrebele i luftoja vetëm përmes këtij personi, sepse, ata e dinin që Zejnullahu ishte shumë më i fuqishëm në DKZ se sa të gjitha ata së bashku. Në fakt, Zejnullah Fazliu ua ktheu shpinën, ngjashëm si unë, shërbimeve sekrete, në momentin kur ia ofrova shfrytëzimin pa hesap të financave të BFI-së. Ne po e luftonim DKZ-në, këtë institucion shtetëror, e jo se po luftonim ndonjë grup rrebelësh që dinin diçka reth islamit! Të gjithe anëtarët e grupit të Tetovës si dhe ata të Jakup Selimovskit, nuk kishin lidhje as me fenë islame e as me organizimin e jetës fetare, ishin shumë të dobtë dhe asnjëherë nuk u shquan për ndonjë kapacitet intelektual. Thjesht, u vënë në shërbim të DKZ-së sepse e kishin të zënë “bishtin me derë”! E dini se si e arritëm paqen në mes të DKZ-së dhe mua? Me ndërmjetësimin e Kiro Fuzofskit, thjesht u dakorduam që të gjithë individët e Grupit të Tetovës si dhe ata të Jakup Selimovskit, t’i inkuadroj në BFI dhe t’i sistemoj nëpër vende të rëndësishme, kurse DKZ-ja do të rrijë më larg BFI-së, por me kusht që bashkëpunimi im me DKZ-në do të jetë i drejtpërdrejtë, edhe atë në nivelin më të lartë! Si lider i të gjithë myslimanëve, pra edhe i anëtarëve të partive të ndryshme muslimane në vend, jo vetëm që do të trajtohesha si i tillë, por do të kisha të drejtë edhe në propozim të masave konkrete si dhe në përfshirje personale përgjatë zhvillimit të aksioneve të ndryshme kundërzbuluese.
- Edhe oficer sekret edhe hoxhë
DKZ-ja duhej të bindej se unë jam faktori kyç i kapjes së informacioneve dhe i zbërthimit të tyre. Nuk ishin më të rëndësishëm sa unë asnjë nga nëpunësit e këtij shërbimi, sepse që të gjithë këta kishin humbur edhe peshën por edhe ndikimin dhe rolin tek shqiptarët dhe myslimanët e Maqedonisë. Për më tepër, tani ndaj meje nuk kishin kurrfarë detyrimi financiar. Të vetmin obligim ndaj meje e kishin që herë pas herë të më informonin mbi mënyrën e luajtjes së ndonjë loje kundër shqiptarëve, herë pas herë të më sinjalizonin se kur do të mund të ngrisja zërin ofendues kundër kryetarit të shtetit, kundër kryeministrit, kundër ndonjë ministri, me të vetmin qëllim që tek popullata ime të pranohesha si faktor më i rëndësishëm dhe i vetëm që përkujdeset për fatin e tyre. Kam dëgjuar në një odë tek ma këndonin këngën një grup folkloristësh: “Mulla Sula pipi i dudit, s’i ha koqja për polictë e Shkupit”! Pata reaguar keq kur e dëgjova këtë këngë, sepse mu s’ma ndinte jo vetëm për polictë e Shkupit por për të gjithë të Maqedonisë. Aty për aty ma kënduan: “Mulla Sula me qehre shkinije, si ha bytha për polic Maqedonie”! Krisën revolet, rafall shkonin plumbat…
Shqiptarët, subjektet politike, nuk ndërmerrnin asnjë veprim pa më përfshirë edhe mua në brumosjen dhe nismën e ideve kombëtare. Vetëm në partinë e Arbën Xhaferit nuk kisha qasje, por që i kisha vënë vetes detyrë që një ditë, edhe këtë parti do ta fusja nën grushtin tim dhe do ta kompremetoja deri në palcë. Kryetari i PPD-së, e cila po participonte në qeveri bashkë me LSDM-në, Abdurrahman Aliti, u kishte thënë deputetëve dhe ministrave të vet që, nëse thotë Mulla Sula që të gjithë të dilni prej sistemi, kjo do të ndodhë pa më të voglin reagim. Në Maqedoni vetëm Mulla Sula është faktor, të gjithë ne të tjerët jemi argatë të tij, kështu thoshte Durra, siç e quanim Abdrrahman Alitin. Falë kësaj peshe dhe këtij faktorizimi, unë përfshihesha në çdo aksion të faktorit shqiptar. Mora pjesë në ngjizjen e idesë për referendum dhe për shpalljen e Iliridës! Ky ishte aksioni jetik që do të më rikthente shumëfish më të rëndësishëm në shërbimin sekret, sepse, po raportoja për një projekt kombëtar që po ia dridhte themelet Maqedonisë, deri në barazim të plotë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasëve. Natyrisht, ky barazim i plotë nuk më konvenonte mua, as si lider fetar por as si epror i shërbimit sekrt, sepse, shqiptarët si komb, do të dilnin jasht sferës së interesave të këtij shërbimi, interes do të përbënin vetëm individët e rrezikshëm, të cilët do të gjuheshin prej informatorëve të dorës së dytë a të tretë.
Afera e armëve, të cilin, çuditërisht, para meje e kishin dekonspiruar vëllzërit Zimberi, njëri deputet e tjetri gazetar, sikur më dha isharete, apo më mirë me thanë, sikur ma bëri me dije se po më humbte pesha në këtë shërbim, prandaj, nuk e lash me kaq, por, shkova edhe më thellë. Thjesht, ua bëra me dije se, ky aksion nuk ishte i militantëve terroristë nga radhët e shqiptarëve të Maqedonisë por që drejtohej nga shërbimi sekret i Shqipërisë, përmes veglave të veta që i kishte instaluar në Kroaci. Thjesht, ky aksion do të kujtohej si vazhdë e përpjekjeve për ta dekomponuar tërësisht kreaturën Jugosllavi, dhe jo si ndërhyrje nga shërbimet e huaja që ia donin gajretin e shkatërrimit Maqedonisë.
Rëndësinë dhe peshën time e ritkheva në DKZ me informacionin mbi themelimin e Universitetit të Tetovës. Deri sa isha brenda këshillit iniciativ për themelimin e këtij Universiteti, kjo nismë nuk bëri asnjë hap tutje, sepse, paraprakisht dekonspirohej si ide dhe si zhvillim. Kur më larguan dhe më lanë anash, kur u kyçën njerëz akademikë dhe kur veçmë po qarkullonin ide se unë isha i parëndësishëm dhe i rrezikshëm në tërë këtë projekt, atëherë, ua turbullova mendimet. E mora mbi vete finansimin e gazetës Studenti! BFI-ja po e finansonte botimin e kësaj gazete, kurse thashethemet e mundshme para studentëve të parë të këtij Universiteti u mbyllën dhe askush nuk i merrte si të vërteta. Të jetë i rrezikshëm njeriu i cili finanson gazetën?! Nuk i besonte askush kësaj përalle, prandaj, sërish i regullova pozicionet e mia nëpër strukturat më të larta politike e kombëtare në Maqedoni. Nga ana tjetër, DKZ u bind përfundimisht se, pa mua e ka të vështirë dhe është fare e pafuqishme për t’u futur në botën shqiptare.
- Dikë e pengonte fuqia ime
E kë do ta pengonte fuqia ime më shumë se Drejtorinë për Zbulim dhe Kundërzbulim (DZK). Para opinionit dukesha si armiku më i madh i këtij insttucioni shtetëror kurse brenda këtij Institucioni isha një ndër faktorët më të rëndësishëm. Kishte ardhur momenti që të më avansojnë, sepse kisha dekonspiruar disa projekte shumë të rënda të shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe jo vetëm! Në Kosovë veçmë kishin filluar celulat e para të grupeve militare shqiptare, të cilët më vonë do të vetëquhen si Ushtria Çlirimare e Kosovës (UÇK). Nuk ishin gjithëaq të rrezikshme këto grupe, sepse, tek ata i kishte futur duart UDB-ja serbe. Të rrezikshme ishin ato grupe që po përgatiteshin në Shqipëri, nga SHIK-u. Ekzistonin informacione se grupe të ndryshme po stërviten në Shqipëri dhe nuk dihej saktësisht asgjë. Ishte përpjekje e madhe, madje edhe përmes njerëzve të ambasadës së Maqedonisë në Tiranë që të mësohet sado pak diçka nga këto grupe. Në këtë kohë ambasador i Kosovës në Tiranë ishte akademik Ali Aliu prej të cilit vetëm kisha informata se grupe individësh, kryesisht nga diaspora, po vijnë në Shqipëri dhe po përgatiten për aktivitete guerile por se ku po përgatiten këtë askush nuk e flet! Këtë ma pohonte edhe Fehmi Agani, madje, në një habi timen se si askush nuk di asgjë, më pat thënë se, kryetari Rugova e di, është takuar me këtë grup por që deri më tani nuk ka folur akoma me asnjë njeri. Në një udhëtim zyrtar që e pata në Turqi, me vete e kisha marrë edhe gazetarin Agim Mehmeti, i cili, seç përzinte punë me strukturat më të lart të guerilës boshnjake të Alia Izetbegoviqit. Në një takim të rastësishëm që e patëm me disa njerëz të qeverisë në ekzil të boshnjakëve, e pata dëgjuar Agim Mehmetin tek ju fliste se si po përgatitet edhe një front i ri nga ana e shqiptarëve të Kosovës, të cilët po përgatiten nga SHIK-u, në Veri të Shqipërisë, maleve të Bajram Currit. Në bisedën më të hapur që e pata me Agim Mehmetin, e pashë që edhe ai nuk dinte asgjë, por që ndërtonte gënjeshtra mbi informata të cekta që i kishte. Madje, më tha që kishte qenë në kamp dhe që i kishte takuar të gjithë. Më mjaftoi kjo fjali dhe mezi prisja që të kthehemi dhe ta lidhi si qen Agim Mehmetin e ta dorëzoj drejt e në DZK. Por, seç ma ofroi një ofertë shumë interesante. Më tha që, do të bëja shumë mirë nëse i shfrytëzoj kanalet e mia në Turqi si dhe nëpër shtetet arabe, të mbledhim fonde dhe t’ia dorëzojmë shtabit të përgjithshëm në të cilin ishte i involvuar edhe nipi i tij, dhëndri i akademik Rexhep Qosjes. Ky informaion ishte i saktë, sepse, atë kohë, i vetmi Rexhep Qosja ishte intelektuali që shkruante hapur dhe që e shprehte nevojën e përgatitjes së shqiptarëve për një luftë të gjatë e të rënd. Agim Mehmeti më garantoi se, prej donacioneve të përgjithshme njëzet për qind do t’më takojnë mua. Kjo ofertë sikur më joshi, sikur ma hapte një shteg për t’u futur sa më thllë këtij projekti dhe për të pasur mundësinë e dekonspirimit të plotë dhe të goditjes së “gjarpërit” mu në kokë. Por, vendosa që të mos ngutem, mos të ofroj kurrfarë informacioni, sepse, çka nëse mund të vija deri në donacione luftarake! Përfitimet do të ishin shumë të majme!
DZK-ja nisi të dyshonte në mua, prandaj, filluan presionin e tyre. Fillimisht përmes njerëzve të tyre në Tetovë, Haki Agushin, Alifikri Esadin dhe Nexhati Limani. Ky grup ishte lehtësisht i lexueshëm, prandaj edhe lufta me ta ishte e lehtë. Treshi në fjalë, në fund, pasi do të gjenden në situatë të palakmushme, pasi i zbërtheva dhe nisa t’i devalvoj publikisht, të vetmin shpëtim e shihnin në shkëputjen e Tetovës nga BFI-ja, akt ky i parealizueshëm, sepse popullata jonë nuk do të përkrahte copëtime të institucioneve në çastin kur po shpreheshin përpjekjet për themelim të institucioneve të përgjithshme nacionale. Në skenë do ta nxjerrin Jakup Selimovskin, bashkëpunëtorin e tyre më të vërbër në historinë e DZK-së. Fillimisht përmes një bashkësie islame ballkanike dhe pastaj përmes një bashkësie të myslimanëve të Maqedonisë, do të na e shtojnë zullumin e papërballueshëm. Zatën, ky mandat më iku pa përfituar dhe pa u ngritur finansiarisht. DZK-ja nuk arriti që të fusë duart në finansat e BFIsë por ama më detyroi që të shpenzoj qindra e mijëra euro në drejtim të bllokimit të lojërave të tyre. Bleva shumë informacione, shumë njerëz, shumë faktorë, korruptova gjykatës, policë, njerëz që merreshin me krime, shpenzova shumë në ruajtjen e unitetit të organeve të BFI-së…
- “Igatha” degë e MPB-së maqedonase
Në Maqedoni kishte filluar të vepronte edhe një e ashtuquajtur organizatë humanitare arabe “Igatha”. Në krye të kësaj organizate ishte vënë njëfarë Muhamed që na u bë edhe dhëndër shqiptari, pasi e kishte përjetuar edhe të qenurin dhëndër serb. Ishte njeri shumë i rrezikshëm. Deri në këto çaste punonte në Nish të Serbisë, ku e drejtonte po këtë organizatë të dyshimtë humanitare.
Sapo erdhi në Maqedoni, nisën akuzat se shqiptarët ishin potenciali kryesor për të ngritur celula fundamentaliste dhe terroriste islamike në rajon. Kjo akuzë për shqiptarët ishte shumë e rëndë dhe, përmes Zejnullah Fazliut, kuptova se kjo lojë ishte e DZK-së, që do të shtyhej përmes Lidhjes së Rinisë Islame, përkatësisht përmes Skënder Rexhepit-Zejdit si dhe përmes Kallirit të Mirësisë dhe Bashkësisë Myslimane të Maqedonisë, këtij surrogati të Jakup Selimovskit. Pra, loja nuk po luhej për ta devalvuar kombin shqiptar, por, thjesht, për të më futur në situata shumë të rrezikshme personalisht mua. E pranova këtë lojë! Kiro Fuzofski më kshilloi që ta luaja publikisht, të isha sa më transparent dhe çdo ditë të isha në opinion duke e sulmuar këtë lojë si aktivitet të shërbimeve policore mqedonase. Me këtë hap përfitova përkrahjen e popullatës shqiptare. As që e kisha menduar ndonjëherë se loja do të shkonte aq larg sa edhe tërë popullatën do ta kishin orientuar kundër meje. Si ndodhi kjo?
Nëpër konferenca të ndryshme në Egjipt, në Turqi si dhe në shumë shtete arabe, gjithnjë po dilja me fjalime e punime shkencore kundër aktiviteteve të rrezikshme që po luheshin nën emrin e aksioneve humanitare, sidomos të Igathës. E dija fort mirë se shërbimet policore maqedonase ishin vënë në krye të aktiviteteve të ndryshme kundër meje. Kurse unë gjithnjë isha një hap pra tyre, falë informatave që më vinin nga Zejnullah Fazliu dhe Kiro Fuzovski.
Një ditë, më erdhi në zyre një oficer policie të cilin ma kishte dërguar Ministri i punëve të brendshme, Lubomir Fërçkovski, dhëndri i Agim Mehmetit. Mbi tavolinë ma hodhi me plotë nervozizëm një aktovkë përplotë me dollarë dhe me disa lista. Më tha që, mbrëmë e kishin arrestuar kryetrin e Igathës, Muhamedin, i cili, pasi paska bërë listë prej 4000 muxhahedinëve shqiptarë, paska kërkuar financa nga shtetet arabe për ta armatosur këtë njësi muxhahedinësh. Sapo ia hedha një sy listave, pashë menjeherë se aty ishin emrat e të gjithë atyreve që kanë marrur ndihma humanitare nga kjo organizatë arabe, e cila i ka regjistruar edhe me numër amë dhe me numrin e regjistrit të kartave të identitetit. U gjenda para dy dilemave shumë të rënda! Nëse do ta pranoja këtë fakt si të vërtetë atëherë do të dilja si bashkëpunëtorë i policisë maqedonase në luftë kundër muxhahedinëve shqiptarë dhe, kësisoj, krejt populli mysliman i Maqedonisë do të ngritej kundër meje. Dilema e dytë ishte t’i shpall luftë institucioneve policore maqedonase! Oficeri policor më tha që dollarët, rreth dy milion dollarë, do t’i linin në BFI për zhvillim të aktiviteteve islame. Kjo më joshte por, më tmerronte armiqësimi me popullin tim. Prandaj, vendosa për dilemën e dytë. E kapa për jake oficerin e policisë, duke ia vënë revolen në kokë dhe, e nxora si leckë jasht kabinetit, ia dhashë edhe nja dy-tri shqelma dhe i thashë që të shkonte te Fërçkovsi dhe t’i thoshte se prej sotit unë do të formoj policinë time private dhe se do t’i shpall luftë shtetit. Pas gjysëm ore më mori në telefon vetë Fërçkovski dhe më tha se tërë kjo paska qenë një keqkuptim dhe se, këtu do ta mbyllim këtë problem. Kurrë më nuk u fol asgjë për këtë bashkëpunim të MPB-së dhe Igathës kundër shqiptarëve dhe BFI-së në Maqedoni.
- Të gjitha dyert e DZK-së u mbyllën për mua
DZK-ja kishte vendosur që t’i mbyllë të gjitha dyert për mua, por jo edhe bedemat prej nga do të fluturonin qindra shtiza mbi personalitetin tim. Marëdhëniet në mes nesh u acaruan tepër shumë. E pranoj, kisha qenë shumë naiv në bindjen time se mund t’ia dal në skaj dhe madje edhe t’i mund shërbimet e këtij Institucioni të sigurisë. Filluan të më ndjekin disa joshje të cilat nuk mund t’i refuzoja aq lehtë. DZK-ja i dinte të gjitha dobësitë e mia, kurse unë asnjëherë nuk isha marrur as me këto dobësi por as që më kishte shkuar në mend se policia sekrete do të më godiste pikërisht aty. Korrupsionin e kisha qejf shumë. Jo vetëm kur korruptoja por edhe kur më korruptonin më vinte mirë, sepse, ata që më korruptonin menjëherë i klasifikoja si armiq të mi. Paratë ua merrja ndërsa punën asnjëherë nuk ia kam kryer asnjë korruptuesi. Ata që korruptoheshin i vija në shërbim për pak kohë dhe, menjëherë i shkëpusja raportet me të tillët, sepse të korruptuarit janë qenie me karakter katastrofal. Unë nuk bëj pjesë në këtë grup, sepse, unë korruptohesha vetëm për të parë se kë e kam mik e kë armik. Miqtë e mi kurrë nuk më korruptonin, ata më mbështesnin!
Jo rallë më kishin përcjellë deri sa korruptohesha. Një ditë, Kiro Fuzofski më tha që të kem kujdes se, posedojnë shumë fakte të cilat do të mund të më çonin drejt e në burg!
Dobësi tjetër seç mu shfaq flirtimi! Çuditërisht në rini moralin e kisha më të fortë kurse në pleqëri, nuk di se prej nga më shpërtheu kjo dëshirë për dashuriçka. E kisha një parandjenjë se shumë herët do të ngel i ve (vejn) prandaj kisha marrur masa që të krijoj miqësi me femra dhe, miqësinë madje ta ngrisja deri në dashuri të pashpallur, të konservuar për ndonjë ditë më të vështirë për mua. Çuditërisht, të gjitha flirtimet e mia patën një karakteristikë shumë interesante: femrat që më ofroheshin mbanin emrin që niste me F! Le të themi se, këto F-ja ishin Fatime dhe, të gjith që më ofroheshin kërkonin lidhje të zjarrta. Njërën e dija që e kisha të lëshuar nga Jakup Selimovski, gjegjësisht nga vetë shërbimet sekrete, kurse të tjerat, nuk më rezultonin se kishin lidhje me shërbimet. I mbaja në distancë të madhe. I udhëzoja të lidheshin me fëmijët e mi, me vajzën e me djemtë, me qëllim që të humben të gjitha dyshimet por, Fatimet të llogariteshin si shoqet e fëmijëve të mi. Kësisoj, si shoqe të fëmijëve të mi i kisha edhe më pranë, i kisha në shtëpi, i kisha mysafire të sofrës, ku na shërbente Sulovica, bashkëshortja ime.
Më vonë, desh më dolën mendtë kur njerzit e DZK-së ma bënë me dije se më kishin në grusht dhe se do të duhej të dorzohesha, ndryshe, një fushate që kishte nisur kundër meje viteve 1999-2000, do t’ia bashkangjisnin edhe faktet që ishin fatale për mua si reis. Ata kishin në mend të më padisnin si trafikant i qenies njerëzore, si donzhuan që femrat e mia ua bëj fëmijëve të mi, sepse, tashmë i kishin incizuar dy djemtë e mi tek kishin bërë dashuri me Fatimet me të cilat paraprakisht po flirtoja edhe vetë unë.
Unë kisha menduar se me mbylljen e dyerve nga ana e DZK-së tashmë kisha shpëtuar prej lojërave të këtij institucioni shtetëror. Kurrë nuk më kishte shkuar në mend se ky akt i tyre në fakt do të thoshte luftë e ashpër kundër meje!
- Loja e tetovarëve kishte një kokë
Rrebelimi dhe përpjekja për fraksionim i Këshillit të BFI-së së Tetovës e kishte ideologun e vet politik por edhe fetar. Ideologu politik gjendej në PDSH, herë te Arbën Xhaferi e herë te Menduh Thaçi, koka këto gjallë të interesuara për ta shkatërruar BFI-në e për ta ngjallur e rritur bektashizmin ndër muslimanët e Maqedonisë. Këtij skenari verbërisht po i shkonin pas ”ideologët fetarë”, një dysh që fare pak kishin menduar se do t’ju hasë sharra në gozhdë: Bahri Aliu e Ruzhdi Lata.
Me ideologët politikë të fraksionimit të BFI-së, liderët e PDSH-së, nuk do të merrem këtu, sepse i pashë dhe i testova që të dy se sa vlejnë. Që të dyve, siç thoshte rahmeti Fadil Hoxha “ua bëra birën e miut 300 groshë”, i lakuriqësova duke i detyruar që të njihen nga opinioni si shkatërruesit më të mëdhenj të islamit. Si të këtillë do të njihen tërë kohës dhe, falë këtyre shkatërruesve, unë do të ngelem në histori si mbrojtësi më i madh dhe në kohën e duhur i islamit në Ballkan. Pa mua, islami në Ballkan do të shkonte në të samës! Në këtë periudhë, unë me tërë qenien time po angazhohesha që ta shpëtoj islamin në Bosnjë ku, martesat e përziera kishin sjellë deri në ngulfatje totale të kësaj feje të Allahut. Po e shpëtoja edhe islamin në Kosovë ku, elita intelektuale me bagazh të rëndë komuniste i kishte nënshtruar të gjithë teologët. Që prej hoxhësh më të ngratë, apo më mirë me thanë më të thjeshtë, e deri te Rexhep Boja, kryetari i BIK-ut, po manipuloheshin dhe po viheshin në shërbim të komunistëve të LDK-së kinse për ta ndihmuar çështjen kombëtare. Në fund doli puna se as atë çështje nuk mund ta shtynin pa mua, as Fehmi Agani, as Ai Aliu, as dështaku historik Ibrahim Rugova, por as Rexhep Boja. Në atë kohë, ai askund nuk guxonte ta thotë asnjë fjalë për Kosovën, apo nuk dëshironte se, një Zot e di, mund ta kenë pasur në grusht serbët!
Në Shqipërinë postkomuniste, muslimanët e atyshëm mua më prisnin si zot! Sharllatani Sabri Koçi, i cili vulet e Komunitetit i mbante të lidhur për ushkur të brekëve, nuk merrte frymë pa më konsultuar çdo mëngjes. Ky komunitet më ka borxh qindra mijëra euro të shpenzuara në telefonatat e çdoditshme, duke i marrë e duke i treguar se çka të veprojnë, si të falen, si të luten, si të agjërojnë, thjesht, si ta zhvillojnë islamin.
Me këtë forcë dhe me këtë kapacitet të hatashëm intelektual e fetar që e posedoja unë, Bahri efendija dhe Ruzhdi ahmaku i kishin hyrë projektit të Menduh Thaçit e të Refet Elmazit që të më shkatërrojnë mua si dhe mbarë Bashkësinë Islame të Maqedonisë. Ruzhdiu shumë shpejt e futa në grusht, duke ia lëshuar njerëzit e Igathës. Prej tyre ai mori miliona marka gjermane dhe, shumë shpejt i doli emri si një nga hoxhallarët më të pasur në vend dhe më gjërë. Ai, për çdo raport të rrejshëm finansiar, që ua përgatiste njerzve të Igathës, të cilët kinse në rajonin e Dibrës po investonin në xhami e qendra islamike, merrte me qindra mijëra marka. Këtë lojë ma mësuan këshilltarët e Kiro Fuzofskit, kurse, kur erdhi puna te Bahria, atëherë, thjesht, ma ngulën! Kërkuan të më shesin informacion shumë të rëndësishëm. Kushtoi shumë shtrenjtë por, më bindën se me atë informacion do t’i paralizoja edhe Bahri efendiun edhe Ruzhdi mafinë. O vallai i kam pa vetë, më sytë e mi, fotografitë ku shiheshin në poza pornografike Bahriu dhe Ruzhdiu. Kur ua pata tërheq vërejtjen që të dyve, sakaq u zbut situata me Tetovën, kurse atyre ju premtova: njëri se do të ngritet në myfti i përhershëm, kurse tjetrit ia premtova edhe postin e Reisit. Më vonë kjo edhe do të dëshmohet praktikisht. Jo sepse kisha mëshirë për ta, por, thjesht, duke i mbajtur në këto poste me të gjitha ato infrmacione të pederakafta që i kisha për ta, do të mund t’i vija fare lehtë në shërbimin tim.
- Sa më erdhi lezet kur më befasoi Kiro Fuzofski
Kiro Fuzofski, i cili m’i ofroi ato fotografi pornografike ku shiheshin shumë qartë Bahri Aliu dhe Ruzhdi Lata, kurrë nuk ma tregoi burimin e atyre fakteve. Madje as që dëshironte t’i komentonte ato fotografi. Zejnullah Fazliu, një luftëtarë i papërkulur kundër Bariut dhe Ruzhdiut, sakaq, më këshilloi një gjë! Kujdes, më tha, kujdes se shërbimet sekrete mund të merren edhe me montime të fotografive, me retushime e me falsifikime. Meqë, nuk po flet Fuzofski, ta paskan ngulë sa krahu më tha Zejnullahu. “Të paskan marrur me thashë pare, kurse të paskan dhënë fakte të montuara”! Pas kësaj, çuditërisht, Ruzhda dhe Bahriu, nisën të mos shfaqin frikë prej meje, u lidhën shumë fort me Zejnullahun dhe i bindeshin vetëm atij. Plasa deri sa e mora vesh. Kishte qenë lojë e Zejnullahut që ta minimizojë peshën time kurse të nis e të faktorizohet vetë ai.
Një ditë, na mblodhi Kiro Fuzofski si dhe njëfarë Nenad Mirçevski. Fillimisht më thirrën mua, pastaj edhe Zejnën dhe, nuk shkoi më shumë se 15 minuta, në një zyre bodrum u futën edhe Alifikri Esati, Haki Agushi, Nexhati Limani dhe Ejup Selmani! U paralizuam të gjithë kur u ballafaquam sy më sy. Ra një heshtje e gjatë, pastaj fjalën e mori Mirçevski. Duke folur ai, brenda u futën edhe Jakup Selimovski, Jakup Asipi si dhe Sabahudin Mahmuti. U ngrimë e u bëmë koçan! Askush nuk po dinte se çka po ndodhë. Arrita ta shoh Kiron kur më dha shenjë që mos të brengosem. Vazhdoi Mirçevski: “Ne e dimë fort mirë se Mulla Sula bashkëpunon me elementet e dyshimta arabe, me elementet radikale si dhe me muxhahedinët. E dimë fare mirë se si vijnë ata në vende të ndryshme të Maqedonisë, e dimë fare mirë përmes Mulla Sulës se ku shkojnë ata, se çka bëjnë, me kë kontaktojnë, kujt i japin pare e kujt i marrin fjalë! Ne, po ashtu e dimë që, edhe ju, të gjithë, dhe një numër më i madh i teologëve, e dini fare mirë se me kë bashkëpunon Mulla Sula, prandaj, i kemi dhënë leje dhe e kemi këshilluar të të shpall, ty Jakup efendija, për murted! Ne e kemi ditur me kohë se ti kësaj çështje do t’i frikësohesh shumë fort dhe do të kërkoshë ndihmën policore. Duke e kërkuar këtë ndihmë t’i vetëm sa do t’ia rrisësh famën Mulla Sulës. Nga ana tjetër, meqë na duhej Mulla Sula rrebel, që nuk i frikësohet policisë së shtetit, as drejtuesve të shtetit, Mulla Sula që përkrahej e përgëdhelej nga shtetet arabe, një Mulla Sulë që është më i fortë në angazhimin e tij për unitet se sa të gjithë forcat destrktive për përçarje e fraksionim, ne, ju futëm në lojë, o hajvana të Tetovës”, përfundoi Mirçevski duke iu drejtuar hoxhallarëve nga Tetova. Pastaj kërceu Kiroja duke thënë se, loja u luajt shumë mirë dhe se, tash e tutje të gjithë duhet t’i ulin veshët dhe bishtin nën shalë e të mos bëjnë probleme. Duhet që të gjithë të futen në sistem dhe të marrin pozita, sepse, kësisoj Mulla Sula do të tregohet se sa shpirtgjërë dhe sa tolerant që është. Të gjithë u qeshëm, u morëm ngryk, bilez mua grupi i Tetovës më puthi edhe dorën. Vetëm Sabahudin Mahmuti reagoi shumë keq, duke bërtitur “me këtë lojë, dijeni, do të ma shkaktoni sëmundjen e sheqerit” ! Punë e madhe, tha Kiroja!
Po me mua çka do të bëhet? – pyeti Jakup Asipi!
A do t’ia fusim sa krahu Mulla Isës dhe ty të të bëjmë myfti të Kumanovës, shpërtheva unë duke qeshur me të madhe.
Jo, tha Kiroja, nuk mund të bëhet myfti, pa e bërë ne së pari komandat!
Hahahaha… u qeshëm të gjithë dhe dolëm me një besatim se të gjithë xhenetin e rehatisë së tyre do ta kërkojnë nën këmbët e mia.
- Kurrsesi t’i dal borxhit DZK-së
Drejtoria për Zbulim dhe kundërzbulim (DZK-ja), pa dyshim që po punonte shumë për mua, kurse unë, gjithnjë e më shumë paraqitesha si një rrebel para tyre. E ngrisja zërin, shaja, kërcënohesha, përplasja tavolina e dyer, sa herë që shkoja tek ata. Ata mbanin nivel dhe kurrë nuk ma kthenin me të njëjtën sjellje, ishin më të matur ndaj meje. Doli propozimi që, ta regjistroja djalin tim, Zeglulin, në polici dhe, dal nga dal, ta përgatisnin si një agjent të mirë, të aftë e të shkathët. Deri sa të bëhej ky brum, kontaktet me mua propozuan që t’i mbanin përmes vëllait tim, Avdylit, i cili, prej polici të thjeshtë do të avansohej në njeri i dytë i kufijve të shtetit të Maqedonisë! Po pse pikërisht i kufijve? Sepse, a bashkëpunoja unë me arabët, me grupet e ndryshme muxhahidine? Po pra, a do të duhej të lëviznin në Kosovë e në Shqipëri, me kontigjentë të ndryshëm e të dyshimtë. Këtë lëvizje ata do ta realizonin përmes meje duke i ndihmuar Avdyl aga! E pranova edhe këtë propozim, sepse, sipas sugjerimit të Kiro Fuzovskit, tashmë unë duhej të paraqitesha si një lider shumë i fortë fetar, që është në gjendje t’i dridhë edhe organet kryesore të shtetit. Çdo problem, çdo informacion, çdo deponim të informacioneve të rëndësishme, do ta kryeja përmes Avdylit në zyret e policisë, ndërsa në zyren time do ta kryeja përmes Kiros i cili tek unë do të jetë prezent çdo ditë.
Nuk më interesonte aq shumë Avdyli, me të cilin herë pas here fjaloseshim për punën e babait tim. Kërkonte që ta ndihmoja financiarisht për përkujdesjen që e shprehte ndaj babai tim. Njëherë i pata thënë që, nëse nuk mund të përkujdesesh për të, q… nanën hidhe në pleh se, kurrë hajrin nuk ia kam parë që sot të ma shohë ai mua. Pra, nuk më interesonte Avdyli sa më interesonte jetësimi i propozimit që të më bëhet njëri djalë agjent, apo ma mirë me thanë inspektor, dhe t’ia shihte hajrin këtyre shërbimeve ashtu siç ua pashë unë. Zegluli është më “qeskin” dhe isha i bindur se do të aftësohet shumë, sepse sikur e kishte të trashëguar gjenin tim më të fortë të të qenurit bashkëpunëtorë i rëndësishëm. Kurse, sa i përket të dytit birë, Zuhejrit, e dija me kohë që ai nuk ishte i zoti as për ta nxjerrë macen prej përsheshi. Një fëmijë i kotë por me orekse për të emituar lidërë të mëdhenjë, madje bëri e i tha dikush se a është në gjende të ma zë vendin mua, postin e reisit, është në gjendje pa kurrfarë mëdyshje ta pranojë atë propozim.
Kurrë nuk kisha dyshuar në kundërshpërblimin e shërbimit sekret për tërë atë angazhim dhe ato punë që ua kisha kryer. Më kanë paguar, më kanë avancuar, më kanë përkrahur, më kanë ndihmuar, më kanë ngritur deri në postin e reisit por, asnjë nga këto nuk më ka gëzuar më shumë se propozimi për ta angazhuar në të ardhshmen Zeglulin në këto shërbime. Deri atëherë, kontaktet do të mbaheshin përmes Avdylit!
Po çka nëse ky propozim ka edhe “harxhin” e vet! Çka nëse qëllimisht ma fusin Avdylin sa për t’i mësuar ai të gjithë çivijat e mia dhe, kësisoj, dal nga dal, të lind ndonjë konflikt vëllavrasës në mes të tij dhe mua? Çka nëse e angazhojnë në këtë shërbim Lulin sa për të mësuar prej tij se ku jam unë, çka po bëj, si po sillem, a jam në linjë apo kam ikur për lesh! Zegluli nuk i përton spiunimit tim, madje me lezet do t’ju tregonte çdo gjë për mua, aq më tepër pasi të bëhet agjent i shërbimeve të cilat kërkojnë që të jesh i pamëshirshëm qoftë edhe për anëtarët e ngushtë të familjes? Sepse ata e dijnë që unë do të plakem, do të pensionohem dhe do të largohem sa më larg këtyre shërbimeve. Por e dijnë se kurrë nuk do të mund të heq dorë prej bashkëpunimeve me elementet e tjerë, gjithnjë të dyshimtë. Prandaj atyre ju duhet një njeri që në çdo sekond është afër meje dhe di çdo gjë për mua? E pamundshme, a! Por, siç thotë populli, këtyre qenve dhe zagarëve të tyre, nuk duhet besuar!
- Testi i parë policor i Zeglulit
Zeglul është djali im. Që kur u zu në barkun e nënës së vet, pata ëndëruar që një ditë të më bëhet polic. Edhe atë jo çfarëdo polici! Pastaj, si foshnjë, sapo nisi t’i hedhë hapat para, i bërtisja plot gaz e hare “hajt polic i babuçit hajt”! Po çfarë polici bre! A nuk është turp që djali i hoxhës të mos e trashëgojë babain e vet por të bëhet polic , më thoshin të shtëpisë! Të jesh hoxhë e të mos bëhesh polic, nuk bën. Si unë, edhe hoxhë edhe polic! I ndarë në dysh nuk është mirë ndaj, nuk do të doja që edhe djali im të ndahet në dysh, kështu që, që në start do ta orientoj për polic. Me hoxhallëk nuk ka as pare as famë.
Më vonë, kur do të më thonë që djalin do të ma pranojnë në polici desh pata fluturuar nga gëzimi. O Nuk kishte gëzim më të madh se të të pranohet djali në polici, të mësojë për polic, të të dalë një ditë polic. Djali i hoxhës me rrobe policësh. Unë rrobet e shpirtërores djali të pushtetit! Pushtet absolut ndër familje e ndër miqasi.
Djali im, Luli, nuk ishte prej atyre nxënësve për t’i thënë mashallah. Tokmak e shkuar tokmakëve. Pak me ndihmën time e pak me ndihmën e miqve e mbaroi disi shkollën e mesme. Aty ngeli. I thosha, nëse dëshiron të ecësh me grada duhet të mbaroshë edhe shkollë të lartë, ndryshe, karriera jote do të varet vetëm prej aksioneve policore. Aksionet i kishte më shumë qejf se sa mësimet, teorinë. Ai kishte menduar se pas çdo aksioni do t’i rritej nga një shkallë policore. Nuk e merrte me mend se përgjatë karrierës së vet policore ai do të ndërmerrte apo do të ishte pjesë e mijëra aksioneve. Nuk ka aq grada policore!
I pata thënë që, fillimisht, do të duhet të ndërmarrësh me qindra aksioneve, prej të cilave, me dhjetra të duhen aksione policore në familje e në miqasi. Do me thënë, disi duhet ta arsyetoshë besimin, pastaj ta përforëcoshë atë besim dhe, tek më vonë, me ndihmën edhe të servilosjes me përkushtim, do të mbërrishë deri te ndonjë gradë policore. Pas “djegies” së familjes e të miqasisë, të duhet ta harroshë edhe përkatësinë kombëtare e fetare: nëse e do nevoja duhet t’i zbrazësh edhe kacat me verë e raki në gushën tënde, nëse e do nevoja duhet t’ia përvëloshë edhe mushkritë kombit. Në polici nuk ka as fe, as komb, as familje, as miqasi, ka vetë shtet!
Im vëlla, Avdyli, do të degradohet pikërisht falë aksionit vetanak policor që do ta nërmarrë Zegluli. Do t’ia përcjellë disa aktivitete të paligjshme që i ndërmerrte Avdyli, si zëvendëshef i kufijve të shtetit, disa kalime ilegale të kufijve të shtetit, veprimtari që e cënonin rëndë itegritetin territorial të shtetit të dashur e të shtrenjtë të Maqedonisë. Pas këyre vëzhgimeve Zegluli, me ndihmën time, do ta përgatisë një raport profesional policor dhe, ky do të jetë provimi i parë i Zeglulit në fitimin e besimit të policisë shtetërore.
Ishte pak e rëndë por, e përtypshme. Ajo që nuk përtypej fare ishte momenti kur më tregoi se, një raport të tillë e kishte dhënë edhe për mua, si reisul ulema i BFI-së, me ç’rast kishte referuar mbi pasurimin tonë familjar në mënyrë të befasishme. Sa mbyll e çel sytë, Sulejman Rexhepi, prej një katundari të thjeshtë kishte nisur të shndërrohet në një aristokrat të vërtetë, ndonëse me sjellje e dukje në një boss primitiv. Raportin e kishte shkruar me plotë nuanca të mburrjes. Kjo më bëri që mos t’i hidhërohem, sepse ai në fakt ishte mburrur te policia e shtetit se çfarë babai ka. Udhëheqës fetar e menaxher shumë të mirë i vakëfit, që është në gjendje të fitojë edhe për BFI-në edhe për vete. Kësaj i thonë menaxhim i kombinuar, term i panjohur apo edhe i papërfillshëm nga finansat si lëndë më vete! Sheriati islam e njeh si tendencë për t’u krijuar një oligarki finansiare me qëllim që dikush të ketë për t’ju dhënë të varfërve. E unë këtë parim nuk e njihja, sepse, si mund t’ju jap unë fukarave kur atyre nuk u ka dhënë vetë Zoti?! Ky qëndrim i imi, i theksuar në fund të rapotit policor që e kishte përgatit Zegluli, ia kishte siguruar vlersimin më të lartë: ti kalon, sepse rrjedh prej një babai mjaft fisnik. Aferim biri im!
28.05.2018 / dardania24