Do përshkohet për 22 minuta, me 8 ndalesa.
Hekurudha Tiranë-Durrës pritet të përfundojë brenda marsit të vitit të ardhshëm. Aktualisht janë mbyllur 70% e punimeve fizike për ndërtimin e hekurudhës
Projekti do sjellë modernizimin e linjës Tiranë-Durrës dhe do të sigurojë një linjë të re të rëndësishme për të dyja qytetet në Tirana International Airport. Pritet që në vijim të rehabilitimit të hekurudhës nga Projekti, dhe shtimit të trenave të rinj, mund të arrihet shpejtësia prej të paktën 100 km/orë edhe pse nga Ministria e Infrastruktures dhe Energjise eshte deklaruar se Tiranë-Rinas do të përshkohet për 12 minuta, ndërsa Tiranë-Durrës për 22 minuta dhe 8 ndalesa, me një shpejtësi prej 160 km/orë.
Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.
Lajmin e dha zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila inspektoi nga afër ecurinë e punimeve.
Sipas saj, ky projekt është një ndër më të rëndësishmit dhe do të pasohet edhe me projekte të tjera në vijim.
“Është një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt i nisur prej kohësh me një vonesë të konsiderueshme përsa i përket pjesës së aprovimit të financimit. Megjithatë, të gjitha këto janë kapërcyer dhe sot kemi një kantier me ecuri të kënaqshme. Kemi 70% të volumit të punëve të kryera, ndërkohë që 90% e volumit të veprave të artit të përfunduar. Çfarë është më e rëndësishme që duhet thënë, hekurudha është një nga mjetet e transportit alternativ, një nga mjetet e transportit miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarit dhe një nga mjetet e transportit që vetë Bashkimi Evropian incentivon dhe shtyn përpara për realizimet e tyre. Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji në zhvillimin e rrjetit hekurudhor. Ky është projekti i parë që ne tashmë mezi presim që ta dorëzojmë”, tha Balluku.