Kina synon të shtrijë ndikimin politik në Maqedoninë e Veriut përmes ekonomisë

flamuri“Tregtia, investimet në biznes dhe kreditë për infrastrukturë janë tri shtylla kryesore, sipas të cilave Maqedonia e Veriut mbetet e varur nga Kina”, thuhet në analizën e organizatës joqeveritare Estima, që në fokus ka analizimin e politikave të Kinës, përfshirë këtu dhe qasjen ndaj Maqedonisë së Veriut.

Borxhi i jashtëm i Maqedonisë së Veriut ndaj Kinës, sipas kësaj analize, deri në fund të vitit 2022, kishte arritur vlerën e 479 milionë dollarëve, që përbën 8.7 për qind të totalit të borxhit të jashtëm publik, përkatësisht tre për qind të Bruto Prodhimit Vendor të shtetit.

Analiza e kësaj organizate nxjerr në pah se Maqedonia e Veriut vitin 2022 e ka mbyllur me 2.6 për qind investime kineze kundrejt kapitalit të përgjithshëm që ka hyrë në Maqedoninë e Veriut nga investimet e huaja.

Hulumtimi “Shpresoni për më të mirën përgatituni për më të keqen: A është Maqedonia e Veriut e ndjeshme ndaj presionit ekonomik nga Kina”, është përgatitur në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Shkupit.

Ana Kristinovska, e cila drejton organizatën joqeveritare, Estima, dhe autore e hulumtimit, thotë se borxhi i Maqedonisë së Veriut ndaj Kinës është akumuluar për shkak të kredive financiare nga bankat kineze për ndërtimin e dy projekteve infrastrukturore – hidrocentralit Kozjak dhe autostradës Miladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër.

“Projekti me autostradën duhet të mbyllet sa më shpejt, pasi vetë shtyrja e afateve na vendos në një situatë të vështirë duke kërkuar kredi të reja nga Kina, kështu na rritet borxhi i jashtëm publik”, thotë Kristinovska. Ajo shton se Kina mund të vendosë embargo në eksportin apo importin e prodhimeve të caktuara.

Nga ana tjetër, Pranvera Kasami, drejtuese e Institutit për Lidership dhe Politika Publike thotë se bizneset e caktuara preferojnë bashkëpunimin me Kinën, pasi nuk detyrohen t’i nënshtrohen transparencës.

“Nga ajo që është diskutuar deri tani, diskursi i konkludimeve shkon nga ajo se, sado joshëse mund të duken ndërhyrjet ekonomike nga Kina, ato duhet shikuar me një qëndrim shumë kritik, në veçanti sa i përket nivelit të jotransparencës, me të cilin zhvillohen dhe që i karakterizon, krahasuar me transparencën dhe monitorimet e strukturuara që zbatohen sa u përket investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike me vendet e perëndimit”, thotë ajo.

Sipas Kasamit, kjo paraqet një indikator të theksuar për rrezikshmërinë nga rritja e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, prandaj thotë se kjo kërkon më shumë vëmendje:

“Një vëmendje e shtuar i duhet kushtuar çdo lloji të marrëveshjeve dhe shkëmbimeve ekonomike, për të arritur shmangien e një sërë efekteve negative zinxhirore, në veçanti në një kohë si kjo, kritike, për Maqedoninë e Veriut – qoftë në aspektin politik, atë diplomatik, madje edhe atë ekonomik”.

Ndikimi ekonomik i Kinës lehtësisht mund të shtrihet edhe në politikë.
Ekspertë e gjeopolitikës theksojnë se ndikimi ekonomik dhe ai kulturor lehtësisht mund të shtrihet edhe në politikën maqedonase në dëm të interesave kombëtare strategjike.

Vasko Naumovskin, profesor në Fakultetin Juridik dhe ish-zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, po ashtu edhe ish-ambasador në SHBA, thotë se rajoni duhet të mbajë marrëdhënie ekonomike me Kinën, por të mbrohet nga ndikimet e mundshme negative.

“Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit po rrëshqet dhe do të shfaqet nevoja për alternativa ndaj anëtarësimit në BE. Në mungesë të perspektivës evropiane, ne duhet t’u drejtohemi proceseve drejt nesh, të cilat janë metoda për t’i arritur vetë gjatë hyrjes në BE. Nuk duhet harruar proceset e përhapjes së ndikimit në fusha të tjera, arsim, shëndetësi, rrjete sociale. Le të jemi të gatshëm, si vend, për t’i parandaluar të gjitha rreziqet dhe ato ndikime që kërcënojnë orientimet tona strategjike. Mund të nevojitet një qasje më e gjerë rajonale dhe veprim i disa vendeve, sepse vetë ndikimi nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë, por indirekt përmes vendeve të tjera”, vlerëson Naumovski.

Erolld Musliu, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës në Maqedoninë e Veriut për Radion Evropa e Lirë më parë kishte theksuar se Kina, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, ka prioritet bashkëpunimin me persona të caktuar në Maqedoninë e Veriut që janë kundër anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>