Sot në orën 11:00 në Kuvend duhet të fillojë seanca në të cilën duhet të konstituohet përbërja e re parlamentare. Në rendin e ditës të seancës janë katër pika, përkatësisht zgjedhja e Komisionit Verifikues, Verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, zgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat maksimumi tri ditë dhe Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas njoftimeve për kryetar të Kuvendit do të propozohet Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit Vlen.
Kuvendi do të ketë 120 deputetë, por në seancë pritet të marrin pjesë vetëm 118 për shkak se mandatet e tyre tashmë janë konfirmuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe atyre u janë lëshuar certifikatat. Procedurat e ankimimit janë ende në vazhdim për dy mandate që u rivotuan të mërkurën e kaluar.
Në përbërjen e re parlamentare
koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga OBRM-PDUKM ka – 58 deputetë,
koalicioni Për një të ardhme evropiane të udhëhequr nga LSDM ka 18 deputetë,
koalicioni i Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI ka 18 deputetë .
koalicioni Vlen ka 14 deputetë ,
partia e Majtë 6 deputetë dhe
ZNAM 6 deputetë.