Biden zotohet të vazhdojë garën mes sinjaleve se përkrahja për të në Kapitol po zbehet

bidenPresidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u zotua se do të vazhdojë garën për t’u rizgjedhur president, ndërsa përballet me rritje të trysninë nga demokratët që të tërhiqet pas paraqitjes së dobët në debatin presidencial.

 

Por përkundër zotimit të tij, të mërkurën ai u përballë me disa paralajmërime jo të mira. Dy ligjvënës demokratë i bënë thirrje Presidentit Biden të tërhiqet nga gara, ndërkohë që një aleat i presidentit sugjeroi publikisht se si partia mund të zgjedhë një kandidat tjetër. Këshilltarët e zotit Biden thanë se besojnë që Presidenti i ka në dispozicion vetëm disa ditë për të dëshmuar se mund të përballojë këtë sfidë para se të shqetësimi i partisë të marrë trajta më të gjera.

“Më lejoni ta them këtë sa më qartë që mundem dhe sa më thjeshtë e drejtpërdrejt: Unë po garoj… askush nuk do të më përjashtoj”, deklaroi zoti Biden gjatë bisedës me ekipin e fushatës së tij. “Nuk po largohem. Do të qëndroj në garë deri në fund dhe do të fitojmë.”

Në biseda private, Presidenti Biden është përqendruar në përpjekjet për t’u rimëkëmbur nga paraqitja e paqëndrueshme në debatin e javës së kaluar dhe kërcënimin që, sipas tij, ish Presidenti Donald Trump paraqet për vendin. Ai kërkoi vlerësimin e ekipit të tij se çfarë nuk shkoi të enjten e kaluar në Atlanta duke marrë përgjegjësi për paraqitjen e tij.

“Kishim një bisedë të drejtpërdrejt, të sinqertë për debatin, për vlerësimet e tij se çfarë kishte ndodhur dhe përse ishte i tillë,” tha Senatori demokrat nga Dellauer, Chris Coons, i cili kishte biseduar me zotin Biden të martën. “Kërkoi haptazi këshilla se çfarë duhet të bëjë për të rikthyer besimin dhe përkrahjen dhe se cila është rruga më e mirë përpara.”

Senatori Coons, aleati më i afërt i Presidentit Biden në Kapitol, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se zoti Biden e ka të qartë rëndësinë e zgjedhjeve dhe vështirësitë, ndërkohë që e kishte këshilluar Presidentin të marrë pjesë në më shumë takime të hapura, pa protokoll, për të rikthyer besimin në kandidaturën e tij.

Ata të dy biseduan edhe për agjendën e zotit Biden dhe ndikimin e saj në përpjekjet e tij politike, në veçanti në prag të samitit të NATO-s, që do të mbahet në Uashington javën e ardhshme.

Përpjekjet e zotit Biden për të shpëtuar kandidaturën e tij përfshijnë paraqitje të improvizuara me ekipin e fushatës, biseda private me ligjvënës të njohur, udhëtim të shkurtër gjatë fundjavës dhe një intervistë televizive me një nga mediat amerikane. Por ai po përballet me shenja serioze se përkrahja ndaj tij po zbehet në Kapitol dhe në mesin e aleatëve të tij.

Ligjvënësi demokrat nga Arizona, Raul Grijalva i tha të përditshmes ‘New York Times’ se edhe pse do ta mbështesë zotin Biden për sa kohë që ai të jetë kandidat, “kjo është mundësia për të vështruar diku tjetër” dhe se zoti Biden “duhet ta ketë parasysh përgjegjësinë për të mbajtur atë post – dhe pjesë e përgjegjësisë është të tërhiqet nga gara”.

Këshilltarët e lartë besojnë që zoti Biden, 81 vjeç, ka vetëm disa ditë kohë që të dëshmojë se është i aftë për postin e presidentit para se paniku dhe zemërimi rreth paraqitjes së tij në debat të shfaqet hapur, sipas dy individëve që kanë njohuri për këtë çështje, që këmbëngulën të flasin pa u identifikuar në mënyrë që të diskutojnë më lirshëm strategjinë. Presidenti e ka të qartë sa urgjente është kjo çështje, pasi ka shqyrtuar anketat dhe mbulimin mediatik, por ai është i bindur se mund ta bëjë këtë gjatë ditëve në vijim dhe është i vendosur që të mos tërhiqet nga gara, thonë ata.

Për më shumë se një orë, të mërkurën mbrëma Presidenti Biden takoi personalisht dhe virtualisht, mbi 20 guvernatorë demokratë, të cilët më pas i përshkruan bisedat si të “sinqerta”, por thanë se do të vazhdojnë të mbështesin zotin Biden përkundër shqetësimeve rreth fitores së mundshme të zotit Trump në nëntor.

“Presidenti është kandidati ynë. Presidenti është udhëheqësi i partisë tonë,” deklaroi Governatori i Merilendit, Wes Moore. Ai shtoi se, në takim, zoti Biden “e bëri shumë të qartë se i ka hyrë garës për të fituar.”

Përkundër fjalëve përkrahëse, njëri prej donatorëve kryesorë të Demokratëve, njëri prej themeluesve të platformës televizive “Netflix”, Reed Hastings gjithashtu i bëri thirrje Presidentit të tërhiqet nga gara, duke thënë, “zoti Biden duhet të largohet për t’i hapur rrugë një udhëheqësi energjik nga radhët e demokratëve që të mund zotin Trump”.

Kjo deklaratë u bë pasi që ligjvënësi Jim Clyburn, një mik i vjetër dhe i besueshëm i zotit Biden, tha se do të mbështeste mbajtjen e një “konvente të vogël” para Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate që do të mbahet në gusht, nëse zoti Biden bie dakord të tërhiqet nga gara. Përfaqësuesi demokrat nga Karolina e Jugut i dha zë kësaj ideje me qëllim për t’i hapur rrugë propozimit të kandidatëve alternativë gjatë një takimi virtual të demokratëve , që pritet të mbahet para kuvendit të partisë më 19 gusht në Çikago.

Shumica e ligjvënësve demokratë po presin të shohin se zhvillohet situata më tej varësisht nga anketimet e reja dhe intervista e planifikuar e zotit Biden për televizionin amerikan ABC News, sipas zyrtarëve demokratë.

Disa vëzhgues sugjerojnë se nën-presidentja Kamala Harris po del në pah si kandidatja më e favorshme për të zëvendësuar zotin Biden në rast të tërheqjes, ndonëse zyrtarët e përfshirë në biseda private thonë se guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer janë alternativa të qëndrueshme. Por për disa nga njerëzit në rrethin e ngushtë, zonja Harris konsiderohet si mundësia më e mirë për të bashkuar shpejt partinë dhe për të shmangur përçarjet.

Por përkundër trysnisë, zoti Biden dhe zonja Harris bën një paraqitje të befasishme në një takim fushate.
“Ashtu siç e kemi mundur Donald Trumpin në vitin 2020, do ta mundim sërish në vitin 2024,” deklaroi zoti Biden, duke u thënë pjesëmarrëseve se ai nuk do të pranojë të tërhiqet nga gara. Zonja Harris shtoi: “Nuk do të dorëzohemi. Do të mbështetemi tek presidenti ynë. Do të luftojmë dhe do të fitojmë.”

E pyetur nëse Presidenti Biden po shqyrton dorëheqjen, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha “absolutisht jo.”

Por demokratët mbeten të pakënaqur me sqarimet e zotit Biden dhe stafit të tij rreth paraqitjes në debat. Një grup drejtuesish biznesesh, akademikësh dhe intelektualësh, i njohur si “Leadership Now Project”, përmes një letre theksuan se “kërcënimi për një mandat të dytë të zotit Trump” është mjaft i madh dhe zoti Biden duket “t’ia kalojë flakadanin e kandidaturës presidenciale gjeneratës së re të demokratëve shumë të aftë.”

Selia e fushatës së zotit Trump lëshoi një deklaratë duke thënë se “secili demokrat” që tani po i bën thirrje presidentit “të largohet dikur ishte mbështetës i Biden-it.”

Sipas anketave, zoti Trump ka një epërsi të vogël ndaj zotit Biden. Në anketën e rrjetit CNN dhe kompanisë SSRS, rreth 7 në 10 votues, dhe 45 për qind e demokratëve, thonë se aftësia fizike dhe mendore e zotit Biden është arsye për të votuar kundër tij.

Ndërkaq, rreth 6 nga 10 votues, përfshirë një e katërta e demokratëve, thonë se rizgjedhja e zotit Biden në postin e presidentit do të ishte zgjedhje e rrezikshme, sipas anketës së New York Times/Siena College. Kjo anketë gjithashtu tregoi se demokratët janë të ndarë nëse zoti Biden duhet të vazhdojë të jetë kandidati i tyre.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>