Çmim Nobel tre ekonomistëve që konkluduan se shoqëritë e lira sjellin më shumë begati

NobelÇmimi Nobel në ekonomi iu dha të hënën tre ekonomistëve që kanë studiuar arsyet se përse disa vende janë të pasura dhe të tjera të varfra. Ata dokumentuan se shoqëritë më të lira dhe të hapura, kanë më shumë gjasa të përparojnë.

 

Puna e Daron Acemoglut, Simon Johnsonit dhe James A. Robinsonit “tregoi rëndësinë e institucioneve shoqërore për përparimin e një vendi”, u shpreh komiteti për Çmimin Nobel i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.

Zoti Acemoglu dhe zoti Johnson punojnë në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, ndërsa zoti Robinson është studiues në Universitetin e Çikagos.

Jakob Svensson, kryetar i Komitetit për Çmimin në Shkencat Ekonomike, tha se analiza e tyre ka ofruar “një kuptim shumë më të thellë të shkaqeve rrënjësore se përse vendet dështojnë ose ia dalin mbanë”.

I njoftuar për çmimin e akademisë ndërsa gjendej në Athinë, Greqi, ku do të fliste në një konferencë, zoti Acemoglu me origjinë turke, 57 vjeç, tha se ishte i habitur nga dhënia e çmimit.

“Nuk e prisja kurrë diçka të tillë”, tha ai.

Zoti Acemoglu tha se puna kërkimore e vlerësuar me këtë çmim nënvizon vlerën e institucioneve demokratike.

“Mendoj se në përgjithësi puna që kemi bërë favorizon demokracinë”, tha ai gjatë një telefonate me komitetin Nobel dhe gazetarët në Stokholm.

Por, ai shtoi se: “Demokracia nuk është përgjigja për gjithçka” dhe se prezantimi i demokracisë në një shoqëri është shumë i vështirë dhe ndonjëherë krijon konflikt.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Robinson, 64 vjeç, tha se dyshon se Kina mund të vazhdojë të përparojë ekonomikisht për sa kohë që mban një sistem shtypës politik.

“Ka shumë shembuj në historinë botërore të shoqërive të tilla që funksionojnë mirë për 40, 50 vjet”, tha zoti Robinson nëpërmjet telefonit. “Ajo që shihni është se nuk është kurrë e qëndrueshme… Bashkimi Sovjetik ia doli mirë për 50 apo 60 vjet”.

Zoti Robinson tha se shumë shoqëri kanë realizuar me sukses kalimin në atë që ai, zoti Acemoglu dhe zoti Johnson e quajnë një “shoqëri gjithëpërfshirëse”.

“Shikoni Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Robinson. “Ky ishte një vend i skllavërisë, privilegjit, ku gratë nuk lejoheshin të merrnin pjesë në ekonomi apo të votonin”.

“Çdo vend që është aktualisht relativisht gjithëpërfshirës dhe i hapur e bëri këtë tranzicion”, shtoi ai. “Në botën moderne, ju e keni parë këtë në Korenë e Jugut, në Tajvan, në Mauritius”.

Zoti Acemoglu dhe zoti Robinson botuan në vitin 2012 studimin e mirënjohur, “Përse Vendet Dështojnë: Origjina e Fuqisë, Begatisë dhe Varfërisë”, ku argumentohet se problemet e krijuara nga njeriu ishin përgjegjëse për mbajtjen e vendeve në varfëri.

Në studimin e tyre, fituesit e Çmimit Nobel shqyrtonin, për shembull, qytetin Nogales, i cili shtrihet në dy anët e kufirit SHBA-Meksikë.

Pavarësisht se ndajnë të njëjtën gjeografi, klimë dhe një kulturë të përbashkët, jeta është shumë e ndryshme në dy anët e kufirit. Në Nogales të Arizonas, në veri, banorët janë relativisht të pasur dhe jetojnë gjatë; shumica e fëmijëve mbarojnë shkollën e mesme. Në jug, në Nogales të Meksikës, banorët janë shumë më të varfër dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni janë të bollshme.

Dallimi, konkluduan ekonomistët, është se sistemi amerikan mbron të drejtat e pronës dhe u jep qytetarëve të drejtën për të vendosur për qeverisjen e tyre.

voa

 

 

 

 

 

BE, sanksione zyrtarëve dhe kompanive iraniane për furnizimin e Rusisë me dronë dhe raketa

 

Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj zëvendësministrit iranian të mbrojtjes, drejtuesve të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit dhe tre kompanive ajrore për shkak të përfshirjes në furnizimin e Rusisë me dronë, raketa dhe pajisje të tjera, që janë përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës.

 

Zëvendësministri i Mbrojtjes Seyed Hamzeh Ghalandari është njëri prej shtatë zyrtarëve të cilëve u është ndaluar hyrja në Evropë dhe pasuritë e pronat e të cilëve janë ngrirë. BE-ja tha se ai “është përfshirë në zhvillimin e programit të dronëve dhe raketave të Iranit”, duke marr parasysh rolin e tij të lartë në strukturën e mbrojtjes.

Pronat e kompanive ajrore “Iran Air”, Mahan Air dhe Saha Airlines u ngrinë. BE-ja tha se aeroplanët e tyre janë “përdor vazhdimisht për të transportuar dronë të prodhuar në Iran dhe teknologji tjera të ngjashme në Rusi, të cilat janë shfrytëzuar në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”.

Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së i mbështetën sanksionet gjatë takimit në Luksemburg.

Në mars, BE-ja paralajmëroi se “nëse Irani i transferon raketa balistike dhe teknologji të ngjashme Rusisë për përdorim kundër Ukrainës, BE-ja do të jetë e gatshme të përgjigjet shpejt, përfshirë me masa të reja dhe të rënda kufizuese”.

Shtetet anëtare të BE-së, me përjashtimin e Hungarisë, që nga fillimi i sulmit të Rusisë në shkurt të vitit 2022 e kanë furnizuar Ukrainën me armatim dhe i kanë dhënë asaj ndihmë ekonomike dhe ndihma të tjera në vlerë prej 118 miliardë eurosh.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>