Kurtulmus: Është qëllim real që këmbimi tregtar mes RMV-së dhe Turqisë të arrijë 2 miliardë dollarë

kurtulmusKryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë Numan Kurtulmus, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, thotë se bashkëpunimi parlamentar ndjek marrëdhëniet e përgjithshme miqësore dhe bilaterale mes dy vendeve, por pret edhe dyfishim të investimeve turke në vend.

 

“Ka marrëdhënie të ngushta mes dy vendeve që reflektohen në vetë bashkëpunimin ekonomik. Sa i përket vëllimit të tregtisë dypalëshe mes dy vendeve tona, vëllimi tregtar është afër një miliard dollarë dhe mendojmë se është i pamjaftueshëm. Ne besojmë se qarkullimi prej dy miliardë dollarësh është një synim real që mund të arrihet dhe e di që të dyja palët kanë vullnet për të zhvilluar tregtinë dypalëshe. E dimë se në vend ka një numër të madh të investitorëve turq, të cilët sipas njohurive dhe informacioneve që kam, ofrojnë punësim për mbi 10 mijë qytetarë të këtij vendi”, tha Kurtulmus.

Ai shtoi se kompanitë turke, janë të pranishme edhe në projektet infrastrukturore, por thekson edhe faktin se në tetor në vend është hapur zyra rajonale e kompanisë së industrisë së mbrojtjes “Aselsan”.

 

“Sigurisht, me këtë rast dua të nënvizoj faktin se në industrinë e mbrojtjes kemi zhvillim të bashkëpunimit bilateral, faktin se kompania shtetërore turke nga industria e mbrojtjes “Aselsan” ka hapur një zyrë në Shkup, e cila është jo vetëm përgjegjës për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit. Mendoj se është shumë domethënëse në drejtim të thellimit të bashkëpunimit tonë”, tha ai.

Sa i përket bashkëpunimit në turizëm, Kurtulmus tha se Maqedonia ka një vend të jashtëzakonshëm për turistët turq, veçanërisht Shkupi dhe shumë qytete të tjera, të cilat, siç theksoi, ngjajnë shumë me qytetet e vjetra osmane si Bursa, Manisa dhe Amasya.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>