Samiti për Ukrainën: Evropa reagon ndaj kursit të ri të SHBA

MacronSHBA këmbëngulin për negociata në luftën në Ukrainë. Krerët e shteteve e qeverive evropiane takohen sot në një samit të jashtëzakonshëm. Çfarë është në rrezik? Çfarë roli mund të luajë Evropa në një marrëveshje paqeje?

 

Pas iniciativës së presidentit amerikan Donald Trump për negociata për luftën kundër Ukrainës, Franca po pret sot një samit të disa vendeve evropiane. Qëllimi është të diskutohet situata në Ukrainë dhe “sfidat për sigurinë në Evropë”.

Për se bëhet fjalë në samit?

Çështja kryesore është se si duhet të reagojë Evropa ndaj ndryshimit drastik të kursit të SHBA-së ndaj Ukrainës. Synimi është të detyrohet Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski dhe Presidenti rus Vladimir Putin të negociojnë një fund të luftës dhe të transferohet përgjegjësia për sigurimin e një marrëveshje paqeje te evropianët.

Për këtë qëllim, Berlinit dhe kryeqyteteve të tjera evropiane i është kërkuar kohët e fundit të japin informacion mbi kontributet e mundshme në garancitë e sigurisë për Ukrainën. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, këto shtete duhet të tregojnë, ndër të tjera, sa ushtarë mund të dërgojnë në Ukrainë për një forcë paqeruajtëse ose programe stërvitore pas përfundimit të luftës. Do të diskutohen gjithashtu sistemet e armëve dhe çështja se çfarë pritet nga SHBA.

Në të njëjtën kohë, evropianët duhet të vendosin se si duan të merren me faktin që amerikanët nuk shohin një rol qendror për ta në procesin e negociatave, dhe po kërkojnë lëshime nga Ukraina pa u marrë vesh. Për të mundësuar fundin e luftës në Ukrainë, SHBA besojnë se Ukraina duhet të braktisë shpejt ambiciet e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe të pranojë që një pjesë e territorit të saj të mbetet përgjithmonë nën kontrollin rus.

 

Kush do të marrë pjesë në takim?

Përveç kancelarit gjerman Olaf Scholz, marrin pjesë edhe krerët e shteteve dhe qeverive të Britanisë së Madhe, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës dhe Danimarkës. Të pranishëm do të jenë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit, António Costa dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Mikpritës do të jetë presidenti francez Emmanuel Macron.

 

Si e pozicionojnë veten evropianët?

Kryeministri britanik Keir Starmer ka shprehur “gatishmërinë” për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainën e sulmuar nga Rusia. Në një artikull si i ftuar për gazetën Telegraph, Starmer shkroi se Mbretëria e Bashkuar mund të marrë një “rol udhëheqës” në punën për garancitë e sigurisë për Ukrainën. Nëse lufta do të përfundonte, kjo do të nënkuptonte gjithashtu vendosjen e trupave në terren nëse është e nevojshme.

Kancelari Scholz kërkoi një të drejtë bashkëvendosjeje për evropianët në negociata. “Ne duhet të pyetemi, sepse pa ne nuk funksionon asgjë”, tha kancelari në debatin televiziv mes kandidatëve kryesorë për zgjedhjet në RTL dhe ntv. Nuk do të ketë “garanci sigurie që nuk i kemi zhvilluar vetë dhe nuk i pranojmë për veten tonë”.

Një këshilltar i presidentit francez Macron tha se vendet evropiane duhet “të bëjnë më shumë dhe më mirë” për të garantuar sigurinë e tyre kolektive. Varet nga “në çfarë kushtesh mund të arrihet fundi i luftës”. Interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës duhet të ruhen.

 

Pse po mbahet në Paris samiti?

Siç ka bërë shpesh në kohë krize,Macron mori iniciativën për të vepruar si nxitës dhe moderator i një zgjidhjeje të mundshme në skenën ndërkombëtare. Pothuajse një vit më parë, ai solli debat me idenë e vendosjes së trupave tokësore në Ukrainë. Dhe me rastin e rihapjes së Katedrales Notre Dame, pak para Krishtlindjeve, ai arriti t’i bëjë Trump dhe Zelenskin të ulen në tryezë në Paris për bisedime të para për përfundimin e luftës.

Pak më parë, Macroni tërhoqi vëmendjen me një iniciativë në favor të një kontigjenti ushtarak ndërkombëtar në Ukrainë, për të garantuar një armëpushim të mundshëm. Detajet e nismës së Parisit për të dërguar trupa paqeruajtëse nuk u zbuluan. Prania e trupave për programet e trajnimit ushtarak të forcave të armatosura të Ukrainës është gjithashtu e përfytyrueshme. Kjo mund të përfaqësojë gjithashtu një garanci sigurie për Ukrainën, diçka që po diskutohet aktualisht në Paris.

 

A priten rezultate?

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha në Berlin se nuk priten marrëveshje konkrete. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, përfundimi ideal i takimit do të jetë që shtetet pjesëmarrëse të bien dakord për një strategji të përbashkët qëndrimi ndaj administratës së re amerikane dhe ideve të saj për një zgjidhje të luftës në Ukrainë. Konkretisht, mund të bëhet fjalë për ofertat që mund t’i bëhen Trumpit dhe cilat janë vijat e kuqe. Megjithatë, nuk priten njoftime publike, për shembull, për madhësinë e mundshme të një kontigjenti të trupave evropiane për Ukrainën.

Komisioni Evropian tha se bisedimet e së hënës duhet të vazhdojnë në formate të tjera, me synimin për të bashkuar të gjithë partnerët e interesuar për paqen dhe sigurinë në Evropë.

 

Pse u organizua samiti me kaq urgjencë?

Faktori vendimtar ishte presioni nga SHBA, të cilat duan të organizojnë bisedime të nivelit të lartë me përfaqësuesit rusë në Arabinë Saudite në të ardhmen e afërt. Nëse evropianët duan të mbajnë të hapur mundësinë e ndikimit në negociata, ata duhet të kenë një qëndrim të përbashkët deri atëherë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rutte e përshëndeti shprehimisht nismën në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ai tha se është shumë i kënaqur që do të ndodhë takimi. Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti të dielën pikëpamjen e tij se Vladimir Putin është i interesuar për t’u dhënë fund luftimeve. “Unë mendoj se ai dëshiron t’i japë fund,” tha Trumpi. Ashtu si ministri i tij i jashtëm, Marco Rubio, para tij, Trump tha se Ukraina do të përfshihej në bisedimet për një paqe të mundshme.

Pse nuk marrin pjesë menjëherë në takim të gjitha shtetet e BE ?

Një arsye mund të jetë se është shumë më efektive të punosh në grupe të vogla sesa në grupe të mëdha. Përfytyrohet gjithashtu që prania e kryeministrit hungarez Viktor Orbán nuk ka qenë e dëshiruar. Politikani nacionalist i krahut të djathtë konsiderohet admirues dhe i besuar i ngushtë i Trumpit.

aud (tgs, dlf, ag)

Macron ScholzScholz: Duhet të ketë unitet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mbi sigurinë e Ukrainës

 

Presidenti francez Emmanuel Macron po zhvillon bisedime me një grup udhëheqësish evropianë , të përqëndruara tek situata në Ukrainë, mes një ndryshimi në qasjen amerikane ndaj konfliktit dhe sugjerimeve të bëra nga zyrtarë amerikanë, se Evropa nuk do të ketë rol në bisedimet e paqes.

Në këtë takim po marrin pjesë udhëheqës nga Britania, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Holanda dhe Danimarka.

Kryeministri britanik Keir Starmer pas takimit tha se duhet të ketë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara për vendet evropiane për të dërguar forca paqeruajtëse në Ukrainë, pas arritjes së një marrëveshje të paqes.

“Evropa duhet të luajë rolin e saj dhe unë jam i gatshëm të shqyrtojë angazhimin e forcave britanike në terren së bashku me të tjerët, nëse ka një marrëveshje paqeje të qëndrueshme, por duhet të ketë një mbështetje të Uashingtonit. Një garanci sigurie e Shteteve të Bashkuara është e vetmja mënyrë për të penguar me sukses Rusinë nga përsëritja e sulmit ndaj Ukrainës”, u tha Kryeministri Starmer gazetarëve.

Po kështu i pranishëm në takim ishte edhe shefi i NATO-s Mark Rutte, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, si dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Kancelari gjerman Olaf Scholz pas takimit bëri thirrje për unitet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mbi sigurinë e Ukrainës.

“Nuk duhet të ketë ndarje të sigurisë dhe përgjegjësisë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, u tha zoti Scholz gazetarëve pas një takimi të nivelit të lartë evropian në Paris.

“Me fjalë të tjera, NATO-ja mbështetet në faktin se ne gjithmonë veprojmë së bashku dhe ndajmë rrezikun, duke garantuar kështu sigurinë tonë. Kjo nuk duhet të vihet në dyshim”.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se takimi ishte jo formal dhe nuk ishte e paraparë për të marrë vendime. Ajo shprehu bindjen se pavarësisht përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, “unë nuk shohë asnjë shenj se rusët duan paqe”.

Para takimit Presidenti Macron bisedoi me homologun amerikan Donald Trump, sipas një njoftimi të zyrës së presidentit të Francës.

Ende nuk janë dhënë detaje për bisedën mes dy udhëheqësve.

Keith Kellogg, i dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, u tha gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel të hënën se askush nuk do të imponojë një marrëveshje paqeje ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Sipas zotit Kellog është populli i Ukrainës ai që do të vendosë.

Ai shtoi se ende po punohet për realizimin e një takimi të tij në Ukrainë, me Presidentin Zelensky.

Ditët e fundit udhëheqësit evropianë kanë premtuar mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën. Kryeministri britanik Keir Starmer ka thënë se qeveria e tij ishte gati të dërgonte trupa në këtë vend, si pjesë e një force paqeruajtëse që mund të shkonte atje pasluftës.

“Nuk është një gjë të cilën e them me lehtësi”, tha ai të dielën për gazetën ‘Daily Telegraph’. “E ndjej shumë thellë përgjegjësinë që vjen me vënien e mundshme të ushtarakëve, gra e burra britanikë, në rrezik”.

Zoti Starmer shtoi se sigurimi i një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë ishte thelbësore për të penguar Presidentin rus Vladimir Putin që të kryejë akte të tjera agresioni.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha të hënën se vendi i tij nuk e përjashtonte kontributin me trupa për një forcë paqeruajtëse e cila do të kishte një “mandat të qartë”.

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa tha se Konferenca e Sigurisë e Mynihut që u mbajt javën e kaluar kishte si mesazh të qartë se siguria e Ukrainës dhe Bashkimit Evropian “nuk mund të ndahen”.

“Nuk do të ketë negociata të besueshme dhe të suksesshme, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme, pa Ukrainën dhe pa Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio mbërriti të hënën në Arabinë Saudite për takime, përfshirë bisedimet që priten të martën me diplomatët rusë për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Në bisedime pritet të marrë pjesë i dërguari i SHBA-ve për Lindjen e Mesme Steve Witkoff si dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare Mike Waltz.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>