Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot në orën 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të nisë procesi i numërimit të votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike, i zhvilluar më 8 shkurt.
Sot është paraparë të nisë numërimi i votave të qytetarëve që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Bëhet fjalë për 15.552 vota të bashkatdhetarëve që e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar në konsullata.
Gjithashtu janë edhe 62.990 zarfe me vota të diasporës, të cilat kanë ardhur përmes postës. Këto vota dhe votat me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara pritet të nisin të numërohen gjatë javës
Vetëm pasi të përfundojë numërimi të gjitha këtyre votave, KQZ-së i hapet rruga për të dalë me rezultatet përfundimtare. KQZ-ja ka paraparë që deri më 5 mars t’i shpallë rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve.
Përndryshe as mbledhja e së martës së KQZ-së nuk ka kaluar pa tension. PDK kërkoi hetime për, siç tha, disa kuti votash të dyshimta, ndërsa VV e kundërshtoi këtë.
Krijimin e një komisioni për t`i hetuar disa raste të kutive të dyshimta e kërkoi anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi. Ai kërkoi që të sqarohet edhe votimi deri në mesnatë në QKUK. Por, kështu nuk mendoi anëtari i VV në këtë institucion, Alban Krasniqi.
Në mbledhje u bënë të ditura arsyet e refuzimit të 4.865 pakove me fletëvotime të dërguara në kutitë postare të KQZ-së. Numri më i madh i votave janë refuzuar gjatë fazës së aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës.
rtk