Rutte në Kosovë:Dialogu kërkon fleksibilitet dhe kompromise

rutteSekretari i Përgjithshëm, i NATO-s, Marc Rutte, gjatë vizitës në Prishtinë u takua me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Ai bëri thirrje për avancimin e dialogut, që sipas tij, kërkon kompromise dhe dobi afatgjata.

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise të duhura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të fokusohen në dobitë afatgjata. Sipas shefit të NATO-s, palët duhet të zgjedhin diplomacinë para dhunës, duke theksuar se kjo kërkon “vendime të vështira”. Këto komente, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i bëri në një konferencë për media gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise të duhura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të fokusohen në dobitë afatgjata. Shefi i NATO-s, pas vizitës në Bosnje dhe Hercegovinë, qëndroi në Kosovë, ku mbajti një konferencë për media së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të ofruar një të ardhme të qendrueshme, duke mbrojtur të gjitha komunitetet. Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e duhura dhe të fokusohen në dobitë afatgjata. E kuptoj plotësisht që kjo kërkon vendime të vështira, por duhet ta shohim në një plan më të gjerë”, tha Mark Rutte.

Sipas tij, “normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe, si rezultat, më shumë siguri afatgjatë për të gjithë rajonin, në dobi të të gjithëve. Ky është mesazhi që do të vazhdoj ta përsëris”.

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Përkushtimi i Aleancës për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon mbetet i qëndrueshëm

“Trupat tanë punojnë pa pushim për të siguruar një mjedis me rend dhe siguri, në përputhje me mandatin e KFOR-it. Një rajon më i sigurt nënkupton më shumë siguri për të gjithë zonën e NATO-s. Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo zhvillimi të sigurisë dhe, në këtë kuptim, shpresojmë të shohim një bashkëpunim edhe më të thellë mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it”, tha Rutte. I pyetur rreth rritjes së një retorike nacionaliste në Serbi në raport me Kosovën, shefi i NATO-s tha se KFOR-i ka kontakte me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se ai do ta presë në Bruksel presidentin serb në ditët e ardhshme.

“Gjithsesi, duhet ta bëjmë të qartë se të gjitha palët e sigurisë në rajon duhet të punojnë në të njëjtin drejtim, dhe të njëjtën gjë e thashë edhe gjatë vizitës sime në Sarajevë. Kam pasur takim me komandantin e KFOR-it në Kosovë dhe jemi në kontakt edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Atë do ta takoj në ditët e ardhshme në Bruksel, duke i përcjellë mesazhin e të gjithë partnerëve se vetëm bashkërisht mund ta sjellim paqen në këtë rajon”, tha Rutte.

Sa i përket luftës në Ukrainë, shefi i NATO-s tha shkurt se falënderon Presidentin amerikan Donald Trump dhe se, sipas tij, “është bërë një kapërcim në kuptimin e nisjes së negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë”.

Osmani: Ballkani nuk duhet të ketë vakuume sigurie

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që ishte mikrpitësja e kreut të NATO-s, tha se Kosova do të vazhdojë të jetë aleat i besueshëm i NATO-s dhe, sipas saj, rajoni i Ballkanit “nuk duhet të ketë vakuume të sigurisë që mund të keqpërdoren nga faktorë malinj”.

“Siç e thatë me të drejtë ju, z. Rutte, në Bosnje dhe Hercegovinë, ky rajon nuk duhet të ketë vakume të sigurisë, sepse, siç ka dëshmuar historia, ato shpeshherë janë keqpërdorur nga faktorë malinj, të cilëve nuk u intereson paqja dhe siguria, por vetëm kaosi dhe jostabiliteti. Për këtë qëllim, ne dëshirojmë të thellojmë partneritetin me NATO-n dhe me të gjithë aleatët, duke e zhvilluar çdo ditë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në një ushtri bashkëkohore dhe profesionale”, tha Osmani.

Osmani adresoi kritika ndaj Serbisë: “Ajo vazhdon të minojë përpjekjet për paqe dhe stabilitet”.

“Jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat po ballafaqohemi dhe për kërcënimet që vazhdojnë të rëndojnë mbi sigurinë e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Serbia vazhdon të minojë përpjekjet për paqe dhe stabilitet. Beogradi synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin. Sulmet në veri të Kosovës dhe sulmet ndaj NATO-s në vitin 2023, të organizuara dhe të mbështetura nga strukturat e Serbisë, janë dëshmi e qartë e këtij rreziku. Prandaj, prania e NATO-s në Kosovë nuk është vetëm garanci për ne, por edhe një barrierë kundër çdo përpjekjeje për cenimin e paqes dhe stabilitetit”, tha Presidentja Osmani.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, në Kosovë, ka gjithsej 4.686 trupa nga 29 vende të botës që shërbejnë aktualisht në Kosovë. Më shumë se gjysma e këtyre trupave janë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia. NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>