Ekspertët amerikanë me qasje të re për Ballkanin: Situata atje si “eshtrat e thyer, të vendosur me ngut dhe shëruar gabimisht”

trump merkelEuropa dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të rregullojnë Ballkanin Perëndimor dhe nuk ka funksionuar. Nevojitet një qasje e re.

Ky mund të jetë konkluzioni i nxjerrë nga një shkrim i tre autorëve, njëri prej të cilëve është edhe ish-përfaqësuesi i presidentit të SHBA-së në negociatat për statusin e Kosovës, diplomati amerikan dhe ambasadori, Frank Wisner.

Përveç tij, autor i shkrimit është edhe Cameron Munter, drejtor ekzekutiv dhe president i Institutit EastWest në Nju Jork. Një diplomat amerikan me karrierë për tre dekada, ai shërbeu edhe si ambasador i SHBA-së në Serbi (2007-2009).

Gjithashtu, bashkautor është edhe Marko Prelec, një specialist për Evropën Jugore dhe Lindore dhe një ekspert për shtetet e ish-Jugosllavisë.

Siç thuhet në shkrimin e tyre, përcjell Telegrafi, siç e tregoi Samiti i fundit i Berlinit, udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë e kuptojnë se ata duhet të përqendrohen në zgjidhjet reale të problemeve të Ballkanit Perëndimor.

“Vizioni i ‘Europës së tërë, të lirë dhe në paqe’ ka një cep të papërfunduar që tani e quajmë Ballkanin Perëndimor, i njohur më parë si Jugosllavia, para se ai vend të shpërbëhej nga luftë, spastrimi etnik dhe gjenocidi”.

“Vendet atje – Bosnja, Kosova, Serbia, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi – janë të qetë tani, por është një qetësi mashtruese”.

“Rajoni është në telashe, të cilat lehtë mund të përhapen në pjesën tjetër të Evropës dhe ndikojnë në interesat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara”, thuhet ndër tjerash në shkrimin e publikuar nga nationalinterest.org..

Problemet më të vështira, konsiderojnë autorët, janë marrëdhënia midis Serbisë dhe ish-krahinës, tani një republikë e pavarur, Kosovës; dhe konfliktet brenda Bosnje-Hercegovinës mbi identitetin dhe mbijetesën e atij shteti.

Këto probleme, thuhet tutje, “janë si eshtra të thyer që janë vendosur me ngut dhe shëruar gabimisht: ato ndikojnë në gjithçka dhe do të vazhdojnë të shkaktojnë telashe. Në krye të këtyre çështjeve, i gjithë rajoni vuan nga korrupsioni endemik, kapaciteti i ulët i shtetit dhe qeverisja nga patronazhi dhe klientelizmi dhe jo nga ligji”.

Gjithashtu, konsiderojnë Wisner, Munter dhe Prelec, ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është rritur në vitet e fundit.

“Ndërsa aftësia e saj për të luajtur një rol vendimtar në rajon është i kufizuar, Rusia mund të jetë e padobishme dhe shkatërruese”.

Dhe çfarë duhet të bëhet?

Sipas autorëve, ndonëse Europa dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të rregullojnë Ballkanin Perëndimor, kjo nuk ka funksionuar. Andaj, vlerësojnë ata, nevojitet një qasje e re, e cila pranon seriozitetin e problemit dhe pranon se do të duhet një kohë e gjatë dhe burime të rëndësishme për ta zgjidhur atë.

“Përpjekjet e kaluara kanë qenë të gabuara në dy mënyra: duke injoruar problemet reale dhe duke u përpjekur të zgjidhen shumë shpejt. Për shumë vite, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i inkurajuan liderët lokalë që ta zhvendosnin vëmendjen nga problemet më të vështira, të cilat i bënë ato në konflikt të ashpër me njëri-tjetrin, në punën teknike dhe apolitike të integrimit me Bashkimin Evropian dhe NATO. Shpresa ishte se në këtë mënyrë ndryshe, konfliktet e padurueshme do të zbuteshin dhe do të bëheshin të tretshme. Tani është e qartë se kjo qasje nuk do të funksionojë”.

“Çdo përpjekje për të krijuar një ‘Big Bang’, qoftë në rifreskimin e kushtetutës së Bosnjës apo në tejkalimin e zbrazëtirave midis Beogradit dhe Prishtinës, ka dështuar. Çdo zgjidhje e pranueshme do të përfshijë kompromise të dhimbshme”.

“Këto probleme nuk mund të zgjidhen brenda natës. Ata kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe të duruar gjatë shumë viteve, nga shumë njerëz, të udhëhequr nga aktorë lokalë me mbështetje nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara”.

“Kërkimi për zgjidhje duhet të vazhdojë, por në heshtje, mundësisht larg nga shkëlqimi i publicitetit dhe pa shpresa jorealiste për fitore të shpejta. Aktorët e jashtëm mund të ndihmojnë me ndjekjen e diplomacisë 2, jashtë syrit publik dhe jashtë faqeve të para (të mediave). Kuptohet, përparimi mund të marrë një kohë të gjatë…”, shkruhet tutje në shkrimin e tyre.

Ata gjithashtu kërkojnë që, ndërsa bëhet kërkimi i përgjigjeve për pyetjet e mëdha të Ballkanit dhe përparimi drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, Evropa duhet të ndihmojë rajonin të mbështesë veten së bashku dhe të rindërtojnë lidhjet ndërmjet tyre.

“Është një ironi e trishtuar që është më e vështirë sot të udhëtosh nga një pjesë e asaj që dikur ishte Jugosllavia, në një tjetër, sesa të shkosh nga Varshava në Paris. Lëvizja e lirë e njerëzve, ideve, parave, mallrave, shërbimeve brenda Ballkanit dhe midis rajonit dhe Evropës do të kërkojë shumë për të ndërtuar besimin dhe për të krijuar një kërkesë për qeverisje të mirë”.

Integrimi në arkitekturën politike, ekonomike dhe të sigurisë perëndimore, vlerësojnë autorët, është ende një qëllim i denjë, madje thelbësor, por është shumë vite larg.

Megjithatë, konsiderojnë ata, integrimi nuk do të zgjidhë në vetvete problemet politike të rajonit.

“NATO dhe BE mund të pranojnë vetëm shtetet e rregulluara mirë dhe në paqe në vete dhe me fqinjët e tyre. Dy konfliktet e mbetura ballkanike e ndalojnë pikërisht këtë: ato e bëjnë të pamundur formimin e shteteve të qëndrueshme dhe të rregullta. Askush nuk dëshiron një partner për të cilin sundimi i ligjit është një shaka dhe fqinjët e të cilëve janë armiq”.

Ata përmendin edhe një zgjidhje të kohëve të fundit, atë të refuzimit të Greqisë për të pranuar emrin e Maqedonisë, të cilat e zgjidhën këtë çështje me një emër të ri kompromisi.

“Kjo ishte më e lehtë nga problemet e mëdha të Ballkanit. Megjithatë, iu deshën gati tridhjetë vjet, me një kosto të tmerrshme. Maqedonia veriore humbi rreth pesëmbëdhjetë vjet progres në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe BE, pasi cilësia e qeverisjes së saj shkoi nga më të mirat në më të keqen në rajon”.

Maqedonia Veriore tani është në rrugë të vështirë, por me shpresë, shkruajnë Wisner, Munter dhe Prelec.

“Nuk ka kohë për të humbur për Bosnjën, Kosovën dhe Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit. Momenti është i pjekur për udhëheqjen e Evropës, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, për t’u rifokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe për t’i dhënë rajonit dhe çështjeve të tij vëmendjen që meriton”.

“Dhe kështu, nuk mjafton që ne të mbështetemi në mekanizmat ekzistues për të adresuar këto sfida në Ballkanin Perëndimor. Udhëheqësit evropianë kanë të drejtë të angazhohen dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme t’i mbështesin këto përpjekje”, përfundohet në shkrimin e Wisner, Munter dhe Prelec.

blic

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>