Ideatori i Serbisë së Madhe Sheshel kthehet në Serbi?

Serbia nën ethet e kthimit të Vojisllav Sheshelit në vend. Tribunali i Hagës ka vendosur që Sheshel mund të largohet nga burgu, deri në shqiptimin e denimit. Lirimi i tij mund të ketë pasoja të rënda për skenën politike.Në Beograd ende nuk dihet saktë se kur do të kthehet lideri i radikalëve, ultranacionalisti Vojisllav Sheshel. Të premten (07.11.2014) ai i ka dorëzuar gjërat në qelinë e tij në burgun e Sheveningenit në Hagë, ku është liruar deri në shqiptimin e vendimit. Por për shkaqe sigurie nuk do të kumtohet vendimi se kur do të largohet nga Haga, deri sa nuk e lëshon territorin holandez.
Radikalët e Sheshelit po përgatiten në Beograd për një „pritje madhështore”. Ata i gëzohen kthimit të liderit të tyre, me shpresë se Partia Radikale Serbe, do të rimëkëmbet pas humbjes në zgjedhjet e fundit dhe mbetjes jashtë parlamentit. Lirimin e Sheshelit nga Tribunali e përjetojnë „si një fitore të madhe”. Ministri serb Rasim Ljajiq, i ngarkuari i Qeverisë serbe për bashkëpunim me Tribunalit thotë se Shesheli, nuk do të kthehet para të martës. Ndërsa radikalët pohojnë se Sheshel do të kthehet sot, nesër, pasnesër… Sidoqoftë, analistët në Beograd mendojnë se kjo fitore e Sheshelit është vetëm një fitore e Pirros, sepse Vojisllav Sheshel vuan nga kanceri i metastazuar në mëlci. Disa prej tyre madje pohojnë se atij i kanë mbetur vetëm edhe disa muaj jetë, ndaj pritet që Sheshel të jetë shumë aktiv prej ditës së parë dhe nuk do të kursejë askënd në Serbi.

Shqetësimet e Qeverisë dhe Vuçiqit
Por radikalët në këtë moment janë të vetmit që i gëzohen kthimit të Sheshelit. Shumëkush ka frikë madje nga destabilizimi politik i vendit, pasi që Sheshel ka paralajmëruar se do të kthehet “për t’u hakmarrë”. Kjo hakmarrje ka të bëjë me kumbarën e tij Tomisllav Nikoliq (tani president i Serbisë) dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiq, të cilët më shumë se 15 vjet kanë qenë numri dy dhe tre në Partinë Radikale Serbe, të udhëhequr nga ultranacionilisti Vojisllav Sheshel. Nikoliq dhe Vuçiq janë ndarë nga radikalët dhe ia kanë kthyer shpinën Sheshelit, në vitin 2008 kur kanë themeluar Partisë Përparimtare Serbe. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti e ka fituar shumicën absolute të votave. Disa nga autoritetet serbe besojnë madje se lirimi i Sheshelit është pjesë komplotit perëndimor kundër Vuçiqit.

„Kjo është një përpjekje për destabilizimin e Qeverisë serbe dhe kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Ky vendim është me motive politike dhe është pjesë e presioneve ndaj Vuçiqit”, pohon ministri i Punës Aleksandar Vulin, duke shtuar se „Vuçiq nuk duhet të ketë frikë”, sepse ai „është angazhuar më së shumti për lirimin e Sheshelit”.

Ideja e Serbisë së Madhe
Vojisllav Sheshel ka qenë dhe mbetet ideatori kryesor i idesë së dështuar për krijimin e Serbisë së Madhe, e cila do të përfshinte pjesë të mëdha të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe gjithë Kosovën. Këto ide janë mbështetur nga të gjithë radikalët e atëhershëm, pra edhe nga presidenti dhe kryeministri i tanishëm, të cilët tani konsiderohen bartësit e idesë proevropiane në Serbi. Kjo ideologji ka shërbyer edhe si insipirim i njësive paramilitare çetnike të vojvodës Sheshel, të cilat kanë qenë pjesë e luftërave në ish-Jugosllavi.

Sheshel është dorëzuar në Hagë në vitin 2003 ku akuzohej për organizimin dhe drejtimin e disa njësive paramilitare, për të cilat dyshohet se kanë kryer krimet lufte në Bosnje dhe Kroaci. Sheshel akuzohet edhe për nxitje verbale të luftës, nxitjen e vrasjeve dhe keqtrajtimin e joserbëve në Vojvodinë. Tre vite më vonë ka filluar procesi kundër tij, por ky proces nuk ka qenë efikas si proceset e tjera. Procesi kundër tij ka zgjatur gati 12 vite, me ndërprerje, greva urie, ndërrime të trupit gjykues etj. Ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të shqiptohet vendimi kundër tij dhe a do të ketë ndonjë vendim.

Mundësia reale e veprimit të Sheshelit
Vojisllav Sheshel do të kthehet në Serbi pa kushte. Ai nuk do të ketë kufizime në aktivitetet e tij politike, ndaj edhe pritet që menjëherë të aktivizohet në rrjedhat politike Analistët në Serbi janë të bindur se Shesheli dhe radikalët e tij ultranacionalistë do t’i turbullojnë ujërat politike. Ai do të përpiqet të hakmerret ndaj Nikoliqit dhe Vuciqit. Do të përpiqet të mbledhë rreth vete edhe forcat e tjera ultranacionaliste.

„Shesheli kthehet me kurorën e fituesit dhe viktimës, që do t’i sjellin shumë simpati edhe tek ata që nuk janë pjesë e radikalëve. Nuk përjashtohet as mundësia e bashkimit të tij me forcat e tjera”, pohon analisti Gjorgje Vukadinoviq. Analisti tjetër Cijetin Milivojeviq problemi më i madh i Sheshelit do të jetë shëndeti dhe mosha. „Ai ka shkuar në Hagë si politikan i suksesshëm e tani kthehet si njeri i sëmurë i cili i ka kaluar 12 vjet në burg, pas asnjë vendim. Megjithatë Sheshel do të bëjë gjithçka për ta rrëzuar pushtetin e tanishëm dhe për të shkatëruar Partinë SNS, të Nikoliqit dhe Vuciqit”, pohon Milivojeviq. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>