Konferenca në Berlin promotor i afrimit të vendeve të Ballkanit me BE

Qeveria gjermane bën sot një pushim të vogël nga krizat e mëdha të botës duke organizuar në Berlin konferencën e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova ka kërkesa konkrete.Vendet e Ballkanit Perëndimor do të konsultohen me përfaqësuesit e qeverisë gjermane për të ardhmen e tyre dhe afrimin me BE-në. Konferenca ndërkombëtare do të nxisë procesin e pajtimit mes shteteve pasuese të Jugosllavisë.
Fillimisht ministri Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, dhe ministri gjerman i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, takohen me homologët e tyre nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia. Pasdite kancelarja Merkel pret krerët e shteteve në kancelari.

Merkel tha në lidhje me konferencën në një podcast, se ështe e rëndësishme që vendeve t’u përcillet mesazhi, që ata “të mos i perceptojnë kriteret e pranimit në BE si barrierë, apo pengesë, por si nxitje për të punuar me të vërtetë me sukses për qytetarët e tyre.” Qëllimi i konferencës është edhe përmirësimi i bashkëpunimit mes vendeve. “Njerëzit [në rajon] duan të kenë infrastrukturë transporti, ata duan që të mund të udhëtojnë lehtësisht nga një vend tjetrin.”
Merkel përtërin kërkesat nga Dubrovniku
Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të mërzitur me korrupsionin dhe nuk duan më gjykatat, që nuk funksionojnë mirë. Keqmenaxhimi, kriminaliteti i organizuar dhe ekonomia informale është në të gjitha vendet një problem i vazhdueshëm, po ashtu edhe niveli i lartë i papunësisë së të rinjve.
Prandaj çdo vend, tha Merkel në podcastin e saj, duhet të krijojë premisat për pranimin në Bashkimin Evropian në sektorët e sundimit të ligjit dhe punën efikase të administratës. Harkun kohor vendet mund ta influencojnë vetë përmes reformave vendimtare strukturore. Një gjë është e qartë: “Të gjithë kanë shansin për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian.”

Në korrik kancelarja ishte e ftuar në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Dubrovnik. Aty kryetarja e qeverisë gjermane u premtoi vendeve të Ballkanit mbështetjen e saj për t’u pranuar në BE, por kërkoi edhe reforma në sistemin juridik dhe administrativ.
Kosova kërkon Marrëveshjen e Asociimit
Konferenca në Berlin shton shpresat e pjesëmarrësve, si në rastin e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj: “Nuk ka asnjë vend tjetër në Ballkan, ku qoftë elita, shtresa udhëheqëse, ashtu edhe popullsia të jetë aq shumë pro, kur është fjala për integrimin evropian të Kosovës”, tha Hoxhaj në radion gjermane, Deutschlandfunk.
Dëshira e tij konkrete në rrugën e integrimit: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Bashkësia e shteteve përfaqësohet edhe në Berlin. Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, merr pjesë në konferencë. Me kërkesën tjetër Hoxhaj vështirë se mund të arrijë gjë një herë për një herë. Ministri i Jashtëm kosovar tha: “Ne kemi nevojë për një unitet evropian, kur është fjala për njohjen e Kosovës.” Shqetësimi nuk është i pajustifikuar, pesë vende të BE nuk e njohin Republikën e Kosovës. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>