A mund të kryejë EUFOR misionin e tij në B-H?

EUFOR në Bosnje-HercegovinëNë B-H ka mendime të ndryshme për shumë çështje të rëndësishme, duke përfshirë edhe aspektet e sigurisë. Po cili është roli i Euforit dhe i grupit famëkeq Wagner?

Një delegacion i Nënkomitetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen dhe Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian qëndroi në Bosnjë-Hercegovinë (B-H) ku diskutoi situatën politike dhe të sigurisë, si dhe sfidat globale dhe rajonale me zyrtarë vendas dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare atje. Detyra e delegacionit është edhe vlerësimi i operacionit ushtarak të EUFOR-it (Forcat Evropiane të Sigurisë), i cili ka marrë përsipër misionin e stabilizimit të paqes në Bosnjë-Hercegovinë. Analistët paraqesin pikëpamje kontradiktore për mundësitë e EUFOR-it dhe nënvizojnë se sfidat e forcave evropiane në B-H, pas agresionit rus kundër Ukrainës, kanë një dimension të ri.

Për shkak të marrëdhënieve të brendshme dhe pikëpamjeve të ndryshme për sulmin rus ndaj Ukrainës – sipas shembullit të aleatëve rusë në Republikën Srpska (RS) quhet “operacion ushtarak special”, ndërsa në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës termat “agresion” ose “pushtimi” përdoren më shpesh. Bosnjë-Hercegovina është më shumë një kërcënim për veten sesa dikush që e kërcënon atë nga jashtë, thotë për DW, Milosh Sholaja, drejtor i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Banja Lukë.

EUFOR-i u shërben vetëm evropianëve?

Për momentin, ai nuk sheh sfida sigurie për B-H që mund të shkaktohen nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe nëse kërcënime të tilla do të ekzistonin, misioni EUFOR në BiH “nuk do të ishte në gjendje t’i shtypte apo t’i kontrollonte ato”. “Misioni EUFOR në Bosnjë-Hercegovinë ka kohë që u ka shërbyer vetëm evropianëve, në mënyrë që ata të tregojnë se janë një shtyllë sigurie, edhe pse nuk ka efekte speciale nga ky mision, as pas zgjerimit të fundit të tij”, thotë Sholaja.

Sipas profesorit nga Banja Luka, ndikimi evropian në proceset e sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë është minimal. “EUFOR nuk ka një strategji të saktë apo një kornizë të kënaqshme të personelit dhe organizimit. Si i tillë nuk mund të ndikojë asgjë në B-H”, thotë Sholaja. Sipas mendimit të tij, Bosnjë-Hercegovina duhet të mbështetet në forcat e saj të brendshme dhe të “ndërtojë politikën e saj të mbrojtjes dhe sigurisë”. Por B-H ka probleme në drejtimin e një politike sigurie efektive në nivelin e brendshëm dhe për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike, sipas analistëve nga Federata e B-H.

Forcat rezervë evropiane mund të mbërrijnë në B-H në 48 deri në 72 orë

Ndryshe nga Sholaja, analisti ushtarako-politik nga Sarajeva, Gjuro Kozar, beson se EUFOR mund të japë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm të sigurisë. Ai kujton se operacioni ALTHEA i EUFOR-it është operacioni më i gjatë ushtarak i Bashkimit Evropian (BE) dhe “i vetmi me mandat ekzekutiv për të përdorur forcën”. “EUFOR është vendosur në B-H që nga viti 2004. Nga 7000 ushtarë sa kishte në fillim, kapaciteti i tyre u zvogëlua me përmirësimin e situatës së sigurisë në vend dhe tani pas përforcimeve të fundit janë gjithsej 1.100 ushtarë të përhershëm”, thotë Kozar.

Ai vë në dukje se ushtarët e EUFOR-it nuk kanë armë të rënda, por komanda e tyre në Butmir afër Sarajevës mund të kërkojë ndërhyrjen e forcave rezervë nga anëtarët e Aleancës. “Ato forca mund të operojnë në B-H brenda 48 deri në 72 orë dhe të eliminojnë të gjitha incidentet e mundshme. Se si do të dukej kjo në praktikë tregohet çdo vit në stërvitjen shumëkombëshe: ‘Përgjigje e shpejtë’. Sigurisht që është më mirë sikur ky plan për mbrojtjen e B-H të mos zbatohet kurrë, por është mirë që ekziston”, thotë Kozar.

 

Grupi famëkeq Wagner

Analistët në B-H paralajmërojnë se kërcënimet e sigurisë në rrethanat e reja globale mund të jenë të shumëfishta. Ata kanë mendime të ndryshme rreth paraushtarakëve dhe grupeve të tjera dhe/ose luftëtarëve nga fushëbetejat e huaja, të cilët mund të përfaqësojnë një kërcënim sigurie në B-H, si për popullatën vendase ashtu edhe për trupat ndërkombëtare, organizatat dhe punonjësit e tyre.

Në B-H, sidomos pas përfshirjes së Grupit Wagner në Ukrainë, Grupi Wagner është më i përfoluri si formacion paraushtarak mercenar. Ky grup nuk perceptohet si kërcënim në RS. Dega e këtij grupi në Beograd shihet në RS me simpati, thotë për DW analisti ushtarak nga Sarajeva Nexhad Ahatoviq. Milosh Sholaja beson se ka më shumë “pluhur” që ngrihet rreth Grupit Wagner në B-H sesa që ai përfaqëson vërtet ndonjë kërcënim real. “Konceptualisht dhe strategjikisht, B-H duhet t’i drejtohet politikës së sigurisë dhe të njohë rreziqet reale mbi këtë bazë, dhe të mos jetë subjekt i manipulimeve nga komuniteti ndërkombëtar apo disa prej përfaqësuesve të tij,” thotë Sholaja.

Luftë hibride, demonstrata dhe trazira

Por Ahatoviq beson se vetë prania e “përfaqësuesit” të Wagnerit në Beograd është një kërcënim për B-H, “sepse veprimet e këtij grupi mund të ndryshojnë nga lufta hibride, deri tek aktivitetet e hakerëve dhe sulmet klasike terroriste”. “Dega në Beograd e grupit Wagner mund të rekrutojë individë dhe të përdorë brishtësinë e kontrollit të kufirit tonë për t’i transferuar ata në B-H, ku, sipas udhëzimeve të drejtuesve të tyre nga Beogradi ose Moska, ata mund të kërcënojnë interesat perëndimore në B-H. Duke ditur se në RS ka një disponim të madh pro-rus, ky grup atje mund të gjejë aleatë shumë lehtë dhe shpejtë”, thotë Ahatoviq.

Duke analizuar për DW kërcënimet e ndryshme të sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe mënyrat se si EUFOR mund të përballet me to, Ahatoviq vë në dukje se forcat evropiane mund të “ndihmojnë” edhe policinë lokale për të shpërndarë trazirat që mund të kërcënojnë përfaqësitë e komunitetit ndërkombëtar atje. “Por është e pasigurt nëse Këshilli i Ministrave i BE-së do të miratojë unanimisht dhe me kohë veprimet e EUFOR-it në rrethanat e reja gjeopolitike për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të B-H, që është një nga përgjegjësitë kryesore të misionit EUFOR,” paralajmëron Ahatoviq.

Migrimet ilegale

Në vitin 1995, pas nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore në Dejton, NATO mori përsipër misionin e stabilizimit të paqes në B-H. Në vitin 2004, NATO ia transferoi këtë autoritet BE-së, ndërkohë që mbante selinë e NATO-s në Sarajevë. 21 vende marrin pjesë në operacionin ALTHEA të EUFOR-it në B-H dhe vendimi përfundimtar për përdorimin e “grupeve luftarake” merret nga Këshilli i Ministrave të BE.

Anëtarët e Nënkomitetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen dhe Komitetit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, të cilët kanë përfunduar vizitën e tyre në B-H të enjten (23 shkurt), folën me zyrtarë vendor dhe ndërkombëtarë në B-H. Ata mirëpritën “angazhimin e përbashkët” për ruajtjen e paqes. Mbështetën edhe rrugën evropiane të B-H. Komandanti i EUFOR-it, gjenerali austriak Helmut Habermayer, vlerëson interesimin e tyre për misionin e EUFOR-it dhe për situatën e sigurisë në vend. Ai kërkoi që Nënkomiteti të vazhdojë të mbështesë dhe të forcojë angazhimin e BE-së për një mjedis të sigurt për të gjithë popujt në B-H. Ndërsa ministri i Sigurisë së B-H, Nenad Neshiq informoi evropianët për situatën e sigurisë, duke theksuar se migrimi i paligjshëm është një “sfidë e madhe sigurie” për B-H-në, por edhe për të gjitha vendet e rajonit.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>