Udhëheqës të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ata të 6 vendeve ballkanike (Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Mali të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës) janë mbledhur sot në Slloveni “për të riafirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, e cila është me interes të ndërsjellë strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”.
Në projekt-deklaratën e takimit “Bashkimi Evropian rikonfirmon angazhimin e tij për procesin e zgjerimit dhe vendimet e marra rreth tij, bazuar në reformat e besueshme nga partnerët, në kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe në parimin e meritave të gjithsecilit”. Por nga ana tjetër, vendet anëtare vënë gjithashtu në dukje “rëndësinë që BE të mund të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke siguruar aftësinë e vet, për të integruar anëtarë të rinj”. Një përcaktim që dëshmon dilemat gjithnjë e më të mëdha në gjirin e vetë BE-së për procesin, por që duket të ketë qenë formula e kompromisit mes vendeve anëtare për të mos e lënë jashtë tekstit, termin “zgjerim”.
Rrugëtimi i rajonit ballkanik drejt integrimit po bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe me pengesa të papritura. Të 6 vendet janë në fazë të ndryshme me diferenca të thella mes tyre. Nga njëra anë Serbia dhe Mali i zi prej kohësh kanë nisur bisedimet. Kosova dhe Bosnja nga ana tjetër janë ende shumë larg. Ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten në pritje të një date për organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare, e cila do të shënonte dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim. Pasi ishte fillimisht Franca që në 2019 e ndaloi procesin duke kërkuar një rikonceptim dhe një strategji të re për zgjerimin, më vonë, kur vendet anëtare ranë dakord për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ishte Bullgaria ajo që vuri veton ndaj Shkupit, duke nxjerrë në pah faktin se jo gjithnjë procesi varet ekskluzivisht nga plotësimi i kushteve të një vendi aspirant.
Një ditë më parë, në përfundim të një takimi në Tiranë me ministren e Jashtme suedeze Ann Linde, ministrja e jashtme shqiptare Olta Xhaçka deklaroi se “ka një paqartësi, që vjen nga BE, lidhur me hapat e mëtejshme të rajonit në procesin e integrimit evropian. Dhe kjo paqartësi sigurisht, krahas dëmit që i bën reputacionit të BE, dëmton edhe paradigmën mbi të cilën është ngritur stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor”.
Javën e shkuar gjatë vizitës në Shqipëri, në kuadër të një turi rajonal, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, u shpreh optimiste për mundësinë e organizmit brenda fundit të këtij viti, të konferencës së parë ndërqeveritare.
Dy ditë më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një telefonatë me Presidenten e Komisionit Evropian, diskutoi mes të tjerash edhe për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në një njoftim për bisedën nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Presidenti Biden shprehu “mbështetjen e tij të fortë” për vazhdimin e procesit të pranimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në takimin e sotëm në Slloveni, zonja Von der Leyen do të jetë së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili do të kryesojë mbledhjen. Në krah të tyre do të jetë dhe përfaqësuesi i Lartë i BE -së, Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi. Në pjesën e parë të takimit të sotëm do të ketë dhe përfaqësues të Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Takimi pritet të përqendrohet dhe në temat e zhvillimit dhe bashkëpunimit për të nxitur rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit, në kontekstin e pandemisë Covid-19, përfshirë shpërndarjen e vaksinave. Udhëheqësit e vendeve anëtare dhe ata të rajonit do të diskutojnë dhe zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. BE po ofron përmes këtij plani një mbështetje të fortë financiare. Janë 9 miliardë euro të parashikuara në formën e mbështetjes së projekteve të zhvillimit, ndërsa përmes instrumentit të garancisë për Ballkanin perëndimor, parashikohet mobilizimi i 20 miliardë eurove në investime publike dhe private.
Forcimi i bashkëpunimit rajonal do të jetë një tjetër temë e takimit të sotëm, e që merr një rëndësi të veçantë nën dritën edhe të tensioneve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës. Në projekt deklaratën që pritet të miratohet në fund të takimit theksohet se “mbështeten plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Beograd Prishtinë dhe presim përparim konkret nga të dyja palët për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, gjë e cila është themelore për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të garantuar që ato mund të vijojnë respektivisht rrugëtimin evropian”.