Serbia ka paralajmëruar Bosnjë Hercegovinën se do të mbrojë serbët e Bosnjës nëse ata ndonjëherë do të sulmoheshin, përderisa tensionet janë ngritur para referendumit të planifikuar që të mbahet në Republika Sërpska, që zyrtarisht është ndaluar nga Sarajeva.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë përmes një deklarate për media se Serbia “nuk do të lejojë shkatërrim apo sulm ushtarak” ndaj Republikës Sërpska në Bosnjë.
Komentet e Daçiqit vijnë pak kohë pasi komandanti i ushtrisë së Bosnjës në kohën e luftës, Sefer Haliloviq ka thënë se pa ndihmën e Beogradit, forcat e Republikës Sërpska nuk do të mund të qëndronin më shumë se 15 ditë ndaj forcave të Bosnjës.
Halilovic, i cili është i pensionuar, nuk mban asnjë pozitë zyrtare.
Daçiq ka thënë se deklarata e Haliloviq ishte “në lidhje me shkatërrimin e Republikës Sërpska e që paraqet kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Tensionet janë ngritur në Bosnjë Hercegovinë, përpara referendumit të caktuar më 25 shtator ku do të vendoset nëse Republika Sërpska do të festojë ditën e entitetit më 9 janar, ditën kur më 1992 deklaroi shkëputje nga Bosnja.
Gjykata Kushtetuese në Bosnjë ka thënë se kjo ditë feste është diskriminuese ndaj boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnjës dhe ka thënë se referendumi është i jashtëligjshëm. (rel)