Një amerikan dhe një gjerman diskutojnë për Ballkanin dhe për “Ballkanin e Hapur”: James O’Brian dhe Peter Beyer.
Politikani kristiandemokrat gjerman Beyer dhe diplomati amerikan James O’Brian u ftuan (04.08.2021) nga Qendra për studimet strategjike, CSIS, me seli në Uashington për të folur online për qasjet amerikane dhe europiane ndaj Ballkanit. James O’ Brian, zëvendëskryetar i Albright Stonebridge Group flet në një kohë kur administrata e Bidenit kërkon që të ringjallë politikat transatlantike në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ”të cilat sfidohen nga institucionet e dobëta, korrupsioni, prapambetja demokratike dhe konkurenca për të marrë nën ndikim rajonin”. Deputeti i parlamentit gjerman Peter Beyer, flet në një kohë kur kancelarja gjermane Merkel pritet të largohet, procesi i Berlinit i inicuar prej saj është ngadalësuar dhe nuk dihet çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria e re gjermane në periudhën e pas-Merkelit.
Procesit të Berlinit i duhen dhënë impulse të reja
Deputeti gjerman Peter Beyer thotë, se procesi i Berlinit kërkon impulse të reja. Lidhur me ndryshimet që priten pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani Beyer thotë, se pavarësisht nga forcat që do të marrin pjesë në qeverinë e ardhshme gjermane, në marrëdhëniet ndërkombëtare “do të ketë vazhdimësi të politikave të qeverisë së Merkelit”. Beyer shpreson që suksesi i qeverisë së ardhshme të matet nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Ai kërkon njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE, që nuk e kanë njohur deri tani dhe mendon se BE dhe SHBA, mund të bëjnë më shumë për Ballkanin.
James O’Brian, sapo është kthyer nga Ballkani dhe tregon se vendet e Ballkanit nuk kanë më besim në perspektivën europiane. Ai e krahason atë me kohën e Bashkimit Sovjetik, “kur njerëzit bënin sikur punonin, dhe qeveria bënte sikur i paguante”. Por “ata nuk janë duke bërë më sikur kanë besim”, thotë O’ Brian. Ai thotë se puna nuk është se SHBA duhet të mbështesë perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit, por duhet “që së bashku me BE-në të bëjë që perspektiva europiane e Ballkanit të kthehet në realitet”. Ai merr si shembull pengimin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria, një provë simbolike që tregon a është BE në gjendje që të funksionojë apo jo. “26 vende janë dakord, një vend nuk është dakord, pse nuk zhbllokohet situata,” pyet ai.
Çfarë është Ballkani i Hapur?
O’Brian ishte në fund të korrikut në Shkup, ku liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ranë dakord të krijojnë një treg të përbashkët. Ky treg do të lejojë punëtorët të lëvizin nga njeri vend në tjetrin, dhe do të jetë pa ndalesa kufitare. Ai shpjegon se këto tre vende synojnë që duke filluar nga viti i ardhshëm, punëtorët të jenë në gjendje të lëvizin të lirë nga njeri vend në tjetrin, të kërkojnë punë dhe të punojnë pa qenë nevoja për të plotësuar kushte të caktuara si regjistrimi, apo monitorimi nga Ministria e Brendshme. “Nëse hedh sytë në rajon, sheh se vetëm Serbia është duke marrë investime të mëdha. Kjo është mënyra se si pasurohen vendet, dhe si futen në zinxhirin e vlerave të vendeve fqinjë më të pasura europiane. Po vetëm Serbia është duke e bërë këtë gjë,” thotë O’Brian. Fuqia punëtore serbe nuk është në gjendje të përballojë të gjithë punën që është duke iu ofruar. “Që të jetë në gjendje të vazhdojë të zhvillohet Serbisë i duhet të dërgojë punishtet dhe fabrikat në vende të tjera, ose i duhet të marrë punëtorët nga vendet e tjera”, thotë ai dhe e quan këtë hap shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit.
Çështja tjetër për të cilat tre vendet kanë rënë dakord, është që duke filluar nga viti 2023, të mos bëhen më ndalime në kufi, thotë O’Brian i cili shpjegon se kjo do të bëhet duke përdorur të njëjtin program kompjuterik që përdor BE-ja. Ai krijon mundësinë që një kamion që ngarkohet në Gjermani të udhëtojë direkt për Francë, pa qenë nevoja që të qëndrojë me orë të tëra në kufi. Tani 80 përqind e kohës së transportit në Ballkan harxhohet në pritjet në kufi. Ky ka qenë një synim i vendosur nga rajoni të arrihet që me procesin e Berlinit, në 2014. Por nuk është arritur.
Gjashta bëhet tresh
Nuk është arritur, sepse nuk ka qenë e mundur të merret miratimi nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar atyre të krijojë një treg të përbashkët, por kjo nuk ka ndodhur, sepse për një arsye apo një tjetër nuk është arritur të merret miratimi nga të gjitha vendet. Prandaj, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë shkëputur duke bërë marrëveshje treshe dhe duke hapur rrugën edhe për të tjerët, është mënyra si e shpjegon O’Brian, Ballkanin e Hapur. Ai thotë se kjo nismë do të kërkojë ndryshime në angazhimin transatlantik. Pyetja është a duhet mbështetur tregu i krijuar vetëm nga tre vende?
Këtë pyetje shtron edhe Heather A. Conley, eksperte e CSIS, e cila drejton bisedën. Ajo thotë se SHBA dhe BE duhet të kenë një strategji të përbashkët për Ballkanin. “Ballkani i Hapur” është diçka tjetër nga tregu i përbashkët për të gjashtë vendet. Si duhet trajtuar ai?
Procesi i Berlinit, Minishengeni, Ballkani i Hapur, të gjitha kanë në thelb idenë e bashkëpunimit rajonal, përgjigjet Peter Beyer. Prandaj pyetjes si duhet trajtuar Ballkani i Hapur, ai i përgjigjet: “Bëhu pjesë e tij”. Ai ia kërkon këtë edhe Kosovës. “Kosova duhet të kthehet sërish në lojtar të rëndësishëm, dhe duhet të kapërcejë pengesat ideologjike”, thotë Beyer. Ai e quan Ballkanin e Hapur, projekt të mirë që shkon në të mirë të qytetarëve. Edhe O’Brian shpreson që Kosova të bëhet pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur.
dw