Gjermania heq ndalimet e hyrjes për njëmbëdhjetë vende jo të BE

stop kontrolShtetas nga njëmbëdhjetë vende jo të BE mund të hyjnë në Gjermani nga nesër pa kufizime. Jo në listat gjermane: Serbia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e SHBA.

Gjermania lejon sërish hyrje të pakufizuar në vend për shtetas nga njëmbëdhjetë vende jo anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas vendimit të kabinetit qeveritar, kjo vlen për udhëtarët nga Australia, Gjeorgjia, Kanada, Mali i Zi, Zelanda e Re, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji. Për Shtetet e Bashkuara, kufizimet e hyrjes fillimisht do të vazhdojnë të zbatohen.

Për Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën lejimi do të vlejë vetën nëse këto vende do t’i lejojnë nga ana e tyre gjermanët të hyjnë në ato shtete. Heqja e ndalimit të hyrjes do të hyjë në fuqi të enjten, njoftoi Ministria e Brendshme e Gjermanisë. Qeveria gjermane orientohet për këtë vendim në një vendim të vendeve anëtare të BE. Sipas tij, shtetas nga 14 shtete duhet të lejohen të hyjnë përsëri në BE. Lista do të rishikohet çdo dy javë.

Arsyeja e udhëtimit luan rol

Ekzistojnë gjithashtu mundësi të gjera hyrëse për njerëzit nga të gjitha vendet jashtë BE-së, të cilët kanë një arsye të rëndësishme për të udhëtuar. Këta mund të jenë gjermanë ose njerëz me të drejtë që të banojnë këtu, punëtorë sezonalë në bujqësi, detarë ose pasagjerë në kalim tranzit.

Në të ardhmen, vendimtar për lejimin e hyrjes në Gjermani do të jetë numri i infeksioneve të reja me Covid 19 në 14 ditët e fundit. Veç kësaj do të vërehet edhe tendenca në të njëjtën periudhë dhe mënyra se si e trajton pandeminë shteti përkatës. Për udhëtarët nga zonat me rrezik të lartë, është edhe më tej në fuqi detyrimi për karantinë 14 ditore, kur udhëtarët nuk kanë me vete një rezultat negativ të testit për virusin Corona.

Austria nuk rekomandon udhëtime pushimesh në Ballkan

Përballë ritjes së numrit të të infektuarve me Corona në vendet e Ballkanit Perëndimor, Austria ka nxjerrë një paralajmërim për të mos udhëtuar në gjashtë vende. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg tha në Vjenë se do të aplikohet përsëri niveli më i lartë i paralajmërimit për të mos udhëtuar në këto shtete. Ministrja austriake e Integrimit, Susanne Raab tha se nuk duhet të ndërmerren në asnjë mënyrë udhëtime për pushime në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni Veriore dhe Mal të Zi, duke pasur parasysh 530.000 vetë në Austri që kanë rrënjë familjare në ish-Jugosllavi. Por Austria nuk bën të njëjtin paralajmërim për të mos udhëtuar për shtetet e BE Kroaci e Slloveni.

Në Austri ka tashmë raste me Corona që lidhen me udhëtarët nga Ballkani Perëndimor, tha Schallenberg. Ministri i Brendshëm Karl Nehammer njoftoi kontrolle intensive në zonën kufitare. Hyrja është e mundur vetëm me një test negativ për virusin Corona ose me një karantinë 14-ditore.

aud (dlf, rtr)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>