Komisioni Europian nuk do të kthejë regjimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor

viza schengenAvramopoulos – KE i përkushtuar për të ruajtur udhëtimin pa viza në Schengen për Ballkanin Perëndimor, por apelon për përgjegjësi nga qytetarët dhe autoritetet e vendeve përkatëse.

Duke publikuar ҫështjet kryesore nga raportimi i Komisionit para Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia si edhe me vendet e Partneritetit Lindor – Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, delegacioni i BE-së në Tiranë vuri në dukje se  Komisioni Europian thekson se kërkon përgjegjësi nga qytetarët dhe autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Delegacioni i BE-së në Tiranë citon në njoftimin zyrtar, Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, i cili ka përshëndetur autoritetet e Shqipërisë për “përpjekjet e bëra për forcimin e masave në trajtimin e migrimit të parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE, më të prekura deri tani”.

Raportimi i Komisionit Europian para Parlamentit dhe Këshillit Europian përbën një detyrim ligjor të Komisionit në kuadrin e mekanizmit të forcuar të pezullimit të vizave, të miratuar në mars 2017, për të monitoruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave nga vendet jo-anëtare të BE. Qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë filluan të udhëtojnë në BE pa vizë që nga dhjetori 2009, ata të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës që nga fundi i vitit 2010.  Komisioni Europian do të raportojë gjithashtu për situatën në punët e brendshme dhe të drejtësisë në kuadër të raporteve të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

60 vende anembanë botës përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE. Komisioni Europian thekson se në disa raste, vendimet për lëvizjen pa viza në Zonën Shengen mbështeten në progresin e bërë nga vendet e interesuara në zbatimin e reformave të mëdha në fusha të tilla si forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni dhe migracioni i paligjshëm dhe përmirësimi i kapaciteteve administrative në kontrollin kufitar dhe sigurinë e dokumenteve.

Në cilat raste Komisioni Europian pezullon udhëtimin pa viza në zonën Schengen?

Komisioni Europian ka parashikuar rastet kur udhëtimi pa viza në zonën Schengen të BE pezullohet. Kjo masë është parashikuar në rast se ka një rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) e migracionit të parregullt dhe kur qytetarëve nga vendet e BP që u është refuzuar azili vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të parregullt. Pezullimi parashikohet të aplikohet edhe kur ka rënie të bashkëpunimit për riatdhesim, në rastet e rritjes së refuzimit të aplikimeve për riatdhesim. Dhe së fundi kur emigrantët e parregullt përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e shteteve anëtare të BE dhe kur ata kanë kryer  vepra të rënda penale.

Komisioni do t’i raportojë përsëri Parlamentit Evropian dhe Këshillit për përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave në vitin 2018. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>