Kryeministri slloven, Robert Golob paralajmëroi për ndikimin rus në Ballkan dhe se vendet e rajonit duhet të “hartojnë plane” për të kundërshtuar ndikimin e dukshëm në publikun vendas dhe “luftën e informacionit” që vjen nga Moska.
Në një intervistë për BBC-në britanike, në margjinat e samitit të djeshëm të NATO-s në Madrid, Golob tha se “një pjesë e popullsisë vendase janë në favor të qëndrimeve të Moskës dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë me qeveritë në Ballkan se si të afrohen me pozicionin evropian. Por ne duhet të llogarisim dashurinë e popullatës për Rusinë, të mos e injorojmë atë, madje të gjejmë një ekuilibër të brishtë”.
Sipas mediave sllovene, ai paralajmëroi edhe për gabimet e së kaluarës në marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë, nga të cilat, shtoi ai, duhet nxjerrë mësime.
“Ngjarjet në Ukrainë mund të kishin zhvilluar ndryshe nëse NATO do ta kishte trajtuar atë ashtu siç e trajtoi Kinën. Ky është një mësim nga i cili duhet të mësojmë”, tha kryeministri slloven.
Në bisedimet me mediat sllovene gjatë samitit, Golob njoftoi përshpejtimin e përpjekjeve që Sllovenia të arrijë objektivin për të rritur financimin e ushtrisë së saj në 2 për qind të GJDP-së sa më shpejt të jetë e mundur, sipas marrëveshjeve në aleancën e NATO-s dhe deklaroi se qeveria e tij do të ndryshonte planin e mëparshëm për ta arritur këtë vetëm deri në vitin 2030.
“Unë besoj se një ushtar slloven në Ballkanin Perëndimor mund të kontribuojë dukshëm më shumë se në një fushë tjetër për të cilën di më pak”, tha Golob në lidhje me planin e veprimit të mbrojtjes të Aleancës Perëndimore për të forcuar krahun e saj lindor drejt Rusisë.
Ai plan, sipas tij, do të përmbajë edhe një vlerësim se cili anëtar mund të japë një kontribut relativisht më të madh se të tjerët në një fushë të caktuar.
Ai shtoi se brenda pak muajsh qeveria e tij do të miratojë një plan për rritjen e burimeve buxhetore për ushtrinë për t’iu përshtatur situatës së re dhe ndryshimit të doktrinës së mbrojtjes dhe frenimit të aleancës së NATO-s.
Telegrafi