Para 15 vitesh, më 12 mars 2003 u vra në Beograd kryeministri serb i orientuar nga reformat, Zoran Xhinxhiç. Emrin e tij e mban tani një program bursash i ekonomisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Deutsche Welle: Të hënën mbushen 15 vjet nga vrasja e Zoran Xhinxhiçit. Ju keni qenë atëherë shumë aktivë në rajonin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor. Çfarë menduat në ato momente?
Michael Harms: Më kujtohet shumë mirë ajo ditë, sepse kemi qenë me ministrin e atëhershëm të Ekonomisë, Wolfgang Clement në Rumani. Atë moment erdhi lajmi për vrasjen e Zoran Xhinxhiçit. Ishim të gjithë të tronditur dhe absolutisht të shokuar, i gjithë delegacioni gjerman dhe mikpritësit tanë rumunë, sepse kishim shumë shpresë në startimin e ri të Serbisë. Xhinxhiç simbolizonte këtë fillim të ri, sidomos me lidhjet e ngushta me Gjermaninë. E kishim të qartë, se të paktën në sfondin e kësaj ngjarjeje tragjike, të paktën ne mund të vazhdonim e forconim trashëgiminë e tij për forcimin e marrëdhënieve gjermano-serbe, jo vetëm atyre ekonomike.
Pas kësaj ju ngritët programin e bursave. Cili ishte impulsi për t’i dhënë emrin e Zoran Xhinxhiç?
Emri i Zoran Xhinxhiç qëndronte për një lidhje shumë të ngushtë mes Serbisë dhe Gjermanisë. Ai nuk forcoi vetëm lidhjet ekonomike (që tani është tema jonë), por ai kishte edhe këtë lidhje të fortë kulturore edhe për shkak të studimeve për filozofinë dhe lidhjes me filozofinë gjermane. Pra ishte një lidhje shumë më e gjerë me temën e arsimit, prandaj ne e kishim të qartë, që kjo duhej të përqëndrohej tek tema e arsimit, shkollimit dhe marrëdhënieve gjermano-serbe. E filluam programin si një projekt bilateral gjermano-serb. Pas dy ose tre vjetësh na u bë e qartë, që duhet të zgjerohemi në rajon. Sepse po aq i rëndësishëm sa marrëdhëniet bilaterale është edhe forcimi i lidhjeve brenda rajonit dhe kjo është vërtetuar shumë mirë, që kur përfshim të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në këtë program.
Po qe se e hidhni vështrimin pas në 15 vjet punë të këtij programi, cilat impulse kanë dalë prej këtij projekti dhe ku do të vazhdojnë hapat e mëtejshëm?
Ndoshta njëherë të përmendim disa shifra: Kemi pasur në këto vite rreth 16.000 kërkesa për bursa për këtë program, kemi 700 pjesëmarrës nga i gjithë rajoni që kanë bërë praktika afatgjata në sipërmarrjet gjermane, 150 firma, që kanë marrë pjesë në të. Besoj se forcimi i marrëdhënieve ekonomike është një rezultat shumë pragmatik. Shumica e bursantëve janë kthyer në rajon. Kjo është e rëndësishme, sepse programi nuk duhet të jetë një program për brain-drain, por të forcojë kompetencat dhe lidhjet bilaterale në rajon. Kemi rrjetin Alumni, forcimin e lidhjeve brenda rajonit tek gjenerata e re, edhe nga njerëz të mirëkualifikuar e të pozicionuar mirë në vendet e tyre. Pastaj bëhet fjalë – sado që të tingëllojë patetike kjo – edhe për transmentimin e vlerave nga Gjermania në rajon e anasjelltas të reflektuara. Mendoj se kësaj ia kemi arritur shumë mirë me mbështetjen e GIZ dhe Ministrisë federale për Bashkëpunimin Ekonomik, këto mendoj janë rezultatet më të mira të këtij programi.
Deutsche Welle ka pasur në të shkuarën gjithmonë bursistë dhe ende sot punojnë disa prej tyre për Deutsche Wellen. Si e shikoni ju elementin e shoqërisë civile dhe mediave në këtë bashkëpunim rajonal dhe lidhjen me Gjermaninë?
Kjo është natyrisht shumë e rëndësishme dhe jam i gëzuar që Deutsche Welle bashkëpunon. Lidhjet ekonomike janë shumë të rëndësishme, por edhe ndërmjetësimi i idesë, që qëndron pas kësaj, e natyrisht mediat luajnë këtu një rol qendror. Por edhe transmentimi i vlerave të një kulture të lirë mediatike është diçka që është shumë e rëndësishme në këtë program, sepse në këtë pikë kemi ende shumë probleme në rajon. Prandaj: sa më shumë media nga të dyja palët të lidhen, aq më mirë është kjo për programin.
Çfarë ka mbetur nga amaneti i Zoran Xhinxhiçit në Serbi?
Besoj se amaneti më i rëndësishem i Zoran Xhinxhiçit është Serbia e orientuar drejt një kursi qartësisht proeuropian. Tani është gati e pakontestuar në Serbi që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, edhe me vlerat që qëndrojnë pas tij, por edhe me rregullat. Kjo është ajo më e rëndësishmja që ka mbetur nga Zoran Xhinxhiç. Por edhe forcimi i marrëdhënieve bilaterale. E parë nga ana ekonomike kemi një rritje të dukshme të gatishmërisë për investime të sipërmarrjeve gjermane në Serbi, në tërësi kemi një zhvillim pozitiv ekonomik. Por po qe se i shoh problemet në rajon, ka shumë për të bërë në lidhje me fjalën kyçe „bashkëpunim rajonal”, shumë për të bërë në drejtim të „integrimit të rinisë në zhvillimin e vendit”, sepse kemi një tendencë të emigrimit. Ka ende shumë për të bërë në drejtim të lirisë së shtypit, pra të mbrojtjes së lirisë së shtypit nga ndërhyrja me qëllim e shtetit: Pra ka ende mjaft sfida përpara nesh.
Si do të reflektohet kjo në të ardhmen në programin e bursave?
Ne patjetër që duam ta zgjerojmë atë, kemi edhe miratimin nga Ministria për Zhvillimin që do të mbetet e angazhuar. Besoj, se parimisht në program nuk do të ndryshojë gjë, modeli është i suksesshëm. Por do të forcojmë më shumë rrjetin Alumni, do të përfshijmë më shumë elementë të angazhimit nga shoqëria civile që ai të mos mbetet vetëm një program ekonomik. Por në bazat e tij ky program do të vazhdojë si është.
Ka ndonjë të veçantë në këtë përvjetor?
Këtu në fund të muajit në Berlin do të kemi një ceremoni, që do të zhvillohet në „Euref-Campus”. Sepse si ekonomi duam të tregojmë perspektivat e reja të bashkëpunimit ekonomik. Fjalët kyçe në këtë drejtim janë eficienca energjitike, digjitalizimi e të tjera. Në fund të shtatorit kemi një konferencë ekonomike në Serbi ku do të përfshihet edhe rajoni.
A e keni përshtypjen që edhe qeveria serbe e mbështet projektin tuaj në frymën e Zoran Xhinxhiç?
Kemi një bashkëpunim shumë, shumë kontruktiv me qeverinë serbe, ku partner kryesor është sigurisht fondacioni Zoran Xhinxhiç nën drejtimin e Ruzica Xhinxhiç, e veja e Zoran Xhinxhiç. Si e thamë, nuk ka dyshime për orientimin proeuropian të Serbisë, por natyrisht kemi edhe pika që i kritikojmë, e për të cilat u shpreha edhe më parë.
Michael Harms është drejtor i Komisionit për Lindjen të Ekonomisë Gjermane dhe bashkëthemelues i programit të bursave të ekonomisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor që mban emrin e Zoran Xhinxhiç. (dw)