Mijëra veta priten në Beograd për tubimin e organizuar nga presidenti serb Vuçiç

BeogradDhjetëra mijëra njerëz pritet të mblidhen në kryeqytetin serb të premten për një tubim të madh në mbështetje të presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili po përballet me një revoltë të pashembullt kundër sundimit të tij autokratik, mes krizës së shkaktuar nga dy raste te vrasjeve ne masë, që tronditën kombin.

 

Duke iu përgjigjur thirrjes së presidentit Vuçiç për atë që ai e quajti “tubimi më i madh në historinë e Serbisë”, mbështetësit e tij po udhëtonin me autobus për në Beograd nga i gjithë vendi ballkanik.

Atyre që punojnë në kompani dhe institucione shtetërore iu tha të merrnin një ditë pushimi nga puna për të marrë pjesë në tubimin para ndërtesës së parlamentit.

Zyrtarët serbë thanë se tubimi do të nxis “unitetin dhe shpresën” për Serbinë.

Në tri protesta të mëdha antiqeveritare të mbajtura në fillim të këtij muaji në Beograd, demonstruesit kërkuan rrëzimin e presidentit Vuçiç si dhe dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë të sigurisë.

Ata kërkuan gjithashtu tërheqjen e licencave të transmetimit për dy stacione televizive pro presidentit Vuçiç, që promovojnë dhunën dhe shpesh ftojnë kriminelë të dënuar lufte dhe figura të tjera të krimit.

Protestuesit opozitarë fajësojnë Vuçiçin për krijimin e një atmosfere dëshpërimi dhe ndarjeje në vend që sipas tyre çoi në mënyrë indirekte në të shtënat në masë me 3 dhe 4 maj, që lanë pas vetes 18 të vrarë dhe 20 të plagosur, shumë prej tyre nxënës shkolle që u vranë nga një nxënës 13 vjeçar.

Presidenti Vuçiç ka mohuar me forcë çdo përgjegjësi për të shtënat, duke i quajtur organizatorët e protestave të opozitës “grabitqarë” dhe “hiena” që duan të shfrytëzojnë rastet për të provuar të marrin pushtetin me forcë dhe pa zgjedhje.

“Ata nuk janë kundër dhunës, duan kokën time”, tha ai.

Analistët besojnë se duke organizuar tubimin masiv, presidenti Vuçiç, i cili ka udhëhequr vendin për më shumë se 10 vjet me një kontroll të fortë mbi pushtetin, po përpiqet të lërë nën hije protestat e opozitës me numrin e madh të pjesëmarrësve.

“Për herë të parë, Vuçiçi ka një problem”, tha analisti politik Zoran Gavriloviç.

“Ata e kanë kuptuar qartë se nuk kanë problem me opozitën aq sa kanë me shoqërinë, pra me publikun që është zgjuar”, shtoi ai.

Gjatë tubimit, Vuçiç pritet të njoftojë largimin nga drejtimi i Partisë Përparimtare Serbe të krahut të djathtë dhe do të formojë “një lëvizje” që do të bashkojë të gjitha “forcat patriotike” në vend.

Ai gjithashtu mund të kërkojë zgjedhje të reja parlamentare për muajin shtator, diçka që nuk ka gjasa të pranohet nga opozita në kushtet aktuale ku ai ka kontroll të plotë mbi të gjitha shtyllat e pushtetit, duke përfshirë median kryesore.

Aleksandar Vuçiç, një ish-ultranacionalist pro-rus, i cili tani pretendon se dëshiron ta fusë vendin në Bashkimin Evropian, pretendoi se “shërbimet e huaja të zbulimit ” qëndrojnë pas protestave të opozitës.

Ai tha se e kishte marrë informacionin nga agjencitë “simotra” të spiunazhit “nga lindja”, domethënë nga Rusia.

Ekziston frika e përhapur se incidente të dhunshme mund të ndodhin gjatë tubimit të premten, që më pas mund të përdoren si pretekst për shtypjen e protestave të ardhshme të opozitës, përfshirë atë që është planifikuar të mbahet të shtunën në Beograd.

Tubime të ngjashme të mëdha u mbajtën në Serbi në fillim të viteve të 90-ta, kur ish udhëheqësi serb Sllobodan Millosheviç mbajti fjalime të zjarrta që paralajmëruan shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë dhe nxiti masat për luftërat që pasuan.

 

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>