Ndotja e mjedisit nga hidrokarburet sjell sëmundje dhe varfëri në zonat naftënxjerrëse

ndotjaNdotja e mjedisit nga hidrokarburet sjell sëmundje dhe varfëri në zonat naftënxjerrëse

Në fushat e naftës në jug të Shqipërisë, banorët që jetojnë pranë puseve vuajnë pasojat shëndetësore dhe ekonomike që sjell ndotja e tokës, e ajrit dhe e ujërave nga kompanitë hidrokarbure, ndërkohë që autoritetet duken të pafuqishme për t’a frenuar dëmin që ky aktivitet ekonomik po lë në mjedis dhe në jetën e qytetarëve. Materiali në vazhdim është produkt i bashkëpunimit mes VOA dhe rrjetit investigativ BIRN

Me 1 prill 2015, një pus nafte i kompanisë Bankers Petroleum i shenjuar me emrin P29A shpërtheu në fshatin Marinzë, 10 kilometra larg qytetit të Fierit, duke e detyruar qeverinë të urdhëronte evakuimin e zonës për shkak të çlirimit të gazit.

Sipërfaqja e tokës përreth vendit të shpërthimit të fontanës ishte shkatërruar dhe ngado shpërthenin “gajzera” të fuqishëm argjileje të holluar. Puset e ujit të pijshëm që gjendeshin në oborret e banesave u kthyen në shatërvanë balte, ndërkohë që banorët e shokuar nga ajo që po ndodhte, nisën t’u drejtoheshin qendrave shëndetësore me simptoma dhe shqetësime të ndryshme.

Pas shpërthimit të pusit P29A, në fshatin Marinzë shkuan dhjetëra specialistë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Instituti i Shëndetit Publik, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për të monitoruar dëmet që i ishin shkaktuar mjedisit dhe shëndetit të banorëve.

Një raport monitorimi i hartuar nga ISHP-ja pas shpërthimit të pusit P29A, një kopje e të cilit është marrë nga BIRN nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi, zbulon se banorët e fshatit Marinzë vuajnë nga një seri problemesh shëndetësore, që vijnë si pasojë e ndotjes së shkaktuar nga industria hidrokarbure në këtë zonë.

“Kemi shumë shumë probleme me ajrin, me ushqimet, perimet, zarzavatet që kemi këtu. Është bërë e padurueshme,” shprehet Ridvan Azizi, një prej banorëve të fshatit Zharrëz, shtëpia e të cilit ndodhet vetëm pak metra larg një grupi pusesh të kompanisë Albpetrol.

“Ngrihesh në mëngjes, ke erë sere, erë nafte, nuk di ç’të them,” shtoi ai.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, zona e Patos Marinzës, për shkak të industrisë shumëvjeçare të hidrokarbureve është një nga tre zonat më të ndotura në Shqipëri – nga 31 zona të nxehta mjedisore ose ‘hotspote’ të identifikuara.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në këtë fushë naftëmbajtëse gjenden mijëra pellgje me mbetje hidrokarburesh, dhjetëra hektarë tokë bujqësore e ndotur dhe më shumë se 100 kilometra lumenj e përrenj që transportojnë çdo ditë drejt detit Adriatik mbetje të industrisë së naftës.

Edhe pse kjo ndotje industriale vazhdon prej dekadash, institucionet përgjegjëse për monitorimin e mjedisit apo të shëndetit të qytetarëve nuk parashikojnë në programet e punës së tyre vjetore kryerjen e analizave të specializuara për pasojat që ndotja sjell në shëndetin e popullatës.

“Uji këtu është i ndotur, nuk pihet fare. E blejmë, edhe atë që blejmë kot, edhe ato botet që mbushin, këtu i mbushin. Është i ndotur nga shpërthimet e Bankers-it. Edhe shtëpitë që na kanë rrëzuar. Ambientin e kemi shumë-shumë të keq,” shprehet Lumturi Rredhi nga fshati Zharrëz.

“Ajri, këtu në mëngjes nuk ngopesh dot me frymë. Del natën, po të kesh ndonjëherë ndonjë rast që të dalësh, më mirë të vdesësh se sa të dalësh jashtë. Është shumë shumë i ndotur,” shtoi ajo.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet vrojtimeve në terren, intervistave me banorë dhe mjekë të zonës si dhe mijëra faqe dokumente të siguruara nga institucionet vendore dhe ato qendrore nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, tregojnë se nxjerrja naftës në fushën e Patos-Marinzës, në vendburimin e Visokës në Hekal dhe në vendburimet e tjera në zonën e Mallakastrës, si dhe përpunimi i saj në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh vazhdojnë të thellojnë pasojat e rënda për mjedisin dhe shëndetin e banorëve të këtyre zonave.

Në lidhje me ndotjen e konstatuar nga hidrokarburet në Patos-Marinzë, Visokë dhe Ballsh, BIRN kërkoi komente duke i dërguar pyetje të detajuara kompanive nxjerrëse të naftës Albpetrol, Transoil Group, TransAntlantic Albania Ltd dhe Bankers Petroleum, si edhe asaj përpunuese të naftës Ionian Refining and Trading Company, IRTC.

Në përgjigje të kërkesës që BIRN i drejtoi Albpetrol-it lidhur me monitorimin mjedisor në zonën ku kjo shoqëri ushtron aktivitetin, kompania vuri në dispozicion disa raporte të monitorimit mjedisor të përpiluar gjatë vitit 2016.

Këto raporte të Institutit të Studimeve Ambientale për llogari të Albpetrol, vlerësojnë se cilësia e ajrit në mjediset pranë aktiviteteve të nxjerrjes dhe transportit të naftës ka qenë brenda normave për industrinë, por megjithatë, ujërat e shkarkimeve teknologjike përbëjnë shqetësim për kompaninë.

“U vërejt që vetëm atje ku kryhet plotësisht procesi i dekantimit, përbërja e këtyre ujërave është brenda normave të lejuara ref. VKM Nr 177, dt 31.03.2005. Në rast se këto ujëra derdhen pa kaluar procesin e dekantimit të plotë, përbërja e tyre është me tregues të ndotjes mjaft më të lartë se normat respektive”, thuhet në raportin e tre-mujorit të parë të vitit 2016 të Albpetrol.

Në të njëjtin raport pasqyrohet fakti se në qendrat e prodhimit të naftës, si në Ballsh, Patos e Kuçovë, vihet re një sasi e konsiderueshme sabie naftore, që gjendet e shpërndarë pranë puseve e grupeve në sektorë të ndryshëm.

“Këto, me sa konstatuam gjatë monitorimit të mjedisit në qendrat e prodhimit të naftës janë burim ndotje të ajrit me anë të gazrave që çlirohen nën veprimin e temperaturës, apo të ujërave të përrenjve e lumenjve si dhe tokave të fermerëve që gjenden pranë këtyre puseve apo gropave, që sidomos gjatë shirave fryhen dhe shkaktojnë ndotjen e tyre,” thuhet në këtë raport.

Në një përgjigje me shkrim për BIRN, kompania Bankers Petroleum u shpreh se impakti në mjedis i punës së saj monitorohej nga një numër institucionesh shtetërore, si Ministria e Mjedisit, Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

“Cilësia e ajrit, tokës dhe ujit në zonat ku ne operojmë është brenda parametrave të lejuar. Bankers Petroleum ka një program gjithëpërfshirës të monitorimit që përfshin një gamë të madhe të çështjeve mjedisore, të tilla si ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore, dherat, cilësinë e ajrit dhe zhurmën,” tha kompania.

“Programi i monitorimit është zhvilluar jo vetëm për të siguruar përputhjen me licensat aktuale operacionale dhe standardet e pranuara ndërkombëtare, por gjithashtu për të ofruar një vlerësim gjithëpërfshirës të një sërë kushtesh mjedisore,” shtoi ajo.

Tre kompanitë e tjera të nxjerrjes së naftës, Transoil Group, TransAntlantic Albania Ltd dhe Ionian Refining and Trading Company, IRTC nuk iu kthyen përgjigje pyetjeve të BIRN.

Shpërthimi nxjerr në sipërfaqe krizën shëndetësore

E zbuluar në vitin 1928, Patos Marinza konsiderohet si fusha më e madhe naftëmbajtëse në Europën kontinentale, me rezerva të provuara prej 2 miliardë fuçi nafte të rëndë. Nxjerrja e naftës bruto në këtë fushë ka filluar në fillim të viteve 1930.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ky vendburimin u zhvillua nga kompania shterërore e nxjerrjes së naftës që sot quhet Albpetrol, e cila në vitin 2002 i dha vendburimin me koncesion kompanisë Bankers Petroleum.

Shfrytëzimi prej gati 85-vjetësh i kësaj fushe naftëmbajtëse nuk ka qenë pa pasoja për mjedisin. Një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, AKM, i publikuar pas shpërthimit të pusit P29A në Prill të vitit 2015 pranon se në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, industria e naftës nuk është menaxhuar sipas standardeve mjedisore, duke e renditur atë përkrah rrjetit të vatrave të nxehta mjedisore që kanë nevojë për ndërhyrje dhe rehabilitim.

“Shqipëria deri tani nuk është përballur me situata mjedisore të rënda të shkaktuara nga industria përveç situatës… në zonën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, por dhe në grykëderdhjen e Semanit,” shkruan raporti duke iu referuar shpërthimit në pusin P29A.

“Në zonë vërehet ngarkesë e ajrit me substanca hidrokarbure volatile, sulfide të hidrogjenit apo okside të squfurit dhe gjendje shëndetësore e banorëve e ndikuar negativisht nga gjendja mjedisore e zonës,” shton raporti.

Sipas raportit të AKM-së, në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ekzistojnë rreth 1480 pellgje llumrash nafte në një sipërfaqe prej rreth 95 hektarësh, një ndotje ndaj të cilës banorët janë direkt të ekspozuar.

Përsa i takon ndotjes së ujërave sipërfaqësore, raporti vlerëson se rreth 117 km trupa ujore janë të ndotura nga substancat/polimeret e naftës, ku përfshihen ujërat e lumit Gjanicë, Seman dhe përrenjeve të zonës.

“Kjo gjendje e ujërave përbën rrezik direkt për zinxhirin ushqimor bujqësor, si pasojë e përdorimit të ujit për ujitjen e tokave,” shkruhet në raporin e AKM-së.

Për të monitoruar impaktin e kësaj ndotjeje mjedisore mbi shëndetin e popullatës, pas shpërthimit të pusit P29A në fshatin Marinzë, Instituti i Shëndetit Publik ndërmori një studim të thelluar të shëndetit dhe gjendjes sociale të banorëve.

Në monitorimin e kryer pas shpërthimit të pusit P29A në Marinzë, Instituti i Shëndetit Publik përfshiu 100 nga 416 familje gjithsej që jetojnë në fshat. Sipas monitorimit, aromat e pakëndëshme dhe rreziku i perceptuar për shkak të lëkundjeve të shpeshta të tokës si rezultat i shpimit të puseve konsiderohen probleme madhore për pjesën më të madhe të familjeve në Marinzë.

Ndërkohë, ISHP vëren gjithashtu një nivel të lartë të sëmundshmërisë te fëmijët dhe të rriturit, ku dominojnë problemet me rrugët e frymëmarrjes.

Sipas ISHP-së, rreth 8 % e familjeve të intervistuara si pjesë e anketimit në fshatin Marinzë rezulton të kenë fëmijë të lindur me anomali të ndryshme, si autizmi, mushkëri të dëmtuara, abnormalitete në kokë, talasemi dhe epilepsi. Instituti evidenton gjithashtu faktin se 14 % e familjeve të intervistuara kanë pasur lindje të fëmijëve nën peshën normale. Të dhënat tregojnë gjithashtu se përqindja e fëmijëve të lindur me abnormalitete ka ardhur në rritje.

Në vitin 2012 kanë lindur 5.2% e fëmijëve me abnormalitete në qarkun e Fierit, në vitin 2013, 6.4%, në vitin 2014, 8.1%, në vitin 2015 3.6% dhe në vitin 2016 ka një nivel prej 12% të fëmijëve të lindur me anomali, krahasuar me numrin total të lindur në këtë qark.

“Si rezultat ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit kryesisht të emetuara nga komponimet e hidrokarbureve lejon zhvillimin e një sërë simptomash në rrugët e frymëmarrjes,” shkruan ISHP.

“Rezultatet e përftuara tregojnë që 19 % e familjeve deklarojnë se kanë të sëmurë me astmë bronkiale të konfirmuar dhe trajtohen nga mjeku specialist,” shton ISHP.

Ridvan Azizi, banor i fshatit Zharrëz shprehet se në Patos Marinzë, problemet me astmën janë në mënyrë të veçantë shqetësuese te fëmijët.

“Problem me fëmijët, me pompa i kemi nga ajri. Ja pompa e çupës, vajza po vete 12 vjeçe! Ka nisur të ketë shqetësime që para katër vitesh,” tregoi ai.

“Ankesa kemi bërë disa herë, por këto ankesat mesa duket janë kot, i bëjmë kot. I marrin, i shkruajnë, i inçizojnë, nuk e di ku i çojnë,” shtoi Azizi.

Njësoj si ai, edhe Ferrik Gremi, i cili banon në fshatin fqinj të Belinës i tha BIRN se situata mjedisore është alarmante, ndërsa ankesat e tyre duket sikur bien në vesh të shurdhër.

“Kemi vajtur disa herë në zyrën e ankesave…jemi ankuar te zyra e ankesave të marrëdhënieve me publikun në Marinzë e Bankers-it dhe asnjë zgjidhje s’është bërë,” tha ai.

I pyetur nga BIRN mbi sistemin e menaxhimit të ankesave, Bankers Petroleum u shpreh se që prej vitit 2011 kishte ndërtuar një sistem të konsoliduar me konsoluencë të ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë, Korporatës Ndërkombëtare Financiare dhe BERZH.

“Ky sistem ka synim të identifikojë, investigojë dhe zgjidhë të gjitha ankesat nga komunitetet e Patos Marinzës që kanë lidhje me operacionet dhe aktivitetin e kompanisë në këtë zonë,” u shpreh kompania.

“Nëse ankesa qëndron, ajo regjistrohet si e vlefshme dhe Bankers, nëpërmjet një buxheti të dedikuar për zgjidhjen e ankesave ndërhyn duke rregulluar atë që ka dëmtuar dhe duke bërë dëmshpërblimin përkatës,” shtoi ajo.

Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, gjysma e familjeve të përfshira në anketim raportojnë probleme të herëpashershme pulmonare dhe po kaq shqetësuese janë edhe sëmundjet e lëkurës. Raporti thekson se 51 për qind e familjeve raportojnë probleme pulmorare dhe 50 për qind probleme me lëkurën në forma alergjike, prurite, dermatike, ekzema e deri në melanoma.

“Një nga simptomatologjitë karakteristike e ekspozimit ndaj ndotësve të ajrit është dhe djegia dhe skuqja e syve, e cila është shprehur në 84 % e popullatës së studiuar,” shkruan ISHP.

“Në rezultatet e përftuara nga kjo popullatë rezulton se në 70 % të familjeve ndodhet të paktën një person që vuan nga hipertensioni… në 11% të familjeve të pyetura rezulton të ketë një person me sëmundje malinje,” shton ISHP.

Pasojat e rënda që ka shkaktuar ndotja e hidrokabureve në zonat naftëmbajtëse pranohet edhe nga mjekët e qëndrave shëndetësore të fshatrave dhe të qytetit të Ballshit, të cilët folën për BIRN nën kushtet e anonimatit- pasi druhen mos i largojnë nga detyra.

Një mjek në qytetin e Ballshit pohoi se gjendja shëndetësore e banorëve të këtij qyteti dhe e punëtorëve të Uzinës është mjaft e rëndë, si pasojë e nivelit të lartë të karbonit në gjak dhe të fenoleve si edhe lëndëve të tjera toksike që çlirohen si pasojë e përpunimit të hidrokabureve.

Sipas tij, prej vitesh punonjësit e ARMO nuk i kryejnë më analizat e fenolit dhe nuk e njohin situatën e tyre. Ndërkohë, edhe kur i bëjnë këto analiza nuk njoftohen për situatën e tyre reale shëndetësore. Mjeku u shpreh se është e nevojshme që shteti të marrë masa të menjëhershme për kryerjen e analizave reale të 1,100 punonjësve të KPTHN-së Ballsh si dhe për depistimin e popullsisë së fshatrave Lavdan, Panahor, Kalenjë, Hekalit, Kashit, Koilaçit, Drenovës, Usojës e Visokës lidhur me karbonin në gjak.

Edhe në njësitë administrative Zharrëz dhe Marinzë, mjekët tregojnë në kushtet e anonimatit se nuk disponojnë të dhëna statistikore apo informacione për fenolet në gjak, pasi analiza të tilla nuk kryhen në laboratorët shtetërorë. Ndërkohë, theksuan se nuk mund të rekomandojnë qytetarët t’i bëjnë analizat në klinikat private, pasi nuk u lejohet një gjë e tillë.

“Unë analizat i kam bërë dhe i kam mbi normën e lejuar,” shprehet Ferik Gremi. “I kam bërë në Fier te privati sepse nuk ka një udhëzim që t’i marrë përsipër shteti dhe kam vajtur vetë atje që të di ku jam,” shtoi ai.

Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Fier u shprehën për BIRN se në laboratorët shtetërorë nuk është e mundur kryerja e analizave të karbonit në gjak apo të fenoleve.

Sipas mjekëve, nuk ka pasur ndonjë urdhëresë për depistimin e popullsisë lidhur me fenolet në gjak dhe se do të kishte qenë e nevojshme që analizat e fenoleve në gjak për zonat naftëmbajtëse të ishin parashikuar në chek-up e përgjithshëm.

Një mjek i sëmundjeve profesionale në Fier u shpreh gjithashtu se gjendja shëndetësore e banorëve të zonave naftëmbajtëse është më keq nga sa dihet apo perceptohet. Sipas tij, jo vetëm të rriturit por edhe fëmijët kanë norma të larta të fenoleve në gjak dhe pasoja të tjera shëndetësore si pasojë e ekspozimit në ambiente të ndotura nga gazrat e hidrokabureve.

Përveç problemeve që prania e fenoleve në gjak sjell për banorët që i kanë bërë privatisht analizat, Instituti i Shëndetit Publik vërejti prani të fenoleve në analizat e pakëta të urinës që realizoi me banorët e zonës pas shpërthimit të pusit P29A.

Monitorimi evidenton se analizat e fenol urinës u kryen vetëm për 8 banorë të fshatit, me banesa në pozicione dhe largësi të ndryshme nga pus-shpimi i naftës dhe që nuk punonin në sektorin e naftës.

Monitorimi vëren se në të gjitha rastet e analizave, pavarësisht gjinisë, moshës dhe profesionit, vlerat e fenol urinës janë mbi normë, rreth dy herë më të larta nga norma e lejuar për punonjësit e naftës. Një prej banorëve ka qenë një nxënëse 13-vjeçe dhe vlerat kanë qenë 158, nga 80 maksimalja që lejohet për punonjësit e sektorit të hidrokabureve.

“Prania e vlerave mbi normë të fenolit në urinë tek banorët e fshatit, të cilët nuk punojnë në industrinë e naftës tregojnë për praninë e gazeve të biomasës si dhe ekspozimin e popullatës në zonën e banuar”, theksohet në raportin e ISHP-së.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier tregojnë se gjatë vitit 2014 në fshatin Marinzë është konstatuar një person që vuante nga kanceri i mushkërive, ndërsa në fshatin Zharrëz 3 persona me të njëjtën sëmundje. Në fshatin Zharrëz, po gjatë vitit 2014, janë konstatuar të vuajnë nga “Asthma bronchialis” 38 persona, një nivel relativisht i lartë i kësaj sëmundjeje.

“Ne po vdesim këtu. Vijnë e bëjmë ankesa ne, e asgjë s’po bëhet. Edhe unë vetë jam e sëmurë, jam me karbon dhe kurohem. Tani unë po i lë mjekimet, se s’kam lekë. Unë vete në Tiranë që mjekohem. Në shtet kam vajtur, tani nuk ia dal dot as në shtet. Tani po kurohem këtu në Fier, edhe këtu në Fier nuk ia dal dot, s’kam lekë,” tregon Lumturi Rredhi.

“I kam me alergji fëmijët. Vete tek doktori atje, të pyet nga je?… nga Zharrëza… , ça do bëjmë thotë,” shtoi ajo.

Një situatë e ngjashme shfaqet dhe në fshatin Aranitas të bashkisë Mallakastër. Sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik në Mallakastër, në qendrën shëndetësore Aranitas, nga 124 persona të egzaminuar, 80% e tyre kanë shqetësime shëndetësore ku dominojnë: probleme të sistemit të gjakut, problem të sistemit të tretjes dhe çrregullim i metabolizmit të yndyrnave. Në përgjigjen e saj, DSHP Mallakastër thekson se nuk ka mjete të posaçme, kështu që nuk mund të përcaktojë si shkaktarë të kësaj sëmundshmërie ndotjen nga aktiviteti për nxjerrjen e përpunimit të hidrokabureve.

Tokë e mallkuar nga nafta

Vetë banorët e zonave ku ushtrohet aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokabureve janë të vetëdijshëm për ndotjen që është shkaktuar aty prej dekadash dhe pasojat që ka sjellë në ambient e në shëndetin e tyre. Ata ankohen për mungesën e reagimit të institucioneve shtetërore dhe theksojnë se kanë humbur besimin se diçka mund të ndryshojë në të ardhmen.

“Kemi probleme me frymëmarrjen, na janë dëmtuar mushkëritë. Kemi edhe pompat. I marrim shumë lekë këto, i marrim në Greqi dhe nuk kemi më mundësi ta përballojmë,” shprehet Dashnor Selimi, një banor i fshatit Zharrëz.

“Nuk futet fare shteti dhe jemi në hall të madh. Ndotja ka arritur kulmin, është bërë e padurueshme,” u ankua Selimi.

BIRN ka vëzhguar në terren situatën aktuale mjedisore në zonat ku zhvillohet aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokabureve në Qarkun e Fierit, duke konstatur ndotje të tokave bujqësore, lumenjve dhe përrenjve, si pasojë e depozitimit aty të mbetjeve të hidrokabureve.

Në ujërat e lumit Gjanica, që prej segmentit ku derdhen mbetjet e lëngshme të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh e deri në derdhjen e tij në Seman, konstatohet prania e elementëve kimikë që i ndryshojnë ngjyrën, herë në gri të hapur dhe herë në të zezë, si edhe aroma e rëndë e hidrokabureve.

Gjithashtu, banorët e fshatit Lavdan, Panahor, Kalenjë dhe të qytetit të Ballshit ankohen për ndotjen që shkaktohet në ajër si pasojë e shkarkimit të tymrave dhe lëndëve toksike nga rafineria. Sipas tyre, kjo ndotje po u dëmton shëndetin, tokën, drurët frutorë e të mbjellat.

Këze Skënderaj nga fshati Lavdan i Mallakastrës, i cili ndodhet afër rrethimit të rafinerisë së Ballshit, i tha BIRN se ndotja është bërë e padurueshme.

“Kur ngrihemi sidomos në mëngjes, shumë keq, nuk dalim dot nga shtëpia. Hap derën, shumë keq është. Shqetësimi, aroma, çfarë të them, çfarë arome të them, shumë e keqe, shumë e rëndë, të gjithë të sëmurë,” tha Skënderaj.

“Nëna vetë vuan nga karboni në gjak. I kemi bërë analizat dhe shumë keq na kanë dalë e vazhdojmë me ilaçe,” shtoi ajo.

Një situatë mjaft e rënduar e ndotjes vërehet edhe në puset apo stacionet e pompimit të Albpetrol, si në Zharrëz e Kuqar ashtu edhe në fshatrat e Mallakastrës në njësinë administrative Hekal.

Gjatë vëzhgimeve në terren, BIRN ka konstatuar ndotje të rënda përreth grupit 490 të prodhimit në Patos, ndërsa naftësjellësi në Zharrëz rezulton të jetë ndotësi i përroit që kalon përmes këtij fshati.

Në pusin 2351 në sektorin nr.6 në Patos rezulton të ketë derdhje nafte në sasi të konsiderueshme. Njësoj edhe në pusin 2148 në sektori 6 Prodhim-Patos apo në pusin DR 23, sektori 6 Prodhim-Patos ka ndotje hidrokarbure në shkallë të madhe.

Në grupin 13-të në Kuqar konstatohen derdhje të mbetjeve të hidrokabureve në përrua. Ndotja vazhdon për qindra metra përgjatë përroit, ndërkohë që ka edhe çlirim të madh të gazit në atmosferë.

Stacioni i pompimit nr.6. ka depo të çara dhe rrjedhje të naftës në sasi të madhe në përrua. Ndotja vazhdon përgjatë përroit. Ujërat e mbetjet e naftës që mbartin këta përrenj përfundojnë në Vijën e Ngjalës e më pas në lumin Seman dhe në detin Adriatik.

Në ujëmbledhësin e Koilaçit në Mallakastër ka sasi të mëdha mbetjesh nafte. E gjithë sipërfaqja e këtij ujëmbledhësi artificial ka një shtresë të trashë mbetjesh hidrokarbure, të cilat çlirojë avuj toksikë me një aromë mjaft të rëndë që ndihet edhe në distancë të largët.

Në territorin e vendburimit të Visokës në qytetin e Ballshit, në fshatrat përreth rafinerisë së përpunimit; Lavdan, Panahor, Kalenjë, Usojë dhe në zonën e Kashit e të Koilaçit ndihet aromë e rëndë hidrokaburesh që mund të konstatohet prej çdokujt që kalon aty.

“Për ajrin dhe për ujin e pijshëm kemi shumë, shumë problem. Këtu është mjegull tërë kohën. Ka erë gazi shumë të theksuar. Ndërsa uji është i papijshëm. Lumi as për vaditje nuk bën,” tha Bilbil Kalemaj nga Patos Fshat, banor i zonës së vendburimit të Visokës që shfrytëzohet nga Transoil Group.

“Që kur kanë hyrë këto firmat është ndezur toka nën të, uji është prishur pothuajse 100%, në tërë zonën që është me naftë,” shtoi ai.

Në zonën e Marinzës dhe të Zharrëzës gjithashtu konstatohet ndotje e tokave bujqësore nga nafta, aromë e rëndë e hidrokabureve që emëtohen gjatë procesit të nxjerrjes së naftës si edhe zhurma që dëgjohen edhe qindra metra larg grupeve apo puseve të naftës.

Banorët ankohen për ndotje të lartë të ajrit, si nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës ashtu edhe si pasojë e mjeteve të rënda që përshkojnë rrugët e këtyre zonave gjatë 24 orëve. Tek banorët perceptohet një frikë e madhe përsa i përket lëkundjeve të tokës. Gjithashtu, ata ankohen për dëmtimin e mjedisit të tokave bujqësore, ujërave, dhe të pemëve frutore e të mbjellave.

“Të gjitha analizat që janë bërë kanë dalë shumë keq, e shikoj dhe veten, punova një jetë për këtë helm. Ajrin po na e marrin, toka po nuk bëhet, ujë për të pirë nuk kemi,” konstaton me keqardhje Llazar Mihal Kumaraku, një banor i fshatit Marinzë.

“I gjithë ky komunitet është gjynah, toka nuk bën sepse është e helmuar, vetë jemi helmuar, është për të vënë duart në kokë. Se si do vejë kjo puna jonë, vetëm zoti e di,” shtoi ai.

Denoncimet e banorëve mbështeten edhe nga kreu i njësisë administrative në Zharrëz, Arben Semanjaku-njësi e cila përmbledh 6 fshatra dhe ku 80 % e territorit përfshihet në zonën naftëxjerrëse të Patos Marinzës. Sipas Semanjakut, ndotja në njësinë e tij është aq e madhe sa mund të shihet me sy të lirë.

“Ajri këtu është më problematik, nga të tëra këto për momentin është ndotja mjedisore në ajër. Sepse volumet e punëve të kryera nga kompanitë, nga mjetet e ndryshme të cilat operojnë në fushë, si tymra të caktuara që nxjerrin apo vënë në lëvizje këto mjete të rënda, apo edhe gazrat e ndryshëm që çlirohen të lira apo që digjen nga fagret, bëjnë një ndotje të cilën e vëmë re,” tha Semanjaku.

“Ndotja është në një shkallë të tillë që vihet re edhe pa syrin e specialistit,” shtoi ai.

Megjithatë, Semanjaku nënvizon se dhënia me koncesion e fushës së Patos Marinzës nga Albpetrol për Bankers Petroleum ka sjell përmirësime të ndjeshme në pastrimin e ndotjes së trashëguar në puse.

“Lidhur me pjesën mjedisore, gjatë këtyre viteve mund të jenë bërë përmirësime përsa i përket gropave të vjetra- pronë të Abpetrolit dhe pjesa e kaluar në administrim të kompanisë Bankers,” u shpreh ai.

Semanjaku shprehet se për një pjesë të puseve Bankers dhe Albpetrol nuk bien dakord se kujt i takon përgjegjësia për t’i pastruar dhe ky ngërç mbetet shqetësues për pushtetin vendor dhe banorët. Kreu i njësisë administrative flet për mosmarrëveshjet mbi ndotjet e vjetra nga nëntoka, ndotje sipërfaqësore të kanaleve apo në sipërfaqe te caktuara toke, të cilat sipas tij janë bërë pengesë për rehabilitimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese të shkatërruara.

“Rreth 80% përqind e tyre është e pastruar dhe pjesa që ka ngelur, për momentin… neve në kërkesat tona kemi ngelur në një ngërç, se të dyja kompanitë pretendojnë t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës,” tha Semanjaku.

“Bankers-i pretendon se këto janë ndotje të shkaktuara nga industria e naftës nga Albpetrol-i në vite, ndërsa Albpetrol-i thotë që fushën ia kemi dhënë me koncesion kompanisë dhe duhet t’i pastrojë kjo,” shtoi ai.

Megjithë ngërçin e krijuar midis koncesionarit dhe kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol, kreu njësisë administrative Zharrëz mbetet optimist se një zgjidhje do të gjendet, pasi së fundmi kanë marrë përgjigje pozitive dhe është bërë vlerësimi i volumeve të ndotjes.

“Nga ana e kompanive tani kërkohet të caktojnë fondet që të bëjnë të mundur dhe pastrimin të këtyre mbetjeve,” përfundoi ai.

Kryetari i Shoqatës së Zharrëzës, Qani Rredhi tregon për BIRN se ndotjet historike të Albpetrolit vazhdojnë të dëmtojnë tokat bujqësore, ajrin dhe ujërat rrjedhës sipërfaqësorë dhe ata nëntokësorë.

“Këtu në vendburimin e Marinzës, pamjet tregojnë qartë ndotje të tejskajshme. Këtu është bërthama prej nga niset ndotja për në detin Adriatik. Nuk është vënë dorë,” u shpreh Qaniu.

“Kompania Bankers Petroleum ka bërë diçka, ka rregulluar të vetat, kurse këto janë rrënojat e ndërmarrjes së Albpetrolit, gjendje skandaloze. Si kjo ndotje këtu kemi edhe në anën tjetër të Belinës. I bëjmë thirrje pushtetit qëndror dhe atij vendor të vërë dorë për këtë katastrofë ekologjike,” përfundon ai.

Është e paqartë se kur do të ndërhyhet për të pastruar mbetjet historike të hidrokarbureve në Patos Marinzë, megjithatë, gjatë 5 viteve të fundit institucionet monitoruese të mjedisit kanë konstatuar dhe shkelje të reja nga kompania Bankers Petroleum dhe disa herë kanë marrë masa ndëshkuese.

Sipas Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier, gjatë 5 viteve të fundit, në gjashtë raste janë marrë masa administrative me gjobë për dëmtim të tokës bujqësore në zonën e Zharrëzës dhe në një rast është marrë masa e dëmtimit me gjobë për ndërtim pa leje nga Inspektoriati i Ndërtimit pranë ish-Komunës Zharrëz ndaj Kompanisë “Bankers Petroleum”. Në përgjigjen e Këshillit të Qarkut Fier thuhet se më datë 1 Prill 2015 në Marinëz janë dëmtuar 70,656 metër katrorë tokë bujqësore, pronë e 60 familjeve.

Masë administrative për ndotjen nga hidrokaburet ka marrë edhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve në Fier, që shpjegon se më datë 31.10.2014, ndaj kompanisë “Bankers Petrolium Albania” është marrë vendimi për vendosjen e gjobës 5 milionë lekë.

Bankers e ka ankimuar këtë gjobë në gjykatë dhe e konteston inspektimin që është bërë bazë për masën administrative.

“Inspektimi nuk është kryer në bazë të ligjeve në fuqi,” tha Bankers.

“Analizat e kryera nga laboratorë të certifikuar ndërkombëtarë kanë konfirmuar se këto ujëra janë brenda normave të parashikuara,” pretendon kompania.

Ndotja e ujërave nga hidrokarburet

Në studimin për fshatin Marinzë pas shpërthimit të pusit P29A, Instituti i Shëndetit Publik ka sqaruar se nuk kryen monitorim për ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se matjet e kryera nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Fier nga viti 2000 deri në vitin 2013 konstatojnë ndotje të lartë të baseneve ujore, në mënyrë të veçantë të lumit Gjanica.

Në më të shumtën e matjeve është konstatuar se lumi Gjanica ka pasur ngjyrë të verdhë, të zezë, gri dhe aromë nafte, hidrokaburesh, vajrash dhe ka qenë me turbullirë dhe me prani të elementëve kimikë e të metaleve të rënda si NO3, Fe, NO2, NH4 e Cl. Po ashtu, edhe në vijën e Ngjalës janë konstatuar të pranishme karakteristikat e ndotjes së lumit Gjanica, ndërsa lumi Seman rezulton i ndotur me metale të rënda.

Në vitin 2014, ndotja në lumin Gjanica ka qenë një një nivel më të ulët. Por në vitet 2015, 2016 dhe 2017 situata përkeqësohet sërish, ku konstatohet shpesh erë e rëndë e hidrokabureve, ngjyrë gri dhe të verdhë, si edhe prania e elementëve kimikë dhe metaleve të rënda. Thuajse gjatë gjithë matjeve të kryera në 17 vitet e fundit, lumi Gjanica rezulton të ketë praninë e elementëve hidrokaburë që depozitohen aty gjatë rrjedhës së tij.

Në raportin përfundimtar të vlerësimit strategjik mjedisor të Bashkisë Fier të datës 30 Shtator 2016 shkruhet se zona naftëmbajtëse e Fierit, për shkak të historikut të veprimtarisë industriale në të shkuarën, mbart ndotje të lartë me hidrokarbure në tokë, ujë dhe ajër- në mënyrë të veçantë zona e administruar nga kompania publike Albpetrol.

“Puset e naftës në këto zona vazhdojnë të përdorin teknologjinë e vjetër të së shkuarës duke shkaktuar ndotje të theksuar në tokat përreth puseve. Ndikimi i tyre shtrihet edhe në rrjedhat ujore sipërfaqësore, ujërat nëntokësorë, në ajër, etj,” shkruhet në raport.

“Një numër i madh i këtyre puseve nuk kanë gropa ekologjike. Hidrokarburet i shkarkojnë në “gropa ekologjike” që janë thjesht sipërfaqe toke e gërmuar në formë vaske, pa standarde minimale teknike për mbrojtjen e mjedisit,” shton raporti.

Sipas raportit, mbetjet kimike arrijnë të depërtojnë në shtresat nëntokësore ujore ndërkohë që përbërësit organikë të avullueshëm shpërndahen në ajër.

“Në disa zona, për shkak të erës së fortë është e vështirë të qëndrosh në afërsi të gropave ekologjike për më shumë se disa sekonda. Një gjendje e tillë vihet re pothuajse në zonat ku puset kanë ende teknologji të vjetër,” theksohet në këtë raport.

Evidentohet gjithashtu fakti se rezultatet e monitorimit treguan se ujërat e Semanit (ku përfshihen edhe Osumi e Devolli) dhe degët e tjera janë të ndotura thellë me metale të rënda.

“Meqenëse ujërat e këtyre lumenjve përdoren edhe në bujqësi, mund të rrezikojë shëndetin e njeriut nëpërmjet konsumit të fruta-perimeve të ndotura me ujin e lumit gjatë kultivimit. Në qoftë se nuk merren masa për uljen e ndotjes së ujërave të Semanit së bashku me degët e tij (Devolli dhe Osumi), këta lumenj mund të kthehen në një faktor rreziku për cilësinë e produkteve bujqësore dhe shëndetin e njeriut,” shkruhet në raport.

Bashkia Fier nuk iu përgjigj kërkesës për informim të BIRN ku kërkoheshin të dhëna mbi masat e marra për parandalimin e mëtejshëm të ndotjeve aktuale dhe përmirësimin e zonave me ndotje historike në territorin e saj.

Ndryshe nga bashkia Fier, në përgjigje të një kërkese nga BIRN Bashkia Patos shpjegoi se lidhur me ndotjen që shkaktohet nga kompanitë që operojnë në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës janë mbajtur procesverbale, kur janë konstatuar derdhje të hidrokabureve në përrenj dhe kanale.

“Kemi konstatuar vetëm dy pika të derdhjes së hidrokabureve në kanal, për të cilat po bashkëpunojmë me Albpetrol për t’i eleminuar,” shkruhet në përgjigjen e Bashkisë Patos, ku shtohet fakti se në mungesë të aparaturave nuk është punuar në monitorimin e cilësisë së ajrit në zonat ku ka aktivitet. Ndërkohë, sipas kësaj bashkie, për vitin 2017 është bërë pastrimi i 46 kilometrave kanal kullues kryesisht ku ka derdhje të hidrokabureve.

Ndërkohë, Bashkia Mallakastër u përgjigj se ka njoftuar institucionet kompetente për marrjen e masave administrative, konkretisht Ministrinë e Mjedisit, Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, dega Qëndrore Tiranë dhe degën rajonale Fier, si edhe Drejtorinë Rajonale të Mjedisit, Qarku Fier.

Sipas Bashkisë Mallakastër, nga hidrokaburet janë të dëmtuara gjithsej 8 hektarë tokë, 3 hektarë në njësinë administrative Hekal dhe 5 hektarë në njësinë Administrative Qendër.

“Dëmtimet kanë ardhur si pasojë e rrjedhjes së naftës bruto dhe rezervuarëve të dekantimit, si dhe ujërat teknologjikë që përdoren. Dëmtimet kanë ndikuar direkt në strukturën e tokës dhe bimësisë përreth. Një sipërfaqe toke ka dalë jashtë përdorimit nga ndotja në vite, si pasojë e mosdisiplinimit të ujërave të ndotura me hidrokabure”, sqaron Bashkia Mallakastër, e cila shton se janë bërë takime me drejtuesit e kompanive për t’i njohur me dëmtimet e shkaktuara si dhe është bërë kërkimi i dëmshpërblimit të fermerëve nga kompanitë e naftës.

Edhe Bashkia Roskovec sqaron se prej vitit 2015 ka nisur pastrimi, sistemimi dhe largimi i mbetjeve të naftës nga sipërfaqet dhe kanalet kulluese dhe ujitëse, jo vetëm në Marinëz. Bashkia Roskovec ka kryer një studim për ndotjen e ajrit dhe thekson se do të nisin të hartojnë marrjen e masave në bashkëpunim me kompaninë Bankers për përmirësimin e kësaj situate.

Ndërkohë që situata e rëndë e ndotjes pranohet nga një mori institucionesh, veprimet kundër autorëve kanë qenë thuajse të papërfillshme.

Më 27 Qershor 2016, Prokuroria e Fierit regjistroi një procedimin penal për veprën penale të “ndotjes së ujërave” për ndotjen nga hidrokaburet të lumit Gjanica, por hetimi u mbyll pak kohë më pas.

Prokuroria kërkoi ekspertizën e Institutit të Fizikës Bërthamore, Institutittë Shëndetit Publik në Tiranë, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier. Në fund sipas Prokurorisë, institucionet shtetërore nuk e kanë pasur të mundur të provojnë shkencërisht ndotjen e ujërave.

“Në rastin konkret, nga të gjitha përgjigjet e administruara nga institucionet e lartpërmendura nuk është dhënë ndonjë konkluzion shkencor mbi çështjen e përcaktimit të prishjes së ekuilibrit ekologjik në mjedisin ujor të lumit Gjanica, duke bërë kështu të pamundur që të provohet në mënyrë objektive dhe shkencore pasoja e veprës penale e parashikuar nga neni 203 i Kodit Penal,” thuhet në vendimin e pushimit të kësaj çështjeje.

Ndotja mjedisore dhe varfëria në Patos Marinzë

Ndonëse jetojnë mbi rezervat e qindra milionë fuçive nafte, pjesa më e madhe e banorëve të zonave naftëmbajtëse janë të papunë dhe përballen çdo ditë me varfërinë, me degradimin mjedisor e me sëmundje të ndryshme që kanë si shkak ndotjen e hidrokarbureve.

Në disa raste, shtëpitë e tyre ndodhen vetëm pak metra larg puseve të naftës së Albpetrolit prej nga gulçon gazi natyror. Ndërkohë, në Zharrëz e Marinzë nuk gjendet thuajse asnjë banesë që të mos jetë dëmtuar si pasojë e lëkundjeve të tokës për vite me radhë, 61 prej të cilave janë vlerësuar si të pabanueshme së fundmi në Zharrëz.

Në monitorimin e kryer pas shpërthimit të pusit P29A në Marinzë, Instituti i Shëndetit Publik përfshiu 100 familje nga 416 gjithsej që jetojnë në fshat.

Nga monitorimi u konstatua se 29.30% e banorëve punojnë në kategori të ndryshme, 22,20% janë shtëpiakë dhe vetëm 19, 2% kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në profesionin e naftëtarit.

Monitorimi ka zbuluar gjithashtu se pjesa më e madhe familjeve ka të ardhura të ulëta financiare. Sipas raportit të ISHP-së, 74.7% e familjeve kanë të ardhura mujore nën 30 mijë lekë, ku papunësia është në normën 43 %.

Në zonat ku zhvillohet aktiviteti i përpunimit e nxjerrjes së naftës në Mallakastër situata mjedisore është mjaft e rënduar, çfarë e ka bërë prej më shumë se dy dekadash tokën të papunueshme.

Dhjetra banorë të fshatit Gorishovë të Njësisë Administrative Cakran kanë paditur kompaninë Stream Oil, sot TransAtlantic Albania Ltd, duke kërkuar dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara në pemët e tyre frutore apo në ullinj.

Me anë të një vendimi gjyqësor, ata arritën të marrin dëmshpërblimin nga Albpetrol-i për dy dekada, por kur vendburimet pranë fshatit të tyre i mori me koncesion kompania Stream Oil, kjo e fundit e ndërpreu shlyerjen e dëmit.

Në këto kushte, banorët e Gorishovës, pemët frutore të të cilëve ishin dëmtuar nga shkarkimi tej normave i gazrave si pasojë e aktivitetit të nxjerrjes së naftës, iu drejtuan përsëri gjykatës dhe pas disa vite betejash ligjore arritën të fitojnë të drejtën e dëmshpërblimit. Por pavarësisht vendimit në favor të tyre, një gjë e tillë nuk u bë asnjëherë e mundur, pasi llogaria bankare e kompanisë që ka ndërruar emrin në TranAtlantic Ltd, ka qenë dhe vazhdon të mbetet e boshatisur.

Në zonën e Marinzës dhe të Zharrëzës, banorët ankohen gjithashtu për ndotje të tokave bujqësore, aromë e rëndë e hidrokabureve që emëtohen gjatë procesit të nxjerrjes së naftës si edhe zhurma që dëgjohen edhe qindra metra larg grupeve apo puseve të naftës.

“Mua më janë tharë 40 rrënjë ullinj nga ky proces, nga gazi e nga të tjerat. Jo vetëm kaq, por edhe kur fermerët shkojnë për të nxjerrë ndonjë prodhim në treg, ata pyesin nga je dhe absolutisht largohen menjëherë për të blerë prodhimet tona bujqësore,” shprehet Dylber Karafili, një banor i zonës.

“Është një gjendje alarmante. Kemi humbur dhe besimin se mund të rregullohet kjo gjë,” shtoi ai.

Për ndikimin negativ të ndotjes në pordhimin bujqësor ankohet edhe Këze Skënderaj.

“Në 20 vjet… kemi marë (prodhim) nja dy a tri herë apo s’kemi marrë, më shumë jo. Ullinjtë thahen nga ndotja, keq jemi çfarë të them,” tha ajo. “Po sëmurën edhe bimët, pale njerëzit,” shtoi Skënderaj.

Një banor i Marinzës, Astrit Toska bashkë me familjarët e tij ka ndërmarrë një padi civile ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” me anë të së cilës kërkon dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar si pasojë e ndotjes së gazit dhe kimikateve në tokën të tij, gjë që sipas Toskës, kanë bërë që të mos ketë më prodhim.

“Për të gjitha investimet që kam bërë tek kjo pronë, për mendimin tim, ose mund ta vërtetojë një specialist i bujqësisë ose një ekspert që është i licencuar, pemët këtu janë të mbaruara dhe gjithë prona këtu është e shkatërruar, të gjitha ikën dëm,” tha Toska duke fajësuar kompaninë Bankers Petroleum.

E pyetur për padinë, Bankers e hodhi poshtë mundësinë se ajo kishte ndotur tokat bujqësore dhe shtoi se në të njëjtën zonë banojnë qindra fermerë të tjerë. Bankers e përshkroi zotin Toska si një ish-punëtor të saj të larguar nga puna.

“Mbetet për t’u theksuar se në zonën ku jeton z.Astrit Toska banojnë dhjetëra familje të tjera që zhvillojnë aktivitet bujqësor, të cilat nuk kanë depozituar asnjë ankesë në këtë drejtim,” tha kompania.

Ndryshe nga Toska, Dylber Karafili nuk ka vendosur ende nëse do të ngrejë një padi gjyqësore për ullinjtë e tij. Megjithatë, ai është i shqetësuar përveç të tjerave edhe për dëmin psikologjik që u është shkaktuar banorëve të fushës naftëmbajtëse të Patos Marinzës si pasojë e aktivitetit të nxjerrjes së naftës.

“Asnjëherë nuk është marrë në konsideratë problemi i tronditjeve psikologjike që u janë shkaktuar njerëzve nga lëkundjet që shkaktuan dëme shumë të mëdha materiale. Problemin psikologjik nuk e kanë trajtuar,” përfundoi Karafili.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>