Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Malin e Zi tregojnë se Lëvizje Europa Tani doli e para me 26 përqind të votave apo 24 mandate, por jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri e vetme. Ajo pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviq me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi.
Koalicioni pro-serb dhe pro-rus “Për të Ardhmen e Malit të Zi” (ish Fronti Demokratik) ka fituar 15 përqind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviqit me Demokratët të Aleksa Beçiqit 12.3 përqind ose 11 mandate.
Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8 përqind të votave ose 6 mandate, kurse në parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat.
Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 56.4 për qind ose 305.760 qytetarë. Kjo është dukshëm më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur votuan 76.6 për qind, si dhe në vitin 2016, kur pjesëmarrja ishte 73.3 për qind.
Rezultatet paraprake tregojnë se më shumë vota kanë fituar partitë pro-demokratike dhe proevropiane siç është Lëvizja “Evropa Tani”, e cila u formua në mesin e vitit të kaluar dhe të cilës i përket edhe presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, koalicioni i URA-s me Demokratët dhe partitë e pakicave të cilët në koalicionin paszgjedhor mund të formojnë shumicën në parlamentin e Malit të Zi.
Një ndryshim i madh ndodhi tek koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik është ndarë tashmë në tre parti të pavarura dhe në këto zgjedhje shënoi një rënie të theksuar.
Nga këto zgjedhje dalin 81 deputetë, dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi.
Gjatë viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan edhe më tej ndarjet në skenën politike.
Për këtë arsye faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.
Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më herët, për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë.
Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore.
voa
Malin e Zi e pret një verë e nxehtë politike
Zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi konsiderohen si shpëtim nga kriza e gjatë politike. Por a do të sjellë ky rezultat fundin e krizës? Lëvizja Evropa Tani kryeson, por asnjë parti dhe koalicion nuk fitoi shumicën
Sipas Qendrës për Monitorim dhe kërkim CEMI, Lëvizja Evropa Tani fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan të dielën (11.06. në Mal të Zi. Kjo lëvizje jo parlamentare, e cila u formua 10 muaj më parë, siguroi 23 mandate në parlament. Ndërkohë Partia Demokratike e Socialistëve doli e dyta me 23.8% ose 21 mandate. Koalicioni Për të ardhmen e Malit të Zi – koalicion pro serb dhe pro rus, fitoi 14.7% apo 13 mandate. Sipas Qendrës për Monitorim dhe kërkim (CEMI) koalicioni i përbërë nga Demokratët dhe Lëvizja Ura e Kryeministrit aktual Dritan Abazoviq, doli i katërti në këto zgjedhje me 12.3% të votave apo 11 mandate. Rezultate më të mira në zgjedhjet e parakohshme parlamentare arriti Partia Boshnjake e cila siguroi 6 mandate. Dy koalicionet e partive shqiptare Aleanca dhe Forumi shqiptar siguruan 3 mandate në parlamentin e ardhëshëm të Malit të Zi. Në parlamentin, i cili do të numërojë 81 deputetë, do të jetë e përfaqësuar edhe pakica kroate me 1 mandat.
Zgjedhjet si shpëtim nga kriza
Zgjedhjet e parakohshme u cilësuan si jashtëzakonisht të rëndësishme duke i dhënë fund krizës politike gati tre vjeçare, ku dy parti u rrëzuan përmes mocionve të mosbesimit. Analistët, të cilët bazohen në rezultatin paraprak të zgjedhjve, janë të mendimit, se edhe me këtë rezultat të zgjedhjeve Mali i Zi hyn në një periudhë jo stabile politike. Sipas tyre një koalicion i qëndrushëm pas zgjedhor do të ishte ai i Evropa Tani me partinë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviq. Por nga Lëvizja Evropa Tani të dielën në mbrëmje pas shpalljes së rezultateve u tha, se në asnjë variant nuk do e formojnë qeverinë e re me këtë parti. Për këtë arsye Evropa Tani do të duhet të bisedojë me disa koalicione dhe parti për formimin e qeverisë së ardhshme.
Varianti tjetër i mundshëm është formimi i shumicës midis Lëvizjes Evropa tani dhe koalicionit të Demokratëve dhe partisë Ura dhe partive të pakicave, por edhe në këtë variant ka mosmarrëveshje duke marrë parasyshme akuzat e ndërsjella dhe aferat një javë para zgjedhjeve midis partisë së Kryeministrit aktual Dritan Abazoviq dhe Liderit të Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiq.
Ditët në vijim në Mal të Zi priten bisedime intensive për fomimin e qeverisë. Vetë presidenti Jakov Millatoviq pret që qeveria e re të formohet shpejt siç ka thënë ai “në mënyrë efikase dhe në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”. Edhe lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq paralajmëroi formimin e shpejtë të qeverisë. Ai u shpreh se “ne presim që qeveria të formohet sa më shpejt, do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlerat e njejta me ne”. “Ne do të formojmë një qeveri të re pro evropiane” tha Spajiq.
Qeverinë e re të Malit të Zi e presin shumë sfida. Programi i prezantuar nga Lëvizja Evropa Tani ka qenë shumë ambicioz me premtime për rritje pensionesh dhe rrogash, luftë kundër korrupsionit dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian (BE). Zgjedhjet parlamentare kaluan të qeta dhe pa incidente. Përqindja e daljes në zgjedhje ishte 56.4 % , dukshëm më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kur votuan 76.6% e zgjedhësve. Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit ishin të dymbëdhjetat që nga vendosja e sistemit shumë partiak në Mal të Zi dhe të gjashtat që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006.
dw