Greva e përgjithshme për një Serbi normale

Grevë e përgjithshme

Greva e përgjithshme, ose “mosbindja e përgjithshme qytetare”, për të cilën qytetarët e Serbisë u thirrën nga studentët që kanë bllokuar fakultetet, ka filluar sot. Shumë kompani, shoqata dhe parti politike kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë aksion. 

A është përpara Serbisë një sfidë e re për pushtetin dhe fillimi i një momenti të ri politik? Sot, në Serbi, greva e përgjithshme është shndërruar në një shprehje qytetare të kundërshtimit ndaj politikave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas më shumë se dy muaj protestash, kjo grevë njëditore përfshin bllokime gjatë gjithë ditës dhe marshime protestuese. Greva përfshin bojkotimin e punës, blerjeve, transportit publik dhe aktiviteteve të tjera të përditshme, si një përgjigje ndaj mosplotësimit të kërkesave të studentëve, shkatërrimit të shtetit ligjor dhe mosfunksionimit të institucioneve.

“Nuk shkojmë në punë, nuk shkojmë në ligjërata, nuk kryejmë detyrat e përditshme. Marrim lirinë në duart tona! Pjesëmarrja juaj bën diferencën”, kanë shkruar studentët në rrjetet sociale.

Shumë kafene, teatro dhe dyqane kanë njoftuar se sot nuk do të hapen, në shenjë mbështetjeje për studentët protestues dhe mësuesit që janë në grevë. Shumë kompani, shoqata dhe parti politike kanë bërë të ditur mbështetjen e tyre për këtë aksion.

Është njoftuar që në orën 11:52 në disa lokacione në Serbi do të zhvillohen homazhe për viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Gjithashtu, janë planifikuar disa tubime në qytet, duke përfshirë ato të studentëve, nxënësve me prindërit dhe mësuesit, si dhe të avokatëve që janë në grevë prej disa ditësh dhe që sot protestojnë para Presidencës.

Një pjesë e opozitës nga blloku nacionalist ka njoftuar se, në kuadër të grevës së përgjithshme, në orën 11:52 do të bllokojë autostradën E75.

Koalicioni për Lirinë e Medias ka mbështetur grevën e përgjithshme, dhe për këtë arsye, mediat e pavarura sot do të raportojnë vetëm për këtë çështje.

Qëllimi i grevës së përgjithshme, siç është bërë e ditur, është mbështetja për studentët dhe shprehja e solidaritetit me mësuesit, avokatët dhe grupet e tjera që mbështesin studentët. Sindikatat kërkojnë paga më të larta, kushte më të mira pune dhe uljen e korrupsionit në institucionet shtetërore. Ndërkohë, studentët dhe punonjësit e kulturës kërkojnë më shumë mbështetje për sistemin arsimor dhe kulturën.

Senati i zgjeruar i Universitetit të Beogradit ka ftuar punonjësit e të gjitha njësive anëtare të Universitetit që sot të mbështesin studentët duke pezulluar punën gjatë ditës.

“Me këtë akt, përsëri i bëjmë thirrje organeve kompetente që të plotësojnë plotësisht kërkesat legjitime të studentëve dhe të dënojnë gjuhën e urrejtjes në hapësirën publike, si dhe të gjitha format e dhunës ndaj anëtarëve të komunitetit akademik”, është thënë në deklaratën e Universitetit.

Një nga OJQ-të, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Beograd, ka njoftuar se i bashkohet grevës së përgjithshme sot në Serbi. “Sot i bashkohemi grevës së përgjithshme në shenjë solidariteti me studentet dhe studentët! Si pjesë e kontributit tonë, gjatë gjithë ditës do të jemi në dispozicion për qytetarët në rast shkeljeje të të drejtave”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së të Drejtave të Njeriut në Beograd në Facebook.

Edhe opozita pro-evropiane është në grevë të përgjithshme. Partia Demokratike ka deklaruar se greva si mënyrë e luftës “është një udhërrëfyes drejt drejtësisë”. Në deklaratën e kësaj partie thuhet se qytetarët kanë të drejtë legjitime për revoltë kundër një qeverisjeje të keqe.

“Greva e përgjithshme është një mënyrë që kjo revoltë të zhvillohet në mënyrë paqësore. Askush që udhëheq këtë luftë legjitime nuk mund të përballet me pasoja për këtë. Asnjë prind, mësues apo nxënës që merr pjesë në bllokada nuk mund të ndëshkohet në asnjë mënyrë për luftën për një Serbi normale”, shtoi PD.

Ndërkohë që një pjesë e opinionit mbështet pezullimin e punës, qeveria ka bërë të ditur se nuk e kupton qëllimin e kësaj greve. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se bëhet fjalë për një “spektakël mediatik” dhe se “koha nuk mund dhe nuk do të ndalet”.

“Po dëgjojmë gjëra të pabesueshme. Kjo duket sikur organizohet nga një sekt dhe jo nga opozita e atyre partive politike që shpikin marrëzira të tilla,” tha Vuçiq.

Si përgjigje ndaj protestave të studentëve, partia në pushtet SNS, me mbështetjen e presidentit Vuçiq, organizon një kundërmiting në Jagodinë, duke mbledhur mbështetës nga qytete të ndryshme. Opozita e kritikon këtë veprim të qeverisë, duke e konsideruar atë si një përpjekje për vetëpromovim të Vuçiqit, dhe jo si një përgjigje ndaj pakënaqësisë së thellë shoqërore dhe kërkesave për ndryshime.

Në Serbi janë bllokuar të paktën 63 fakultete në pesë universitete shtetërore. Kërkesat e studentëve përfshijnë përgjegjësinë penale për tragjedinë në Novi Sad, publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor, lirimin e të gjithë studentëve dhe aktivistëve të ndaluar, paditjen e të gjithë sulmuesve të studentëve dhe rritjen e buxhetit për universitetet me 20%.

Përfaqësuesit e qeverisë thonë se kanë përmbushur të gjitha kërkesat, ndërsa studentët në bllokada theksojnë se asnjë kërkesë nuk është përmbushur plotësisht.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>