Serbia e ka nënshkruar një kontratë të re për modernizimin e ushtrisë së saj, duke blerë edhe nëntë helikopterë nga kompania Airbus. Kjo vetëm sa do të rrisë më shumë garën ushtarake që u nxit nga vendimi paraprak i Rusisë për t’i falur këtij shteti ballkanik disa aeroplan luftarak, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.
Ministria e mbrojtjes së Serbisë ka njoftuar se marrëveshja thotë se Beogradi do të blejë helikopterët e llojit H-145-M për shfrytëzime të ndryshme, edhe nga ushtria edhe nga policia serbe.
Në kuadër të marrëveshjes përfshihen pjesë rezervë, trajnime për pilotët dhe ekipe të mirëmbajtjes për helikopterët.
Gjatë dhjetorit, Rusia ka njoftuar se ka vendosur t’ia fal Serbisë gjashtë aeroplanë të vjetër MiG-29, për të cilat Beogradi duhet të harxhojë 180 milionë për riparimin e tyre. Modernizimi i nisur i ushtrisë serbe ka nxitur garë me Kroacinë, vendin anëtar të NATO-s me të cilën Serbia ka qenë në luftë gjatë viteve të ’90-ta.
Zagrebi ka njoftuar se ka vendosur të zëvendësojë flotën e saj të vjetër të aeroplanëve luftarak, MiG-21 me aeroplanë të shteteve perëndimore.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë konferencës së fund vitit ka hedhur poshtë kritikat e perëndimit për kontratat e reja ushtarake.
“Jam krenar që më në fund e kemi një forcë ajrore e cila do të mbajë qiellin tonë të lirë”, ka thënë ai dhe ka shtuar: “Serbia tani do jetë një vend më i sigurt se dje”.
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Serbia nuk dëshiron anëtarësim në NATO-, ndonëse është në proces të afrimit me Bashkimin Evropian. (rel)