Televizioni gjerman ARD: Vuçiqi papritmas bëhet tradhtar

VucicVuçiq në shënjestër të kritikëve: Në Kuvendin e Serbisë u sulmua ashpër dhe u shpall tadhtar. Ai akuzoi opozitën për tradhti…

 

Nuk ndodh shpesh që presidenti i Serbisë kritikohet me zë të lartë. Aleksandar Vuçiq, stili i sundimit të të cilit ka tipare autokratike, është shumë stabël në pushtet. Mirëpo, pas ndryshimit befasues të kursit për çështjen e Kosovës, këtë të enjte në Kuvendin e Serbisë, ate e kanë fyer hapur duke e quajtur tradhtar.

Ndërsa kreu i shtetit mbronte ndryshimin e kursit të tij në parlament, politikanët e opozitës nacionaliste mbanin pankarta dhe tabela. Kërkesa e tyre është: “Jo dorëzim”. Ata duan një refuzim të qartë të planit të propozuar nga Gjermania dhe Franca për t’i dhënë fund tensioneve aktuale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që nuk nënkupton njohjen formale mes këtyre shteteve, por që ato të pranojnë ekzistencën e këtyre shteteve.

Një anëtar i partisë klerik-nacionaliste e quajti kursin e Vuçiqit “të paparë” dhe i tha presidentit se ai “nuk ka të drejta kushtetuese”. Duartrokitje për presidentin dëgjoheshin vazhdimisht nga radhët e partisë në pushtet, por kjo nuk mund të fshehë faktin se Vuçiq ishte nën presion të madh.

 

Ky presion vjen nga jashtë. Një ditë përpara se presidenti të shpjegonte politikën e tij në parlament, sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken e thirri atë me telefon. SHBA kërkon shtensionimin përfundimtar të situatës në Ballkan.

Skeptik dhe përfaqësues i shtetit

Vuçiqi e mbrojti linjën e re për një orë e gjysmë në seancën parlamentare. Ai mbështetet në afrimin, në vend të kërcënimeve ushtarake, siç ishte rasti disa javë më parë. Vuçiq përpiqej të qetësonte të pranishmit: Ende nuk është nënshkruar asgjë, bisedimet do të vazhdojnë.

Vuçiq ishte skeptik: Pikat e shumta të renditura në planin franko-gjerman për vendosjen e paqes në rajon janë të vështira ose të papranueshme. Por Vuçiq përfaqëson edhe interesat e shtetit: Një hap drejt relaksimit është në interesin jetik të Serbisë. Ai i referohet orientimit drejt Bashkimit Evropian.

Ky është qëllimi i tij i deklaruar, siguroi Vuçiq në një intervistë vetëm disa javë më parë. Fuqiploti i Serbisë nuk dëshiron të rrezikojë anëtarësimin në BE dhe prandaj thotë sot: Serbia duhet të qëndrojë në “rrugën europiane”, sepse “shumë gjëra” varen nga BE-ja, si “investimet, standardet e jetesës, pensionet dhe pagat”.

Origjina politike e Vuçiqit

Fakti që nacionalistë të shumtë tani po bëjnë thirrje për tradhti ka të bëjë me historinë e Serbisë, por edhe me vetë Vuçiqin. Ai vjen nga një lëvizje nacionaliste dhe toleron demonstratat në mbështetje të luftës së Putinit kundër Ukrainës. Shefi i tij i ri i shërbimit sekret, Aleksandar Vulin, është një mik i deklaruar i Rusisë. Përveç kësaj, Vuçiq nuk i mbështet sanksionet kundër Rusisë. Kjo nuk shkon së bashku me afrimin e BE-së.

Në Serbi konsiderohet se Kosova për të cilën u diskutua në parlament është “një krahinë e shkëputur”. Slogani “Kosova = Serbi” është shkruar në disa mbikalime mbi autostradë në afërsi të Beogradit.

Prandaj, për Serbinë me mendje nacionaliste, njohja e pavarësisë së Kosovës është e paimagjinueshme. Ndërsa presidenti po fliste në parlament, një zotëri i moshuar në rrugë tha se pa Kosovën Serbia do të humbiste identitetin e saj.

Madje, një grua e quan Kosovën “Jerusalemi i Serbisë” dhe paralajmëron se çështja nuk shikohet vetëm politikisht. Për të, kjo ka të bëjë me shpirtin serb. Qytetarët e zakonshëm tani duhet të luftojnë për atë që ajo beson se është e drejtë para Zotit: “Ne nuk guxojmë të lejojmë që toka jonë serbe (Kosova) të ndahet. Por mos u shqetësoni, ajo do të mbetet përgjithmonë serbe, me siguri”, thotë gruaja.

Koha për ndryshimin e kursit

Sado të forta të jenë kritikat, tani mund të jetë koha e duhur që Vuçiq të ndryshojë kurs. Presidenti i Serbisë nuk duhet t’i frikësohet rënies – ai dhe partia e tij u konfirmuan qartë në zgjedhjet e vitit të kaluar, ndërsa zgjedhjet e ardhshme të rregullta janë pas tre vjetësh.

Vuçiq mund ta shesë si sukses edhe faktin që qeveria e Kosovës nuk e pengon më themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Është një hap që u arrit vetëm me presion të madh të SHBA-së dhe BE-së ndaj kryeministrit të Kosovës Kurti.

Sidoqoftë, Asociacioni duhet t’u japë të drejta të gjera të autonomisë serbëve që jetojnë në Kosovë, kryesisht në komunat në veri dhe jug të vendit.

Shumica dëshiron anëtarësimin në BE

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të mirëpritet mbi të gjitha nga popullata e re e Serbisë, ata që qartazi kanë orientim pro-evropian. Shumica e shoqërisë serbe gjithashtu dëshiron ta shohë vendin e tyre në Bashkimin Evropian, megjithëse mbështetja për BE-në kohët e fundit ka rënë disi.

Këtë e di edhe presidenti. Në një intervistë për ARD, Vuçiq së fundmi tha: “Nëse i pyet njerëzit se ku duan të jetojnë, gjithmonë merr të njëjtën përgjigje: në Bashkimin Evropian”. Pra, ne duhet ta zgjidhim këtë rrëmujë në rajon, të krijojmë paqe dhe siguri – dhe pastaj ju mund t’u thoni njerëzve se ne duhet të fokusohemi në të ardhmen dhe nuk kam asnjë dyshim se e ardhmja jonë i përket Evropës dhe BE-së. Ne jemi pjesë e Evropës”.

Vuçiq duket se është shumë konkret në lidhje me politikën e tij tani – madje edhe kur dihet se duhet edhe shumë kohë para një shtendosje të vërtetë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

ARD

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>