Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vullin, dhe Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Sergei Shoigu, kanë thënë të martën se do të intensifikojnë dialogun me qëllim të kundërshtimit të “revolucioneve me ngjyra”.
Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, të publikuar pas takimit mes dy zyrtarëve në Moskë, më 18 shkurt, është thënë se “pala ruse shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për popullin vëllazëror të Serbisë në ruajtjen e stabilitetit”.
“Është konfirmuar refuzimi kategorik i ndërhyrjes nga jashtë në çështjet e brendshme të shteteve sovrane”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Deklaratat e zyrtarëve serbë dhe rusë për “revolucionet me ngjyra” vijnë në kulmin e protestave masive në Serbi, pasi demonstruesit prej më shumë se tre muajsh kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 15 shkurt se është ka përpjekje për “revolucion me ngjyra” duke mos treguar saktë kujt i është referuar, mirëpo pretendon se janë investuar “tre miliardë euro” për rrëzimin e shtetit.
“Revolucioni me ngjyra” në fakt iu referohet ndryshimeve të regjimeve autoritare në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik, si Revolucioni i Portokalltë në Ukrainë në vitet 2004-2005.
Pas takimit mes Vullinit dhe Shoigut në Moskë, është bërë e ditur se palët janë pajtuar që t’i vazhdojnë kontaktet përmes Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse “në interes të forcimit të lidhjeve tradicionale miqësore midis Serbisë dhe Rusisë, si dhe popujve të dy shteteve”.
Një ditë para takimit të Vullinit dhe Shoigut, në Moskë janë zhvilluar takime mes ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrovit me ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq.
Pas atij takimi, Lavrov ka deklaruar se Rusia dënon ndërhyrjen e vendeve të tjera, kryesisht atyre perëndimore, në proceset politike të brendshme në Serbi.
“Presidenti [serb, Aleksandar] Vuçiq ka paraqitur fakte konkrete për ndërhyrjen e ashpër të shteteve të huaja në proceset e brendshme politike në Serbi. Ne e dënojmë këtë praktikë dhe insistojmë që parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të respektohet rreptësisht nga të gjithë, e mbi të gjitha nga kolegët tanë perëndimorë”, ka thënë Lavrov më 17 shkurt.
Bashkimi Evropian ka reaguar pas takimit Lavrov-Gjuriq, duke kërkuar që Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që janë në kundërshtim me politikën e jashtme të BE-së.
Serbia, bashkë me Turqinë, janë vendet e vetme kandidate për anëtarësim në BE, që nuk u janë bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë.
rel