100 vjet më parë: Traktati i Versajës

Traktati i VersajesGeorge (angli), Clemenceau (France), Orlando (Itali) dhe Wilson (ShbA) – Etërit e Traktatit të Versajës

Armët kishin pushuar qysh në nëntorin e vitit 1918, por Lufta e Parë Botërore u mbyll zyrtarisht shtatë muaj më pas. Gjermania i quajti të padrejta vendimet e marra, por i miratoi me protesta të mëdha.

Shpresat e Philipp Scheidemann për rrethana lehtësuese mbetën të paplotësuara. Kancelari i shquar i Gjermanisë, i cili kishte dalë nga revolucini, i konsideronte të papranueshme vendimet e marra në Konferencën e Paqes në Paris. “Cila do të ishte ajo dorë që nuk do të ishte tharë nëse do ta vinte vendin në pranga të tilla?”, thoshte socialdemokrati. Scheidemann, i cili më 9 nëntor 2018 kishte shpallur Republikën e Vajmarit. Ai përshkruante me këto fjalë gjendjen mbisunduese në vendin  e tij.

Traktati i Paqes rezultoi si një hipotekë e rëndë për demokracinë e re. Rajhu gjerman ishte i detyruar të paguante miliarda si reparacione lufte, humbi kolonitë në Afrikë, Azi dhe Oqeanin Paqësor dhe duhej t’u  dorëzonte shteteve të tjera edhe 13 përqind të territorit: Alsace-Lorraine shkoi në Francë, një pjesë e madhe e Prusisë perëndimore iu dhanë Polonisë. E veç kësaj, fuqitë fitimtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, i shpallën Gjermaninë dhe aleatët e saj përgjegjësit e vetëm për luftën. Ata i kishin “detyruar” kundërshtarët e tyre të futeshin në luftë dhe ishin përgjegjës për “të gjitha humbjet dhe dëmet e tyre”.

Gjermania detyrohet të nënshkruajë

Më 28 qershor 1919, u vulos Traktati i Paqes në Pallatin e Versajës, pranë Parisit, pa nënshkrimin e kancelarit gjerman, Scheidemann, i cili sapo kishte dhënë dorëheqjen. Por Gjermania u detyrua më pas ta nënshkruante, edhe pse nuk pajtohej fare me të. Fituesit e luftës e kishin kërcënuar se do ta pushtonin me trupa.

Renania ishte tashmë e pushtuar që nga armëpushimi i 11 nëntorit 1918. Për shkak të kushteve të ashpra të Traktatit të Versajës, në perceptimin gjerman ishte një “paqe e diktuar”. Historiani nga Marburgu, Eckart Conze, thotë se gjermanët nuk u përfshinë fare në bisedimet e paqes dhe nuk kishin fare gisht në hartimin e traktatit.

Protesta Berlin kunder VersajesProtesta kundër Traktatit të Versajës në Berlin, 1919

Edhe pse Gjermanisë iu vunë kushte të vështira, ajo mundi të mbetej një shtet komb i fuqishëm në mes të Evropës. Përveç kësaj, reparacionet e vendosura në fillim u modifikuan për shkak të paaftësisë së Gjermanisë për të paguar. Gjermania arriti ta ulë shumën prej 132 miliardë Markash që vendosën fuqitë fitimtare në vitin 1921 deri në 36 miliardë. Në vitin 1932 pagesat u pezulluan komplet për shkak të Krizës Botërore, kujton Conze, një moment së paku pozitiv ky për Gjermaninë.

Djathtistët dhe Hitleri

Kundërshtarët djathtistë të Republikës e përdorën Traktatin e Versajës si një instrument “për të luftuar demokracinë dhe për ta shkatërruar atë”, thotë Conze. Vrasjet politike nuk ishin të rralla. Viktima më e famshme ishte Ministri i Jashtëm, Walter Rathenau, i cili u qëllua në 1922 nga ekstremistët e krahut të djathtë në Berlin. Për ta  liberaldemokrati ishte një simbol i urryer i të ashtuquajturës “politikë të përmbushjes” kundër fuqive fitimtare të Luftës së Parë Botërore.

Traktati i Versajës nuk e realizoi dot shpresën për paqe të qëndrueshme. Me ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit, koha e vetëpërmbajtjes së gjermanëve mori fund. Nazistët u armatosën, megjithëse nuk u lejohej, dhe krijuan aleanca të reja me vende fashiste si Italia dhe Spanja. Politika paqësuese e Britanisë nuk pati rezultat. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk luanin më një rol aktiv në Evropë. Dhe Lidhja e Kombeve, e themeluar nën Traktatin e Paqes, u tregua shumë e dobët për të parandaluar katastrofën e ardhshme globale.

Conza thotë se së paku, pas Luftës së Dytë Botërore, u nxorën mësime më të mira: nën udhëheqjen e SHBA-ve u krijuan “organizata shumëpalëshe dhe një sistem ndërkombëtar me bazë rregullash”. Ky rend duket se u përhap në të gjithë botën pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe në fund të Luftës së Ftohtë. “Sot, megjithatë, bota përballet me më shumë sfida se kurrë më parë.” Një nacionalizëm i ri dhe unilateralizëm, ushqyer nga populizmi dhe autoritarizmi, kërcënojnë stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëron për “demonët e vjetër” të periudhës së dy luftërave, të cilët janë zgjuar sërish. “Kjo është një tjetër arsye pse ‘Versaja’ sërish na duket kaq afër” thotë Conze.

dw / Marcel Fürstenau

Konferenca e Paqes, Paris 1919, dhe Shqipëria

Me 18 janar 1919, filloi punimet Konferenca e Paqes e Parisit në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Frances. Konferenca e Paqes, e para e këtij lloji për nga formati i pjesëmarrësve dhe problemet që pritej të zgjidhte, u mblodh pas konfliktit të madh botëror 1914-1918. Fituesit e luftës u mblodhën për të vendosur një rregull të ri botëror që katastrofa të tilla mos të ndodhnin më. Për herë të parë mbërriti në Evropë Presidenti amerikan Wilson duke ballafaquar dy këndvështrime të ndryshme për rregullimet e pasluftës, atë amerikan mbështetur në 14 pikat e Willsoni ku spikaste parimi i vetvendosjes, dhe traditën e vjetër evropiane mbështetur në parimin e ruajtjes së ekujlibrave midis fituesve e shmangien e luftës. Në fakt në 20 vite filloi konflikti i dytë botëror duke nxjerrë në pah gabimet e vendimarrjes në Paris 1919. Zyrtarisht Konferenca e Paqes zgjati deri në vitin 1920, por në gjashtë muajt e parë të saj u morën vendimet kyçe dhe u vunë në lëvizje zinxhirët jetikë të ngjarjeve.
Në muajt që kaluan në Paris, në një hapësirë të re gjeopolitike të krijuar pas shembjes së 4 perandorive, paqbërësve iu desh; të vijëzonin kufij të rinj në hartën e Evropës, por edhe të mendonin për Azinë, Afrikën e Lindjen e Mesme, të përballeshin me nacionalizmat që lindën e u zunë vendin perandorive, të hartonin traktat paqeje me Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë e Bullgarinë, por edhe të gjenin mjetet që të shmangnin një konflikt tjetër e të ofronin siguri kolektive. Një i tillë do të ishte krijimi i Lidhjes së Kombeve. Kryetari i Konferencës, kryeministri francez Klemanso, iu ankua një kolegu “ Eshtë shumë më e thjeshtë të bësh luftë se të bësh paqe”.
Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis paleve kundërshtare të cilat në fund të saj u ndanë në fitues e të humbur. Elita politike shqiptare u angazhua që atdheu i tyre të mos humbiste në pazaret e mëdha të Konferencës së Paqes, dhe të gjendej një mbështetës i madh dhe i interesuar për Shqipërinë midis Fuqive fituese të luftes. Më të interesuarat dhe simpatizante të pavarësisë së Shqipërisë ishin Italia dhe SHBA.
Në dhjetor 1918 nën kujdesin e Italisë, një ndër mbeshtetëset e pavarësisë së Shqipërisë në 1913, u krijua Qeveria e Përkohshme e Durrësit e cila do të dërgonte delegacionin e saj zyrtar si përfaqësuese në Paris, të kryesuar nga kryeministri Turhan Pasha. Në Paris mbërriti edhe një delegacion i kryesuar nga Esat Pasha në cilësinë e kryetarit të vetëshpallur të qeverisë shqiptare. Ky dualizëm në përfaqsim nuk i bënte dobi trajtimit të statusit të Shqipërisë i cili pas Luftës së Parë Botërore dhe ndryshimeve të ndodhura ishin vënë përsëri në diskutim. Në kryeqytetin francez, për të mbështetur qeverinë e Durrësit dhe të ardhmen e pavarësisë së Shqipërisë dhe kufijve të saj territorial, mbërritën edhe përfaqësues të kolonive shqiptare në SHBA, Rumani, Turqi, etj, të cilat herë pas here organizonin takime të përbashkëta me delegacionin zyrtar të Shqipërisë.
Në ceremonine e festimeve për Ditën e Pavarësisë së Amerikës, në 4 korrikut 1918, Fan Noli i ftuar si përfaqësues i shqiptarëve në Amerikë, arriti të takonte presidentin Willson dhe ti fliste për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetje nga SHBA në Konferencën e Paqes. Pasi e dëgjoi me vëmendje Nolin, Willson u përgjigj “ Une do të kem një zë në Konferencën e Paqes dhe do ta përdor këtë zë edhe në emër të Shqipërisë”, .
Shqiptarët kudo ndodheshin, mbështetën platformën dhe qëndrimin e delegacionit shqiptar për rinjohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe paprekshmërinë se saj territoriale duke korrigjuar gabimet e së shkuarës. Ata demostruan kohezion e vitalitet, duke lënë mënjanë përkatësinë fetare e krahinore, duke demostruar në këtë mënyrë vlerat më të mira evropiane në mbrojtje të të drejtave të tyre .
Nga Konferenca e Paqes në Paris, Shqipëria doli pa një zgjidhje finale për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë, por ama shpëtoi nga platformat copëzuese të trungut të saj të diskutuara në këtë Konferencë, e kjo falë mbështetjes së madhe të SHBA. Çështja shqiptare do të ridiskutohej përsëri në Konferencën e Ambasadorëve 1921, ku do të merrej vendimi final për Shqipërinë në kushte të reja pas krijimit të Lidhjes së Kombeve 1920.

punetejashtme.gov.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>