Edhe 20 vjet pas marrëveshjes së Daytonit Bosnja është e përçarë thellë. Shteti shihet si i korruptuar, mosbesimi është i thellë. Një kryetar bashkie i një qyteti të vogël nuk pajtohet. Daniel Heinrich e ka vizituar atë.
Në fakt Obren Petrović duket si një protagonist i një filmi me mafia: këmishë ngjyrë violet, këpucë të zeza të shndritshme, flokë të lyera. Veshja e tij përkon me dekorin e kafenesë, ku takohemi. Jashtë para derës qëndron ulur truproja e tij.
Petroviç është që nga 2002 kryetar bashkie i Doboj, një qytet i vogël 160 kilometer në veri të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevës. Ai është i krishterë serb dhe angazhon e përfshin në mënyrë aktive qytetarët muslimanë të qytetit, gjë që e arrin me sukses, sepse në pjesën tjetër të vendit diçka e tillë duket se është e pamundur.
Në një vend, i cili që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Daytonit 20 vjet më parë është i ndarë përgjatë vijave etnike dhe fetare, një gjë e tillë bën armiq: “Bashkëjetesa mes grupeve të ndryshme fetare është shumë e mirë në komunitetin tonë, por problemet na vijnë vazhdimisht nga jashtë”, thotë Petroviç. Politika ime, që të jemi mirë edhe me pjesën muslimane të popullsisë sonë, nuk është e mirëpritur. Sidomos SNSD, partia serbe dhe lideri i saj Milorad Dodik nuk e shohin me sy të mirë, që ne këtu bashkëpunojmë të gjithë. Prandaj ata përpiqen që të prishin ekuilibrin ndërmjet qytetarëve.”
Të ndarë dhe të marrë fund
Këto rezerva tregojnë në mënyrë simbolike situatën në të gjithë vendin. Doboj, me rreth 35.000 banorët e tij, ndodhet në pjesën e Bosnjë-Hercegovinës, e cila që nga Marrëveshja e Dejtonit e 14 dhjetorit 1995 quhet “Republika Srpska”. Kjo është pjesa e vendit me popullsi kryesisht të krishterë, me kryeqytetin Banja Luka. Pjesa tjetër me kryeqytet Sarajevën quhet “Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës”, me ndikim kryesisht musliman. Të dyja pjesët e vendit përbëjnë “Bosnjën dhe Hercegovinën”. Të dy pjesët e vendit të quajtura “entitete” kanë struktura paralele administrative, si policia, arsimi, apo shëndetësia. Fëmijët nga “Republika Srpska”, për shembull, nuk lejohen të shkojnë në shkolla të “Federatës Bosnja dhe Hercegovina” dhe anasjelltas.
Karsten Dümmel është drejtori i fondacionit Konrad-Adenauer në Sarajevë. Ai është një njeri i menduar, si aktivist i të drejtave të njeriut ai i ka bërë opozitë shtetit të padrejtë gjermanolindor të RDGj-së. Për situatën në Bosnjë-Hercegovinë ai thotë: “Marrëveshja e Daytonit e plotësoi qëllimin e saj njëmbëdhjetë muaj pas nënshkrimit të saj. Më së voni në muajin e dymbëdhjetë ajo është dashur të rinovohej.” Ngaqë kjo nuk ka ndodhur, thotë Dümmel: “këtu mungojnë vizionet, mungon shpresa, ka bllokada të vazhdueshme, çdo gjë zgjat shumë kohë.” Këtyre u shtohet edhe papunësia shumë e lartë.
Ekonomi e dobët dhe „pushtet qendror“ i dobët
Shifrat dëshmojnë se ai ka të drejtë. Vendi me gati katër milionë banorë është në prag të stanjacionit. Rritja mesatare ekonomike me dy përqind në vitet e fundit nuk duket keq në vështrim të parë. Por për shkak të problemeve strukturore ajo nuk ka thuajse fare ndikim në tregun e punës. Papunësia e të rinjve është mbi 70 përqind dhe koncernet ndërkombëtare si Daimler apo RWE vitet e fundit i kanë ndërprerë projektet e investimeve për shkak të korrupsionit.
Analiza e ekspertit peshon edhe më shumë, nëse merret parasysh roli i „pushtetit qendror“, që natyrisht ekziston edhe në Bosnjë-Hercegovinë – megjithë ndarjen strikte të dy entiteteve. Me përjashtim të politikës së jashtme dhe tregtisë së jashtme përfaqësuesit e tij nuk kanë asnjë ndikim. I vetmi organ me kompentenca të zgjeruara brenda vendit është Gjykata Kushtetuese. Dhe vendimet e saj, thotë Karsten Dümmel, injorohen në pjesën më të madhe nga autoritetet.
Realitet dëshpërues
Mosbesim i thellë, institucione shtetërore të dobësuara. Kjo ka ndikim edhe në psikikën e shoqërisë. Semsa Ahmetspahic kujdeset prej vitesh për refugjatët e traumatizuar të luftës. Edhe pse lufta ka përfunduar zyrtarisht me nënshkrimin e marrëveshjes së Dejtonit, psikologia vëren në të gjithë shoqërinë boshnjake ende dëmtime të thella.
“Si çdo vend që ka kaluar një luftë të tillë të tmerrshme, në pjesë të tëra të popullsisë vërehen trauma mëdha.”Ahmetspahic përjeton çdo ditë në klinikën e saj se si gjendja katastrofale ekonomike e përkeqëson më tej situatën”. Njerëzit janë të pasigurt. Ata thjesht nuk shohin dritë në fund të tunelit.”
Vetëm së bashku dalim nga kriza
Në një vend, ku strukturat shtetërore për shkak të nepotizmit dhe korrupsionit nuk funksionojnë më, duhet të vijnë të tjera. Organizata bamirësie si “Islamic Relief” (IR) përpiqen të mbushin boshllëqet. Për shembull, pas rreshjeve të dendura në pranverën e vitit 2014, kur përrenjtë dhe lumenjtë dolën nga shtrati, njerëzit e IR ishin të parët në vendin e ngjarjes, ndihmuan ku mundën në fatkeqësinë e përmbytjeve.
Erdin Kadunic është përgjegjës për Bosnjën në IR. Vendi i prindërve të tij ende merret shumë me vetveten, në vend që të shohë përpara, thotë Kadunic. Për të kryetari i bashkisë së Doboj, Obren Petroviç, është një përjashtim i mrekullueshëm dhe një shembull për të gjithë vendin: “Në një fare mënyrë ai i edukon njerëzit për të treguar: “Njerëz kështu bëhet dhe jo ndryshe. “Ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë në botë të ndara, me një botë serbe, një botë boshnjake dhe një kroate”, thotë Kaduniç. “Ka vetëm një botë të Bosnjës. Dhe kjo përfshin të gjitha grupet etnike.”
Një synim fisnik. Dhe megjithatë se sa larg nga kjo është realiteti i jetës në Bosnjë edhe pas dy dekadash paqeje, e bën edhe një herë të qartë Obren Petrović në fund të takimit. “Gjatë përmbytjeve Banja Luka vendosi në Doboj një të ngarkuar të përgjithshëm për të drejtuar punët në Doboj. Gjëja e parë që bëri është prerja e ndihmave nga komunat myslimane fqinje.” (dw)