Prokurorët belgë thonë se kanë arrestuar 13 vetë në një seri bastisjesh në vend. Ata shprehen se të dyshuarit besohet të jenë anëtarë të një grupi islamik që kishte planifikuar sulme kundër policëve.Zyrtarët thanë sot se nuk duket të ketë ndonjë lidhje mes këtij grupi dhe sulmeve të javës së kaluar në Paris. Megjithatë, dy të dyshuar u arrestuan në Francë, përveç personave të arrestuar në Belgjikë.
Hetuesit thanë se kishin zbuluar armë të ndryshme, si revolverë dhe armë automatike, lëndë plasëse dhe uniforma policësh në një apartament në qytetin Verviers, pranë kufirit me Gjermaninë.
Ata shtojnë se dy persona u vranë dje gjatë bastisjeve, por identiteti i tyre nuk është konfirmuar ende. Gjatë bastisjes personat hapën zjarr ndaj policisë. Shkëmbimi i zjarrit zgjati disa minuta, por nuk pati të plagosur nga forcat e rendit.
Autoritetet besojnë se disa nga ekstremistët janë larguar nga Belgjika për në Siri.
Megjithëse nuk janë zbuluar lidhje me incidentet e Parisit, policia belge tha se një person i arrestuar dje dyshohet se ka furnizuar me armë Amedy Coulibaly, i cili vrau katër vetë në një dyqan ushqimesh.
Zyrtarët në Belgjikë kanë ngritur nivelin e rrezikut në vend. (voa)