Shefi i Bankes Qendrore Evropiane, Mario Draghi po vepron i nxituar, fisheku i shkrehur nuk do të qëllojë në shenjë, parashikon Rolf Wenkel. Veprimi i Draghit nuk do të kryejë punë, do të dëmtojë edhe reputacionin e BQE.Tani derri doli nga thesi: Banka Qendrore Evropiane i hap portat e parave, edhe më shumë se mendonin ekspertët. Që nga shtatori 2016 Banka do të blejë çdo muaj hua sipërmarrjesh dhe hua shtetërore në shumën 60 miliardë euro. Një llogari e shpejtë të thotë se për 20 muaj në treg do të derdhen para, deri në shumën 1,2 bilionë euro- ekspertët patën pritur 500 miliardë deri në 1 bilionë.
Me këtë Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi shkreh fishekun e tij të fundit- dhe e bën këtë pa pasur nevojë. Ai imiton me veprimin e tij eksperimentin e Bankës Qendrore Amerikane Fed, e cila pas krizës financiare jo vetëm që uli interesat orientuese bankare, por bleu muaj pas muaji hua në shuma miliardëshe. Me sa duket me sukses, sepse ekonomia e SHBA u shlodh, tremujorin e fundit u regjistrua një rritje prej pesë përqind.
Llogaria e Draghit është e qartë: me hapin e tij ai dëshiron t’i inkurajojë bankat që t’i japin më shumë kredi ekonomisë, në mënyrë që ekonomia të investojë dhe të krijojë vende pune. Ai do të largojë edhe fantazmën e deflacionit, një spirale e supozuar e çmimeve dhe pagave që ulen dhe e falimentimeve dhe të papunëve që shtohen.
Pse e ndërmerr pikërisht tani këtë hap Draghi? Blerje të huave shtetërore një bankë qendrore duhet të ndërmarrë vetëm në situata absolutisht emergjente – po gjendje emergjente nuk duket gjëkundi.
Përkundrazi: me gjithë rreziqet, ekonomia e Eurozonës, ndonëse me shpejtësi të ndryshme ecjeje, ndodhet në rrugën e përmirësimit. Në plan afatmesëm shanset madje do të përmirësohen më tej, po të mendosh se ulja e çmimit të naftës vepron si një injeksion gjallërues për konsumin privat.
Edhe përsa i përket deflacionit: pjesa më e madhe e shkallës së ulët të inflacionit ka të bëjë me uljen e çmimit të naftës.
Cili është pra synimi i Draghit me programin e tij? Unë besoj se atë e ka nxitur politika, pra konkretisht italianët dhe francezët ta bëjë këtë hap. Formalisht BQE, sipas modelit të Bankës Qendrore Gjermane vërtet është institucion i pavarur, po do të ishte jo e saktë të besosh se ajo vepron në një vakum politik. Italianët dhe francezët duan të blejnë sërish kohë, sepse ende druhen nga strukturat e nevojshme ose nuk janë në gjendje t’i zbatojnë ato në vendet e tyre.
Ndryshe nuk mund ta shpjegosh të shtënën e fundit nga topi që bën çudira. Sepse një bankë qendrore nuk mund të bëjë politikë konjukturore. Një injeksion i ri konjukturor do të kontribuojë pak për gjallërimin e ekonomisë, aq më tepër kur interesat bankare ndodhen në një nivel të ulët historik. Sipërmarrësit nuk investojnë sepse interesat bankare janë të ulëta. Ata investojnë kur kanë ndiesinë se shanset në treg janë të mira. (dw)