Goditja e ISIS – dëshmi në Kongres

Anëtarë të rëndësishëm të ekipit të presidentit amerikan Barak Obama për sigurinë kombëtare u përballën sot në Senat me pyetje të ligjvënësve lidhur me një kërkesë të Shtëpisë së Bardhë për të përdorur forcën kundër militantëve të Shtetit islamik. Muajin e kaluar, zoti Obama kërkoi autorizim për të përdorur forcën me një afat prej tre vjetësh, por pa ndërmarrë luftime të zgjatura tokësore.Sekretari i Mbrojtjes Ashton Carter, Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Shefi i Shtatmadhorisë, Martin Dempsey, folën përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Takimi i sotëm ishte pjesë e një procesi të gjatë për çdo autorizim force, që duhet të kalojë nëpër të dyja dhomat e Kongresit, në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, përpara se të marrë miratimin.

Disa republikanë nuk pajtohen me planin e Presidentit për ta kufizuar përdorimin e trupave tokësore. Ata kërkojnë më shumë se kaq. Ndërkaq, një pjesë e demokratëve nuk duan asnjë lloj përdorimi forcash në terren.

Ushtria amerikane po kryen në Irak sulme ajrore që nga muaji gusht dhe në Siri që nga shtatori, duke u vënë në krye të një koalicioni ndërkombëtar kundër grupit militant që ka marrë zona të mëdha në të dy vendet vitin e kaluar.

Një protestues që ndodhej në sallën e senatit e ndërpreu zotin Kerry duke thirrur: “Jemi të lodhur me këtë luftë të pafund. Kjo po krijon më shumë terrorizëm dhe vrasjen e më shumë viktimave të pafajshme.”

Zoti Kerry u përgjigj, duke pyetur se ç’mund të thuhet për vrasjen e gazetarëve amerikanë nga ISIS apo djegien së gjalli të pilotit jordanez, që ai tha se ishin njerëz të pafajshëm.

Deri tani, sipas të dhënave të Pentagonit, koalicioni ka kryer më shumë se 2700 sulme ajrore kundër objektivave të tilla, si pozicione të artilerisë, automjeteve dhe depove të përdorura nga militantët.

Zoti Obama ka thënë se operacione të tilla nuk kanë nevojë për ndonjë autorizim të ri, sepse mbulohen nga një ligj i miratuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>