Koment: në mëdyshje ndaj Rusisë

Merkel dhe Obama nuk janë në unanimitet lidhur me një çështje vendimtare e megjithatë ato theksojnë vendosmërinë e tyre në konfliktin e Ukrainës. Një konstelacion i vështirë, konstaton Gero Schließ.Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme lidhur me mundësinë e furnizimeve me armë në Ukrainë kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i SHBA-së Barack Obama në konferencën e përbashkët të shtypit demonstruan unanimitet dhe siguruan, se radhët ndaj presidentit të Rusisë Vladimir Putin vazhdojnë të mbeten të bashkuara. Merkel, e cila ka studiuar fizikë dhe i kushton vëmendje të veçantë precizionit intelektual, në fakt duhet ta dijë, se këto dy qendrime nuk shkojnë. Megjithatë politikanes Merkel nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse sërish të jetë e përgatitur për rastin, nëse presidenti i SHBA-së në fund do t’ia dalë që ta furnizojë ushtrinë ukrainase me armët, për të cilat ajo ka nevojë urgjentisht.

Por Obama dhe Merkel nuk duhet të kenë iluzione. Presidenti rus prej kohësh e ka perceptuar çarjen e hollë në aleancën perëndimore dhe Putin di ta shfrytëzojë këtë për vete. Ai do të përpiqet që gradualisht t’i përçajë edhe më tej SHBA-në dhe Europën. Ndërkohë që unanimiteti mes SHBA-së dhe Europës sot është më i rëndësishëm se kurrë. Jo vetëm në konfliktin me Rusinë, por edhe në luftën kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, në bisedimet për çështjet bërthamore me Iranin, në konfliktin e Lindjes së Mesme, apo në paqëtimin e Afganistanit. Bota rrallëherë që pas Luftës së Dytë Botërore ka përjetuar kaq shumë konflikte sa aktualisht. Dhe kudo amerikanët dhe europianët janë të varur prej njeri-tjetrit. Konsensusi dhe një menaxhim funksionues i krizave është thelbësor për mbijetesën.
Varet prej Merkelit
Por sidoqoftë kjo pak u intereson kritikëve të Obamas në politikën e brendëshme. Të drejtuar prej luftëtarit të regjur senatorit John McCain ata sërish kanë projektuar imazhin e një presidenti hezitues dhe të pavendosur, i cili pas Sirisë dhe Irakut tani po nxit për aksione gjithnjë e më të ashpra në një konflikt tjetër me armiqtë e Amerikës. E ata madje nuk janë stepur që për herë të parë të sulmojnë ashpër edhe një kryetare të huaj qeverie. E ata e bëjnë këtë edhe duke e marrë parasysh që europianët dhe amerikanët kanë qasje të ndryshme ndaj Rusisë.
Megjithatë nuk është nevoja të shkohet kaq larg, sepse në SHBA Merkel konsideorhet si personi, që e ka mbajtur të bashkuar Europën në konfliktin me Rusinë. Ajo e ka drejtuar Gjermaninë duke e risjellë atë në skenën e politikës botërore. Pra varet prej saj. Më në fund presidenti i SHBA-së e ka tashmë një numër telefoni, qëkurse prej kohësh humbi lidhja me Henry Kissingerin, ku ai mund të telefonojë sa herë që duhet të flasë me vendimmarrës të rëndësishëm në Europë. E ky është numri i telefonit të zyrës së kancelares. E në plan afagjatë këtë e kanë të qartë edhe kritikët e Merkelit përtej Atlantikut.
A ka një plan B?
Por pvarësisht gjithë këtij pushteti të saj: kancelarja është pikërisht në këtë fazë të konfliktit të Ukrainës mjaft delikate. Ajo është ekspozuar me nismën e saj të fundit diplomatike duke i hyrë kësisoj edhe një rreziku. Obama e mori parasysh këtë. Nuk mund të kuptohet ndryshe fakti, që ai e ka shtyrë vendimin për furnizimet me armë të paktën deri pas takimit katërsh në Minsk.
Nëse ky samit dështon, atëherë çështja e furnizimeve me armë do të shtrohet me një vrull të ri. Ka arsye të besosh, se paskësaj bashkarisht Putinit duhet t’i dërgohet një sinjal i fortë. Po të vazhdohet si deri tani thjeshtë vet՗m duke i ashëprsuar edhe më fort sanksionet, Putin do ta intepretojë këtë si shenjë dobësie. E duke pasur parasysh katastrofën humanitare që kërcënon në Ukrainë ‘të vazhduarit kështu’ do të ishte moralisht i papërgjegjshëm.
Armatimi si pranim i dështimit
Të qendrosh i tërhequr apo të reagosh fort: është pikërisht kjo çështja, që duhet të jetë komponentja e një strategjie të re për Rusinë. Si duhet të sillesh me Putinin? Si duhet vepruar me një vend, që e riinterpreton rendin e pasluftës, që është përfshirë nga një valë nacionalizmi dhe njëkohësisht refuzon modernizimin? Edhe Angela Merkel, që e kupton Rusinë, para pak kohësh vuri në dukje, se ajo ende nuk ka një përgjigje. E kësisoj çështja e furnizimeve me armë në Ukrainë është tek e fundit shprehje e një mëdyshjeje të thellë. Sepse kjo s’është gjë tjetër veçse pranim i dështimit të diplomacisë dhe arsyes. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>