Kurthi i kredive në franga zvicerane

Për vite të tëra bankat u rekomandonin huamarrësve që të mos i merrnin kreditë e tyre në euro, por në franga zvicerane. Por rritja e kursit të frangës po u krijon probleme huamarrësve në Evropën Qendrore dhe Lindore.Marko Vasić bleu në vitin 2008 një banesë në Beograd dhe për këtë mori një kredi të bazuar në vlerën e frangës zvicerane. Kësti mujor i shlyerjes së kredisë ishte 350 euro, shumë kjo që elektriçisti mund ta përballonte. Por tani pas rritjes së vlerës së frangës dhe shkëputjes së vlerës së saj prej vlerës së euros atij i duhet të paguajë 560 euro në muaj.
Të njëjtin problem kanë edhe qindra-mijëra qytetarë në Evropën Qendrore dhe Lindore që kanë marrë në vendet e tyre kredi hipotekare të bazuara në vlerën e frangës. Në Poloni ka rreth 550.000 kredi hipotekare të lidhura me monedhën zvicerane, në Rumani rreth 150.000, në Kroaci 60.000 dhe Serbi 22.000.
Kush paguan për humbjet?
Për vite të tëra bankat u rekomandonin huamarrësve që të mos i merrnin kreditë e tyre në euro, por në franga zvicerane, sepse me këtë monedhë normat interesit ishin edhe në periudhë afatgjatë më të favorshme.Por bankat kanë ndjekur në këtë mes interesin e tyre, kritikon ekonomisti serb Dejan Gavriloviç: “Huadhënësit padyshim kanë spekulluar me forcimin e frangës.

Nuk është rastësi që kjo ndodh vetëm në Evropën Lindore. Këtu qytetarët kanë pak informacione në lidhje me financat dhe nuk mbrojen sa duhet nga shteti”, thotë Gavriloviç në bisedë per DW. Ai punon për shoqatën serbe të klientëve të bankave “Efektiva” dhe e përshkruan situatën e re të krijuar si një rreth vicioz. Megjithëse ata i shlyejenë këstet e kredive, huamarrësit zhyten edhe më thellë në borxh, thotë Gavriloviç.
Edhe Manuel Ammann nga Universiteti i St. Gallenit në Zvicër nuk e përjashton që në shumë raste, konsumatorët janë këshilluar gabim. Por eksperti zviceran për bankat thekson aspektin e detyrimeve kontraktuale: “Në parim, duhet të paguajnë ata që marin përsipër rrezikun dhe në këtë rast këta janë konsumatorët. Është naive të mendosh se mund të marrësh norma të ulëta interesi pa rreziqe që mund të lidhen me monedhën në të cilën merret kredia.” Prandaj, është problematike nëse politika i detyron me dekret bankat të marrin përsipër humbjet”.
Politikanët në vendet e prekura i shohin gjërat ndryshe, sepse në rast se do t’i lënë në baltë mijëra familje që nuk mund të paguajnë sot kreditë për shtëpi, do të kenë vështirësi politike për t’u rizgjedhur përsëri.

Edhe kryeministri socialdemokrat kroat Zoran Milanoviç dëshiron të të rizgjidhet vitin e ardhshëm, dhe prandaj qeveria e Zagrebit do t’i detyrojë bankat që të marrin mbi vete pasojat e ngritjes së kursit të frangës zvicerane.
Hungaria si shembull?
Ideja bazë është në pamje të parë shumë e thjeshtë: Kreditë në franga duhet të konvertohen në euro ose në monedhën përkatëse kombëtare – sipas kursit të këmbimit në kohën kur franga qe e lidhur me kursin euros. Si model për vendet e tjera shërben Hungaria, e cila sa i përket politikës bankare konsiderohet prej kohësh si fëmija problematik i Bashkimit Evropian. Edhe përpara se franga zvicerane të zgjidhej nga kursi i euros, qeveria në Budapest i detyroi bankat që t’u kthenin klientëve interesin e kredive dhe t’i konvertonin kreditë në monedhën vendase, forint, sipas një çmimi të caktuar prej shtetit. Për këtë shumë banka edhe nga Austria dhe Italia – patën një humbje prej rreth tri miliardë euro.

Këtë rrugë duan të ndjekin tani dhe qeveritë në Kroaci dhe Poloni. Ndërhyrja e politikës është e domosdoshme thotë Barbara Liberda nga Universiteti i Varshavës: “Kreditë janë bërë vërtetë një problem i madh social, perspektivat në tregun e punës janë përkeqësuar dukshëm vitet e fundit dhe shumë njerëz nuk do të jetë në gjendje për të paguar kreditë “, tha ajo në bisedë per DW. Prandaj, profesororesha e ekonomisë mendon që duhet që bankat dhe klientët t’i ndajnë humbjet.
Eksperti serb Gavriloviç sjell një argument tjetër: “Nëse shumë konsumatorë do të falimentojnë, bankat do të mbeten mbi një grumbull pronash bosh dhe të vështira për t’i shitur.” Por qeveria konservatore serbe, deri tani është e tërhequr sa u përket planeve të tilla. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>