Vëzhguesit e zhvillimeve në Evropë e kanë kuptuar menjëherë se Qeveria e re e Greqisë, e udhëhehqur nga partia e majtë, Syriza, mund të thyejë solidaritetin e brishtë të Bashkimit Evropian në ndëshkimin e agresionit rus në Ukrainë.Emailet që kanë rrjedhur së fundi, kanë zbuluar disa lidhje të gjata të Syrizas me ideologun e Lëvizjes Euroaziatike, Aleksandr Dugin, i cili ka lidhje me Kremlinin, si dhe me oligarkun rus, Konstantin Malofeyev, i cili besohet se ka financuar pjesën më të madhe të lëvizjes separatiste në Ukrainë.
Lëvizja Euroazatike e sheh Rusinë më afër me Azinë se me Perëndimin dhe pretendohet se për synim ka rikthimin e Bashkimit Sovjetik.
Anton Shekhovtsov, studiues i politikave të ekstremit të djathtë në Evropë, thotë se simpatia për Rusinë e Syrizas dhe e partnerit të saj të koalicionit, Partisë së Grekëve të Pavarur, shkon përtej normës për Greqinë.
“Ndjenja pro-ruse është mjaft e përhapur në përgjithësi në Greqi. Por, te këto dy parti, politika e jashtme është haptazi pro-ruse. Fakti se kontaktet e para të kryeministrit të ri, Alexis Tsipras, kanë qenë me ambasadorin e Rusisë në Greqi, tregon se ata, me gjasë, do të bëjnë përpjekje që të krijojnë një bashkëpunim më të rëndësishëm me Rusinë”, thotë Shekhovtsov.
Në dhjetor të vitit 2014, një grup i hakerëve rusë, i quajtur Shaltai Boltai, ka publikuar disa emaile të marra nga Georgy Gavrish, mik i afërt me Duginin dhe zyrtar në Lëvizjen euroaziatike të Duginit. Shumë nga emaliet lidhen me përpjekjet e Duginit dhe Malofeyev për të krijuar një rreth të politikanëve dhe intelektualëve evropianë, të dashur me Rusinë.
Dhjetëra emaile kanë zbuluar bisedat midis Gavrishit dhe njerëzve brenda Syrizas, thotë Christo Grozev, specialist në çështjet e informimit në Evropën lindore.
Mesazhet tregojnë “bashkëpunim shumë të ngushtë për strategji”, thotë Grozev. Ai thotë se këshilltarët e Syrizas kanë dërguar “memorandume strategjike” për qëndrimet dhe politikat e partisë te Dugin dhe Gavrish, për të marrë komentet dhe sugjerimet e tyre.
Gavrish ka jetuar në Greqi për disa vjet, deri më 2013.
“Gjatë atyre pesë vjetëve, ai (Georgy Gavrish) ka shërbyer, me sa duket, si delegat për Duginin për të gjetur politikanë dhe figura publike në Greqi, që do të angazhohen në ideologjinë e Duginit”, thotë Grozev.
Një nga njerëzit e përfshirë në shkëmbime është Nicolas Laos, intelektual grek dhe këshilltar i Syrizas, që ka lidhje biznesore me Rusinë. Ai është partner i kompanisë ruse të sigurisë, R-Tekhno.
Në një nga emailet që kanë rrjedhur, Laos i ka shkruar Duginit: “E di shumë mirë se si funksionon armiku dhe, nën patronazhin tuaj, unë mund të sulmoj në mënyrë efektive dhe të rëndë”.
Një mesazh me sa duket i referohet Panos Kammenos, kreut të Partisë së Grekëve të Pavarur dhe tani ministër i Mbrojtjes i Greqisë. Në mesazhin e 25 tetorit, 2014, të shkruar nga blogeri me ndikim, Dimitris Konstantakopoulos, i cili me sa duket ishte duke bërë konsultime për strategjinë e Syrizas, flitet për Institutin e Studimeve Gjeopolitike, me seli në Athinë, të cilin Kammenos e ka themeluar me mikun e tij, profesorin e Universitetit të Trakës, Filippos Tsalidis.
“Panos është shfaqur pothuajse një muaj më herët, plot entuziazëm, duke kërkuar bashkëpunim të rregullt. Më pastaj, ka shkuar në Moskë për arsye personale – siç na ka thënë, për martesën e një miku – dhe më pas është zhdukur nga faqja e Tokës në njëfarë mënyrë mbresëlënëse. Jam shumë kurioz të di se çfarë arsyesh do të japë për zhdukjen”, thuhet në mesazh.
Një muaj pasi mesazhi është shkruar, instituti i Kammenos ka nënshkruar një “memorandum mirëkuptimi” me Institutin e Rusisë për Studime Strategjike. Ky i fundit ka qenë pjesë e Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës ruse derisa është sjellë nën zyrën e presidentit rus, më 2009. Drejtori i tij, Leonid Reshetnikov, është gjeneral i pensionuar i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës ruse.
Dugin është po ashtu i lidhur me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias. Në prill të vitit 2013, Kotzias, atëherë profesor i Universitetit të Pireut, ka ftuar Duginin që të mbajë një ligjëratë për politikat ndërkombëtare. Gjatë asaj ligjërate, Dugin ka thënë se Greqia nuk duhet t’i bashkohet Unionit Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia, por duhet të luajë rol në “rikrijimin e arkitekturës së Evropës” dhe të formojë “një pol lindor të identitetit evropian” brenda Bashkimit Evropian, së bashku me Serbinë e të tjerët.
Dugin ka qenë i angazhuar në një veprimtari të tillë në Evropër për disa vite, thotë Andreas Umland, profesor në Akademinë Mohyla të Kievit.
“Ai është i lidhur ngushtë, për më shumë se 20 vjet, me të gjithë intelektualët e krahut të djathtë në Francë, Itali, Belgjikë e Britani të Madhe. Ai i lexon ata dhe ata e lexojnë atë. Disa nga librat e tij janë përkthyer”, thotë Umland.
Përpjekjet e tilla kanë fituar pak tërheqje derisa Dugin ka bashkuar forcat me miliarderin Konstantin Malofeyev, një nacionalist rus konservator. Më 20 shkurt të vitit 2014, Dugin i ka shkruar Malofeyev një memo, duke identifikuar partnerët e mundshëm kyçë në Evropën Perëndimore.
Grozev thotë se Dugin ka nxitur Malofeyev që të angazhohet me këto figura, me qëllim krijimin e një klubi elitar të politikanëve – siç e ka quajtur Dugin – që mbështet vijën ruse.
Në fund të majit 2014, Dugin dhe Malofeyev kanë pritur përfaqësuesit e këtyre lëvizjeve – përfshirë Syrizan – në një konferencë sekrete në Vjenë. Kjo, sipas raporteve të disa 35ve.
Në atë takim, studiuesi Shekhovtsov thotë se Dugin dhe Malofeyev “janë takuar me përfaqësuesit e Partisë së Lirë të Austrisë, të Partisë Ataka të Bullgarisë dhe të Frontit Kombëtar të Francës. Të gjitha këto janë parti të ekstremit të djathtë”.
Grozev thotë se nuk ka referime direkte se Dugin ose Malofeyev kanë financuar ose mbështetur materialisht Syrizan apo parti të tjera. Megjithatë, ai thotë se Dugin dhe Gavrish shpesh kanë përfshirë njerëz të afërt me Malofeyev në listat e marrësve të emaileve të tyre.
Një nga miqtë e Malofeyevit, emri i të cilit shfaqet më së shpeshti, është Aleksei Komov, një biznesmen ortodoks, i cili është përfaqësues i Rusisë në Kongresin Botëror të Familjeve. Në shkurt të vitit 2014, Komov ka mbajtur një fjalim në Klubin e Shtypit Kombëtar në Uashington, ku ka fajësuar “bankierët e Wall Street”-it për vendosjen e komunizmit në Rusi.
Grozev po ashtu thotë se ka qenë i befasuar me shkallën e “misticizmit” që sheh në korrespondencën midis grekëve dhe njerëzve të Duginit. (rel)