Rusia është një partnere e rëndësishme ekonomike, por jo partnere qendrore për Hungarinë. Megjithatë Rusia mbetet furnizuesi kryesor me gaz dhe naftë i Hungarisë.Gjatë vizitës së Vladimir Putinit të martën në Budapest, ndonjë hungarezi do t’i kujtohet një nga këngët më të famshme popullore hungareze: i bukur është vetëm ai që ka sy blu. (Az a Szép …). Njeriu nga Moska me sy blu akulli do të përpiqet që t’i bindë njerëzit se ai është i bukuri dhe i miri. Kryeministrin hungarez Viktor Orban ai nuk ka më nevojë që ta bindë. Ai ka kohë që e ka shpallur në mënyrë të përsëritur Putinin si modelin e tij politik.
Por Orbani duhet të jetë i kujdesshëm. Fakti që presidenti rus do t’i lidhë diskutimet mbi furnizimet e reja të gazit me çmim të përballueshme me mbështetjen e politikës së tij në Ukrainën lindore, është një sekret i hapur. Kryeministri hungarez, kundërshtar i sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për krizën në Ukrainë, nuk duhet t’i bierë pas shpine BE-së.
Këtë atij ia tha qartë në fillim të shkurtit edhe kancelarja Angela Merkel, gjatë vizitës së saj të papritur në Budapest. Merkel e paralajmëroi Orbanin për të mbrojtur vlerat liberale dhe për të mos e vënë në dyshim politikën e BE-së.
Lufta verbale mes Merkelit dhe Orbanit në Budapest, dy javë para vizitës së Putinit në Hungari, ishte prova më e qartë se në BE ka mosmarrëveshje serioze në lidhje me politikën ndaj Rusisë të kryeministrit të Hungarisë. Por kjo ishte për Putinin një arsye tjetër për ta parë Hungarinë në Evropë si aleate të saj të mundshme.
Marrëdhëniet e mira mes Viktor Orban dhe Vladimir Putin BE-ja i ka prej kohësh halë në sy. Fjala “Putinizimi” i Orbanit është në qarkullim, e përforcuar nga koncepti i kryeministrit hungarez për një demokraci “joliberale” dhe kursin e tij pro rus. Po a mund të quhet Orbani një Putin i dytë?
Orbani një Putin të dytë?
Politologu Kai-Olaf Lang nga Instituti gjerman për çështje ndërkombëtare dhe të sigurisë e konsideron këtë krahasim të pasaktë.
“Sigurisht, Viktor Orbán, ka si Vladimir Putini, një dëshirë të fortë për pushtet,” tha Lang në bisedë DW. Qeveritë që drejton ai që prej vitit 2010 kanë ndjekur një politikë të përqendrimit të pushtetit dhe kontrollit të forcave të pavarura dhe kritike. Gjithashtu, Orbanit i pëlqen roli i një politikani i cili vë në pikëpyetje vlerat dominuese perëndimore. Por ndryshe nga Putini Orban e pranon “idenë e ndryshimeve demokratike”.
Dallime të qarta midis dy politikanëve sheh edhe sociologu hungarez Pal Tamas. Ajo që i lidh ata është “neveria ndaj liberalizmit perëndimor” që sundon në Evropë që nga rënia e Perdes së Hekurt, thotë Tamas. Por ndryshe nga Putini, Orbani është qartë pro perëndimit.
Kai-Olaf Lang thotë edhe se me “hapjen drejt lindjes” edhe me regjime autoritare në politikën e jashme, Orbani synon të sigurojë privilegje ekonomike dhe ndoshta edhe më shumë peshë politike. Ai do që Hungaria të qëndrojë në perëndim, por ta ndryshojë këtë ose “të paktën të krijojë kushtet në mënyrë që të mund të ndjekë udhën e tij në BE dhe NATO.”
Rusia partnere e rëndësishme ekonomike
Rusia është një partnere e rëndësishme ekonomike, por jo partner qëndror për Hungarinë. Vetëm rreth tre për qind e eksporteve të Hungarisë shkojnë në Rusi. Megjithatë, Rusia mbetet furnizuesi kryesor me gaz dhe naftë, dhe mund të flitet për një ‘varësisë energjetike të Budapestit nga Moska. Rusia do të përpiqet, si në vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore për të krijuar “ura ekonomike” të reja, mendon Kai-Olaf Lang. Veçanërisht në fushën e energjisë duhet të forcohet bashkëpunimi. Përveç zgjerimit të synuar të centralit bërthamor në Paks, që do të financohet nga kreditë ruse, fjala është edhe për transaksione të mundshme në lidhje me depotet e gazit hungareze dhe natyrisht çmimin e energjisë, sepse kontrata me Gazpromin përfundon në mes të vitit 2015.
Sociologu Pal Tamas vuri në dukje në bisedë me DW-në se vendi i tij ka vërtetë marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike me Gjermaninë – 25% e eksporteve të Hungarisë shkojnë në Gjermani – por nga “pikëpamja pragmatike” përpiqet të luajë me Rusinë, Kinën dhe regjimet autoritare në Lindje “.
Kai-Olaf Lang mendon se politika e Orbanit mund të jetë edhe e tillë që e shikon Rusinë si partner rezervë në rast të një izolimi të mëtejshëm të Hungarisë nga vendet e BE-së. (dw)