Dhjetra udhëheqës botërorë sot u mblodhën në Paris për t’u bashkuar me qindra mijëra qytetarë francezë që mbajtën një marshim për të nderuar viktimat e sulmeve terroriste. Kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri britanik David Cameron, Kryeministri italian Matteo Renzi, dhe ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ishin në mesin e 44 udhëheqësve botërorë që morën pjesë në marshimin e sotëm së bashku me presidentin francez Francois Hollande. Para fillimit të marshimit Presidenti Hollande priti në pallatin Elize udhëheqësit botërorë, duke përfshirë Presidentin palestinez Mahmud Abbas dhe Kryeministrin Izraelit Benjamin Netanyahu.
Udhëheqës të shumtë botërorë sot në Paris u bashkuan me Presidentin francez Francois Hollande në marshimin “uniteti” për të shprehur solideritetin me viktimat e sulmeve terroriste në të cilat u vranë 17 njerëz. Marshimi në heshtje që filloi sot rreth orës tre reflekton tronditjen mbi sulmin më të rëndë të militantëve islamik në një qytet evropian në nëntë vjet. Për Francën, sulmi ngriti çështjen e fjalës së lirë, besimit dhe sigurisë, dhe jashtë Francës ai zbuloi vështirësinë e shteteve për t’u mbrojtur nga sulmet urbane.
Rreth 2.200 policë dhe ushtarë patrullonin rrugët e Parisit për të mbrojtur marshuesit nga sulmues të mundshëm, përfshirë vendosjen e snajperëve në çatitë e ndërtesave dhe dislokimin në turmë të axhentëve në rroba civile. Infrastruktura e rëndësishme e qytetit u kontrollua me kujdes nga forcat e sigurisë para fillimit të marshit dhe sistemi i trenave nëntokësorë përreth rrugës ku u zhvillua marshimi u mbyll përkohësisht.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha sot në Indi se asnjë akt terrori nuk do ta frenojë “marshimin e lirisë”.
“Ne mund të vijmë nga drejtime të ndryshme në jetë, por sot qëndrojmë të bashkuar me popullin e Francës ndërsa ata marshojnë për të nderuar viktimat e sulmit vrasës së javës së kaluar në redaksinë e Charlie Hebdo në Paris. Dhe ne qëndrojmë së bashku jo vetëmë në zemërimin dhe indinjatën tonë, por në solidaritet dhe të përkushtuar ndaj çështjes së luftës kundër terrorizmit”.
Shtatëmbëdhjetë persona, duke përfshirë gazetarë dhe policë, u vranë
në tri ditët e dhunës në Paris që filloi të mërkurën me një sulm ndaj gazetës satirike Charlie Hebdo dhe përfundoi me një pengmarrje në një dyqan ushqimesh ku u vranë katër pengje.
Shfaqet një video e njërit prej autorëve të sulmeve
Një video ku shfaqet një nga autorët e sulmeve, e publikuar sot në 35t sociale përshkruan vrasjet si një hakmarrje për fushatën ajrore anti-islamike të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ku po merr pjesë edhe Franca.
Në video shfaqet një person që besohet të jetë Amedy Coulibaly, për të cilin policia franceze thotë se është i lidhur me vrasjen e një polici dhe pengmarrjen vdekjeprurëse në një dyqan ushqimesh menjëherë pas sulmit ndaj gazetës Charlie Hebdo.
“Ajo që ne po bëjmë tani është legjitime, duke patur parasysh atë që ata po bëjnë. Kjo është ajo që ata e kanë merituar për një kohë të gjatë”.
“Ju po sulmoni kalifatin, Shtetin Islamik, ne po ju sulmojmë. Nuk mund të sulmosh dikë dhe të mos presësh një përgjigje”.
Gjermani: Policia arreston dy vetë pasi sulmohet një gazetë
Ndërkohë policia në Gjermani tha se sot ka arrestuar dy burra të dyshuar për një sulm me zjarr kundër një gazete që ka ribotuar karikaturat e Profetit Muhamed që në të kaluarën i ka botuar gazeta satirike Charlie Hebdo.
Zyrtarët e policisë nuk dhanë hollësi në lidhje me burrat e arrestuar, por thanë se askush nuk u lëndua në sulmin ndaj gazetës Hamburger Morgenpost. (voa)