Rënia e çmimit të naftës po dëmton kompanitë e naftës por po ndihmon kompanitë ajrore dhe shitjet e makinave. Megjithatë çmimet e ulëta të naftës nuk janë të mjaftueshme për të nxitur rritjen ekonomike globale.Në të kaluarën, çmimet e larta të naftës i kanë çuar në falimentim disa kompani ajrore.
Kostoja e lëndës djegëse ka rëndësi sepse karburanti është shpenzimi më i madh i kompanive ajrore. Më shumë se një e treta e shpenzimeve të tyre lidhet me karburantin.
Për të mbijetuar, kompanitë ajrore shkurtojnë personelin dhe kosto të tjera. Një ekspert i kësaj industrie thotë se kompanitë fitojnë rreth shtatë dollarë për çdo pasagjer, nga disa miliardë njerëz që ata transportojnë në vit.
Zëdhënësi i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, Perry Flint thotë se çmimet e ulëta të karburantit janë një ndihmë e madhe për rritjen e fitimit të kompanive ajrore.
“Parashikimet tani janë pozitive, ne presim rreth 25 miliardë dollarë fitime në vitin 2015, një përmirësim prej rreth 19.9 miliardë dollarësh në krahasim me vitin e kaluar”.
Ulja e kostos së karburantit bën që konsumatorët të kenë më shumë para për të shpenzuar për gjëra të tjera. Kjo mund të jetë arsyeja pse Shoqata Kombëtare e Shitësve të Makinave thotë se në vitin 2014 konsumatorët amerikanë blenë më shumë makina se sa gjatë tetë viteve të mëparshëm.
Një ekspert i shitjeve thotë se çmimet e ulëta të karburantit kanë ndihmuar amerikanët të përballojnë çmimin e makinave që ata pëlqejnë më shumë.
Jack Fitzgerald është marrë me biznesin e shitjes së makinave që nga vitet 1950. Vitin e kaluar 1400 punonjësit e tij shitën 24 mijë makina.
“Ato janë makina të mëdha, djegin shumë, dhe janë popullore. Kur çmimi i karburantit bie, ato bëhen edhe më të kërkuara”.
Ekspertët e ekonomisë thonë se çmimet e ulëta të naftës po stimulojnë ekonominë globale, pasi paratë që dikur shpenzoheshin për energjinë mund të përdoren për gjëra të tjera. Por rritja ekonomike është penguar edhe nga efektet e mbetura të krizës financiare, si nivelet e larta të borxhit dhe papunësisë.
Drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde thotë se kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme për rimëkëmbjen globale.
“Pavarësisht rritjes së nxitur nga rënia e çmimeve të naftës, dhe rritjes së ekonomisë amerikane, rimëkëmbja ekonomike globale vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha”.
Çmimet më të ulëta të naftës janë problem për kompanitë e naftës, dhe sipas njoftimeve të 35ve, janë duke u anuluar projekte të ardhshme me vlerë miliarda dollarë. Ekspertë të industrisë thonë se nga shkurtimet do të rrezikohen projektet e shtrenjta ku kostoja e prodhimit mund t’i tejkalojë çmimet e tanishme dhe të pritshme të naftës. (voa)