Myslimanët e rinj po radikalizohen “në dhomat e tyre të gjumit”, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë në internet me luftëtarët e Shtetit Islamik, thonë ekspertët e terrorizmit. Ka shqetësime në rritje se autoritetet dhe kompanitë e internetit nuk janë duke bërë sa duhet për të luftuar ekstremizmin në internet, që analistët thonë se është përhapur nga një rrjet i sofistikuar i mbështetësve që përdorin internetin në mbarë botën.Në një natë të ftohtë shkurti në Stamboll, kamerat e survejimit kapën tre vajza britanike, dy prej të cilave janë të moshës 15 dhe tjetra 16 vjeç, në një stacion të autobusëve, në rrugën e tyre për t’u bashkuar me Shtetin Islamik. Pas një udhëtimi 18 orësh me autobus, besohet se ato kaluan në Siri disa ditë më vonë.
Çfarë i shtyu këto nxënëse të suksesshme të lënë familjet e tyre për një zonë lufte dhe të bashkohen me luftëtarët e Shtetit Islamik? Zyrtari britanik i kundër-terrorizmit fajëson mediat sociale.
“Ndryshimi që kemi parë gjatë disa viteve të fundit është se këto mesazhe ekstremiste tani po shpërndahen përmes internetit drejt në dhomën e gjumit të fëmijës tuaj”.
Hetuesit thonë se një tjetër grua britanike, Aqsa Mahmood, e cila ka shkuar në Siri për t’u bashkuar me Shtetin Islamik, ndihmoi në rekrutimin e tre adoleshenteve.
Është një fenomen që po ndodh gjithnjë e më shpesh në mbarë botën, si pjesë e përpjekjeve të Shtetit Islamik për rekrutimin e burrave dhe grave, sipas ekspertit të terrorizmit, Shiraz Maher të Universitetit Kings College në Londër.
“Sot, ju mund të bisedoni drejtpërdrejtë me një luftëtar. Ju mund të pyesni ata se si është jeta në terren dhe se si ata kanë arritur atje. Dhe kjo në shumë aspekte ju ndihmon të kapërceni frikën tuaj, apo gjërat e tjera që ju ndalojnë të shkoni atje”.
Zoti Maher thotë se këto pyetje në internet shpesh përqëndrohen në ndikimin e tyre mbi familjet që ata kanë lënë pas.
“Si i treguat nënës që ju keni shkuar në Siri? Si e keni tejkaluar këtë dhe nga ana emocionale si jeni pajtuar me faktin se ju keni rënduar zemrën e saj?”
Zoti Maher thotë se propaganda e Shtetit Islamik gjithashtu mbështetet në një rrjet të grupeve të simpatizantëve në internet.
“Ne i quajmë ata ‘shpërndarës’. Dhe këta shpërndarës janë tepër të rëndësishëm sepse ata nuk janë në terren, ata janë në gjendje të mbledhin dhe përhapin sasi të mëdha informacioni nga burime të shumta”.
Një nga këta persona ka jetuar në këtë banesë në Bangalore të Indisë që vepronte nën emrin ‘ShamiWitness’ në Twitter. Ai u arrestua në dhjetor.
Llogaria ShamiWitness në Twitter, tani është joaktive por ende mund të kontrollohet dhe ka mbi 17 mijë ndjekës. Ajo përfshinte propaganda të Shtetit Islamik, këshilla për rekrutët e rinj dhe mesazhe lavdërimi për luftëtarët e vdekur.
Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, James Clapper tha të hënën se shqetësimi i tij më i madh është rritja në vend e ekstremizmit të frymëzuar përmes internetit.
“ISIL-i është shumë i sofistikuar në përhapjen e propagandës, rekrutimin dhe ata janë përdorues shumë të mirë të mediave sociale. Pra, kjo është një sfidë për ne dhe për Evropën”.
Analistë të sigurisë thonë se propaganda ekstremiste në internet duhet të luftohet me mjete të internetit, për të parandaluar radikalizimin e të rinjve. (voa)