Sërish shumë të vrarë në luftime të reja në Ukrainë

Në luftime të reja të ashpra në Ukrainën Lindore, sipas të dhënave të qeverisë dhe të kryengritësve janë vrarë të paktën 19 vetë. Kryesisht luftime janë zhvilluar pranë një pike kyçe transporti në afërsi të Donjeckut.Brenda 24 orësh janë vrarë 13 ushtarë dhe janë plagosur 20 të tjerë, deklaroi një zëdhënës ushtarak ukrainas. Veç kësaj janë vrarë tre civilë dhe u plagos rëndë një i katërt, kur shtëpitë e tyre në rajonin e Luhanskut u ndodhën nën goditjen e zjarrit. Kështu deklaroi guvernatori lokal Gennadi Moskal. Sipas të dhënave të guvernatorit besnik të Kievit, veç kësaj në veri të Luhanskut, në qytetin Shastja, ku kanë shpërthyer luftime të rënda u vranë nga raketat dy ushtarë ukrainas.

Një zëdhënës i separatistëve prorusë theksoi se brenda 24 orësh u vranë tre civilë në rajonin e së vetëshpallurës “Republikë Popullore e Donjeckut”. 19 të tjerë u plagosën. Në qytetin Makijivka, që kontrollohet nga kryengritësit në kufi me Donjeckun, tri godina u goditën nga predhat e mortajave.

Kush e kontrollon Debalceven?

Luftimet më të ashpra, trupat qeveritare dhe separatistët i zhvilluan midis pikës me rëndësi strategjike të transportit, Debalceve, 50 kilometra nga Donjecku.

Ministri i Mbrojtjes, Stepan Poltorak tha të shtunën (31.01) se kryengritësit e kishin marrë “pjesërisht” kontrollin në qytet. Kievi megjithatë i përgenjeshtroi të dhënat e kryengritësve, se ata mbajnë të mbyllur atje rreth 8000 ushtarë ukrainas.

Të shtunën në mbrëmje, në Minsk të Bjellorusisë përfunduan pa rezultatet bisedimet më të fundit të paqes. Në negociata morën pjesë qeveria e Kievit, separatistët prorusë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) si dhe Rusia. Palët e konfliktit akuzuan njëra-tjetrën për përgjegjësinë për dështimin.

OSBE-ja i akuzoi separatistët prorusë se mbajnë qëndrim bllokues. Në vend që të flisnin për një armëpushim dhe për tërheqjen e armëve të rënda nga Donbasi, kryengritësit patën kërkuar në bisedimet në Minsk një ndryshim të marrëveshjeve të deritashme.

Në konfliktin që zgjat prej nëntë muajsh janë vrarë deri tani më shumë se 5000 vetë. Që prej fillimit të shtatorit, në Lindje të Ukrainës është në fuqi formalisht një armëpushim, por i cili thyhet herë pas here. haz/ sp (rtr, afp)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>